Ilustrim

Dosja e gjykatës -  Si erdhi deri tek arratisja e të akuzuarve për grabitje me kallashnikov?

Zëvendësimi i masës së sigurisë nga paraburgimi në arrest shtëpiak i kushtoi Gjykatës së Prishtinës me arratisjen e dy prej pesë të akuzuarve për grabitje me armë.

V. Sh. dhe E. Sh. tanimë ndodhen në arrati dhe janë të paarritshëm për organet e drejtësisë pas vendimit të Gjykatës së Prishtinës me të cilin u ishte zëvendësuar masa e paraburgimit me atë të arrestit shtëpiak.

Vendim ky i cili ishte marrë nga Naser Foniqi, gjyqtari i procedurës paraprake.

Ky vendim ishte apeluar nga Prokuroria dhe mbrojtja kurse gjykata e shkallës së dytë ka vendosur që të akuzuarit të kthehen nën masën e paraburgimit.

Sipas dosjes së gjykatës me rastin e transportimit të të akuzuarve për të i dërguar nga shtëpia e tyre në paraburgim, të njëjtit nuk u gjetën ndërsa vendndodhja e tyre vazhdon të mbetet e panjohur për organet e drejtësisë.

“Edhe me masën më të butë – arresti shtëpiak në këtë fazë të procedurës, arrihet qëllimi që të pandehurit të mos ikin, ndikojnë në dëshmitarë dhe përsërisin vepër penale, pasi që të pandehurit janë të moshës së re, përkatësisht prej 19 – 22 vjeç”, thuhet në arsyetimin e aktvendimit të siguruar nga Kallxo.com.

Për shkak të mungesës së prezencës së të njëjtëve të enjten (10.08.2023) dështoi të mbahej seanca fillestare ndaj F. Sh., B. M., E. Sh., A. A., V. Sh., L. D. dhe Z. A., të akuzuar për grabitje nën kërcënimin e kallashnikovit në pompa të derivateve.

Në seancë mungoi edhe prokurori i rastit Ilaz Beqiri.

Fatime Dermaku, gjyqtarja e cila është ngarkuar me gjykimin e rastit, ka paralajmëruar se për të arratisurit do të lëshojë urdhërarrest me qëllim të kapjes së të akuzuarve.

F. Sh., B. M., E. Sh., A. A., V. Sh., L. D. dhe Z. A. akuzohen se me marrëveshje paraprake, të maskuar dhe të armatosur kanë grabitur shuma deri në 13 mijë euro në pompa të derivateve të naftës.

Sipas dosjes së Prokurorisë së siguruar nga Kallxo.com, të akuzuarit V. Sh., L. D. dhe Z. A. në orët e hershme 22 gushtit të vitit që shkoi, ishin futur në një pompë të derivateve në Komoran dhe nën kërcënimin e armës së tipit AK47 kishin vjedhur fillimisht mbi 10 mijë euro.

Dyshohet se më pas në koordinim me të akuzuarin E. Sh., i cili ishte i punësuar në atë pompë kishin vjedhur mbi 4 mijë euro të tjera.

Ndërsa më 12 gusht të vitit 2022 i akuzuari L. D. dhe Z. A. Sipas dosjes së Prokurorisë ishin futur në një pompë në Lipjan të maskuar dhe nën kërcënimin e armës kishin vjedhur rreth 400 euro, thuhet  në aktakuzë.

Gjithnjë sipas aktakuzës në korrik të vitit të shkuar V. Sh. dhe L. D. kishin vjedhur mbi 13 mijë euro nga pompa në Komoran sërish nën kërcënimin e kallashnikovit.

Aktakuza shtjellon se edhe në shtator të vitit 2022 V. Sh., L. D., F. Sh., B. M. dhe E. Sh. kishin tentuar të grabisin pompën në Komoran me ndihmën e armës AK47 por që në këtë rast kishin ikur pasi që kishin parë patrullën e policisë.

Sipas aktakuzës rreth të njëjtës periudhë kohore E. Sh., F. Sh. dhe A. A. kishin shkuar të maskuar në pompën e derivateve në Lipjan, me ç’rast E. Sh. kishte shtënë me kallashnikov në drejtim të të dëmtuarit R. B. dhe më pas kishin vjedhur mbi 600 euro.

Këto veprime të të akuzuarve, Prokuroria i ka kualifikuar si vepra penale të grabitjes dhe grabitjes në tentative.

Të akuzuarve V. Sh., L. D., E. Sh. dhe F. Sh. i bie në barrë edhe vepra penale e armëmbajtjes pa leje, sipas aktakuzës së Prokurorisë.

Ndërkaq i akuzuari L. D. përballet edhe me akuzat e posedimit të paautorizuar të narkotikëve të llojit marihuanë.

Kujtojmë se të akuzuarit tashmë ndodhen në masën e arrestit shtëpiak pas vendimit të Gjykatës Supreme.

Lidhur me këto akuza avokati Asdren Bytyqi, mbrojtësi i të akuzuarit F. M., për Kallxo.com tha se “nuk duam t`i japim pompozitet kësaj çështje hala pa u deklaru rreth fajësisë, unë mund të deklarohem vetëm pasi që të deklarohemi njëherë rreth fajësisë dhe pafajsisë”.

“Për shkak se njona prej veprave që është në tentativë nuk ka me e pranu pasi që ka elemente të tentativës, në gjysë të rrugës janë tutë i kanë ra pishman dhe janë kthy, edhe ky i jemi është i përfshirë vetëm me njërën”, tha Avokati Bytyqi.

Ndërsa avokati Veton Rrecaj i cili përfaqëson B. M. nuk pranoi të prononcohet për Kallxo.com.

Seanca e radhës u caktua të mbahet 17 gusht 2023.