Dështoi të mbahet seanca në gjykimin ‘Ukë Rugova 1’

 

Tashmë tri vite Ukë Rugova, Astrit Haraqija, Qefser Balliu, Izet Beqir dhe Florian Petani, po akuzohen nga Prokuroria për veprat penale krim të organizuar lidhur me kontrabandim të migrantëve, ndërsa Rugova, Beqiri dhe Baholli edhe për armëmbajtje pa leje.

Seanca dështoi të mbahet në mungesë të anëtarit të trupit gjykues Vesel Ismaili për të cilin kryetarja e trupit gjykues Naime Krasniqi- Jashanica, konstatoi se gjendet në Shkup për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore të djalit të tij.

Poashtu edhe prokurorja e rastit Florije Shamolli, e pyetur se ne cilin gjykim do të marr pjesë deklaroi se sot do të prezantojë në seancën “Stenta 2”, për shkak se atje po dëgjohen dëshmitarët.

Në këtë proces gjyqësor janë gjithsej 20 të akuzuar, mirëpo për pesë të lartcekurit është veçuar procedura për qëllim të ekonomizimit duke u njohur si rasti “Ukë Rugova 1”, ndërsa për 15 të akuzuarit e tjerë procesi gjyqësor njihet si “Ukë Rugova 2”.

Lidhur me këtë proces gjyqësor nga Prokuroria Speciale janë propozuar 178 dëshmitarë, 70 prej të cilëve kanë të bëjnë me pesë të akuzuarit në “Ukë Rugova 1” e deri tani janë dëgjuar 21 dëshmitarë nga 70 sa janë të propozuar.

Ndërsa grupi i dytë i të akuzuarëve në procesin e quajtur “Ukë Rugova 2” janë deklaruar të pafajshëm.

Seancat e radhës u caktuan  për datat 31 mars dhe 3 prill.

Pesë të akuzuarit duke përfshirë edhe djalin e ish presidentit Ibrahim Rugova, akuzohen për sigurimin e 500 vizave italiane Schengen në mënyre të parregullt.

Aktakuza thotë se ata i kane përfshirë edhe 500 persona si familjarë të familjes Rugova me qëllim të përfitimit të këtyre vizave.