Kërkesa e dëshmitarit, mbyllet për publikun një pjesë e seancës së gjykimit për Masakrën e Izbicës

Muhamet Alidemaj është ulur në bankën e të akuzuarit lidhur me akuzat për krime lufte ndaj popullatës civile lidhur me Masakrën e Izbicës.

Seanca e së hënës (11.03.2024) nisi e hapur për publikun, por më pas me kërkesë të dëshmitarit Muhamet Halitaj u mbyll për një pjesë të dëshmisë së tij. Gjithashtu e mbyllur vazhdoi seanca edhe gjatë dëshmisë së dëshmitarit të dytë.

Dëshmitari Muhamet Halitaj deklaroi se kishte qenë pjesë e shtabit si udhëheqës i njësisë për vëzhgim të brigadës 112 të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Halitaj gjatë dëshmisë së tij deklaroi se para masakrës së Izbicës kishte tentuar të takohej me të akuzuarin Alidemaj përmes njerëzve të ndryshëm.

“Këtë tentim që ta takoj Muhametin ka qenë vetëm një qëllim që ta kthejmë Muhametin në anën tonë se ka pasi edhe persona të tjerë të cilët kanë qenë në anën e forcave serbe por që janë kthyer në anën tonë”- u shpreh dëshmitari.

Mirëpo, dëshmitari deklaroi se me të akuzuarin nuk ishte takuar.

“S’kishim qenë njëri këtu me u pas taku. Ky me armë unë me armë, se ky ka qenë në anën e kundërt, e kom ditë se e kam njohur shumë mirë edhe ky më njeh mu” –  dëshmitari.

Ndërkaq, gjatë marrjes në pyetje nga kryetari i trupit gjykues Vesel Ismaili, deklaroi se pas masakrës, ka persona që kanë përmendur Muhamet Alidemën.

“Nuk e di kush nuk ma ka thënë. Gjatë bisedës lidhur me masakrën konkretisht më kanë thënë “Qysh bre kish qenë edhe një shqiptar në anën e serbëve?’”  tha i akuzuari.

Tutje gjykimi ishte paraparë të vazhdojë me një tjetër dëshmitar, por që për dëshmia e të njëjtit vazhdoi tërësisht e mbyllur për publikun.

Kjo erdhi pas propozimit të prokurorit Special Ilir Morina, të cilin propozim trupi gjykues me kryetar Vesel Ismaili e aprovoi.

“Propozoj që të mbyllen ky shqyrtim tani e tutje për shkak se dëshmitari ka kërkuar që të mbrohet jeta personale dhe familjare” -tha Prokurori Morina.

Ndërkaq mbrojtja këtë çështje e la në diskrecion të gjykatës.

Ndërkaq seanca e së hënës ka nisur rishtazi pasi që është ndërruar një anëtar i trupit gjykues.

Tash e tutje, Kushtrim Shyti do të jetë anëtar i trupit gjykues në vend të gjyqtares Suzana Qerkini e cila ka marrë pozitën e gjyqtares mbikëqyrëse në gjykatën e Fushë Kosovës.

Gjykimi vazhdoi aty ku ka mbetur pasi palët u pajtuan që të gjitha veprimet e ndërmarra deri tani të konstatohen të lexuara.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, i akuzuari Muhamet Alidemaj ka kryer veprën penale – krime kundër popullatës civile në Kosovë gjatë kohës së luftës.

I njëjti sipas aktakuzës më 28 mars 1999 së bashku me forcat ushtarake dhe policore serbe kishin zbritur nga mali për t’u nisur në drejtim të fshatit Izbicë, me të arritur në fshat të njëjtit shkuan në shtëpinë e të dëmtuarës Xh.O., ku nga kjo e fundit morën shumën prej 1,000 marka gjermane e më pas i vunë flakën pasurisë së të dëmtuarës. Nën kërcënim të armës të njëjtën e kanë detyruar që t’i prijë gjatë kontrollit të shtëpisë së saj.

Tutje Alidemaj së bashku me ushtrinë dhe policinë serbe shkojnë te livadhi ku ishin të grumbulluar popullsia civile, duke përdorur dhunë, bëjnë ndarjen e grave dhe fëmijëve nën moshën 12-vjeç e dhunshëm i detyrojnë që të shkojnë në Shqipëri.

Ndërsa burrat i ndajnë në grupe dhe bëhet ekzekutimi i tyre me armë automatike, duke vrarë rreth 130 persona, ndërsa kishin arritur që të shpëtojnë vetëm 12 civilë.

Dy muaj pas këtij veprimi i akuzuari së bashku me pjesëtarët e tjerë të forcave serbe u kthye përsëri në fshat, i zhvarrosën trupat me ekskavator dhe i larguan duke i transportuar me disa kamionë në drejtim të panjohur. Ndërsa pas përfundimit të luftës trupat u gjendën në varrezat masive të Batajnicës, në Serbi.