Foto: Kallxo.com

14 të akuzuarit për viza në grupin e Ukë Rugovës dalin para gjyqit

14 të akuzuar për aferën e vizave dolën sot për herë të parë në gjykatë në përbërje të plotë, pas dy seancave të dështuara.

Ata i përkasin grupit të të akuzuarve ku bëjnë pjesë edhe Ukë Rugova, ish-deputet dhe djali i Presidentit Ibrahim Rugova, dhe Astrit Haraqija, ish ministri i Kulturës nga LDK,

Fitim Beqiri, Azad Beqiraj, Liridona Beqiri, Kujtim Avdyli, Ragip Gashi, Azem Kosoviku, Hamza Beqiri, Visar Beqiri, Bekë Shaqiri, Hasan Shaqiri, Edison Idrizi, Dritro Voca, Fadil Ahemti dhe Haxhi Islami, akuzohen nga Prokuroria se duke qenë anëtarë të organizatës të themeluar, organizuar, mbikëqyrur, menaxhuar ose drejtuar nga Ukë Rugova dhe Izet Beqiri, kanë marrë pjesë në furnizimin e individëve me viza Schengen nga Ambasada Italiane në Prishtinë të cilat janë marrë në mënyrë të paligjshme ose përmes shtrembërimit ose korrupsionit.

Sipas aktakuzës plot 556 viza Schengen ishin marrë nga Ambasada e Italisë në Prishtinë si rezultat i aktiviteteve të këtij grupi.

Në seancën e sotme ata u pyetën nga gjykata se si deklarohen për akuzat e Prokurorisë, dhe të gjithë të akuzuarit thanë se ishin “plotësisht të pafajshëm” lidhur me këto akuza.

Më 3 korrik të këtij viti u veçua procedura penale ndaj këtyre 14 të akuzuarve për të vazhduar gjykimin vetëm me Ukë Rugovën, Astrit Haraçinë, Izet Beqirin, Florjan Petanin, Qefser Bahollin.

Gjykimi ndaj Ukë Rugovës dhe të tjerëve për vizat italiane, Gjykata veçoi procedurën

Prej veçimit të procedurës e deri më sot dy herë ka dështuar të mbahet seanca në të cilën të akuzuarit të do deklaroheshin për fajësinë.

Më 30 shtator ishte shtyrë seanca për shkak të mungesës së të akuzuarve Ragip Gashi dhe Hasan Shaqiri, ndërsa seanca e  22 nëntorit u shty për shkak të mungesës së akuzuarve Ragip Gashi dhe Azem Koskoviku.

Në seancën e radhës të caktuar për datën 13 shkurt prokurorja e rastit Florije Shamolli do të precizojë veprat penale në aktakuzë dhe palët do të paraqesin fjalën hyrëse në këtë rast.