Ukë Rugova | Foto: KALLXO.com

Veçohet procedura në gjykimin për vizat italiane, Ukë Rugova ndihet i pafajshëm

Në gjykimin e grupit prej 20 të akuzuarve për krim të organizuar e kontrabandim me emigrantë, në mesin e të cilëve është edhe Ukë Rugova, Gjykata e Prishtinës sot ka veçuar procedurën penale për 5 të akuzuarit e parë.

Fjala është për Ukë Rugovën, Izet Beqirin, Florian Petanin, Qefser Bahollin dhe Astrit Haraqijën.

Veçimi i procedurës u vendos nga trupi gjykues me kryetare Naime Krasniqi-Jashanica, duke u bazuar në propozimin e Prokurorisë Speciale dhe me pajtimin e palëve.

Qëllimi i veçimit të procedurës, siç u tha, është ekonomizimi dhe efikasiteti i procedurës.

Pas veçimit të procedurës, shqyrtimi gjyqësor u vendos të vazhdojë me këta 5 të akuzuar.

Në fjalën hyrëse, prokurorja speciale Florije Salihu- Shamolli, lexoi aktakuzën, e cila i ngarkon të akuzuarit me veprat penale – krim i organizuar, kontrabandim me emigrantë dhe falsifikim të dokumenteve.

Sipas aktakuzës, organizator i grupit kriminal cilësohen Ukë Rugova dhe Izet Beqiri.

Të akuzuarit, akuzohen të jenë të përfshirë në sigurimin e rreth 500 vizave italiane Schengen, në mënyrë të parregullt.

Aktakuza thotë se ata i kanë përfshirë rreth 500 persona si familjarë të familjes Rugova, me qëllim të përfitimit të këtyre vizave.

Gjithashtu, prokurorja lexoi edhe ndryshimet që i janë bërë aktakuzës, në të cilën Ukë Rugova, Izet Beqiri dhe Qefser Baholli u akuzuan edhe për armëmbajtje pa leje.

Më pas të gjithë këta të akuzuar u deklaruan të pafajshëm.

Në fjalën hyrëse, mbrojtësi i të akuzuarit Izet Beqiri, avokati Besnik Berisha tha se “siç duket, sa herë që Prokuroria është e nxënë ngushtë dhe ka pasur probleme me statistika, nis raste me emra të përveçëm, që ka besuar se në publik ia rrisin namin dhe e shtojnë bereqetin”.

Gjithashtu, avokati Berisha theksoi se aktakuza nuk ka asnjë provë konkrete dhe se veprimet e të akuzuarve kanë qenë thjeshtë dhënie e rekomandimeve për persona të ndryshëm për viza, dhe asnjë veprim tjetër jashtë rregullave procedurale për vizat nuk është bërë.

Gjithashtu, mbrojtësi deklaroi se nëse është e mundur do të kërkohet deklarata edhe e ambasadorit të atëhershëm në funksion në Ambasadën italiane, i cili i ka nënshkruar aplikacionet për të cilat janë akuzuar të akuzuarit.

Më tej, avokati Besnik Berisha theksoi se aktakuza nuk i ka precizuar në asnjë pjesë veprimet konkrete me të cilat mund të inkriminohen për këto vepra penale të akuzuarit.

Ndërsa, i akuzuari tjetër, Florjan Petani, në fjalën e tij hyrëse u deklarua për akuzat që janë ngritur për të, të cilat janë mundësimi i marrjes së vizave duke i shpërfillur procedurat e rregullativës së Unionit Europian KE “810/2009”, gjatë kohës që punonte në Ambasadën italiane.

Florjan Petani në fillim të fjalës së tij hyrëse tha se në të njëjtën kohë, për të njëjtën vepër penale është duke u zhvilluar procedurë penale ndaj tij në Itali, që është shkelje e parimit të litispendencës.

Në vazhdim, ai paraqiti supozimet e tij se roli i tij në Ambasadë ka qenë vetëm pranimi i aplikacioneve, dhe jo aprovimi i tyre.

Rrjedhimisht, ai deklaroi se aplikacionet e pranuara, për të cilat akuzohet, i kanë përmbushur elementet minimale në bazë të rregullativës së Unionit Europian “KE 810/2009”, për t’u pranuar si aplikacione. Prandaj, sipas të akuzuarit, aprovimi apo jo i këtyre aplikacioneve nuk ka qenë kompetencë i tij, por e ambasadorit dhe zëvendësit të tij.

Po ashtu, i akuzuari deklaroi se prova kryesore që ai do të bazojë mbrojtjen e tij është rregullativa dhe ligji, “në bazë të të cilave, këto aplikacione janë plotësisht të rregullta, në aspektin e pranimit të tyre”.

I akuzuari tjetër Astrit Haraqija tha se rekomandime për viza ka dhënë edhe gjatë kohës sa ishte kryetar i qeverisë lokale në të kaluarën, dhe sa kishte qenë ministër.

Prandaj, sipas të akuzuarit dhënia e rekomandimeve për viza është normale edhe për ministrat pasardhës.

Kësisoj, i akuzuari deklaron se dhënia e rekomandimit të tillë nuk është vepër penale.

Procedura u veçua për 5 të akuzuarit e parë me qëllim të ekonomizimit dhe efikasitetit të procedurës.

Ky proces gjyqësor është shtyrë në mënyrë të vazhdueshme për shkak të mungesës së shpeshtë të të akuzuarve.

Në këtë seancë mungoi e akuzuara Liridona Beqiri, për të cilën Gjykata lëshoi urdhëresë për shoqërim të detyrueshëm.