I akuzuari për përgatitjen e sulmit terrorist ndaj komunitetit LGBTI shpallet fajtor nga Gjykata e Prishtinës

Blend Vrajolli është shpallur fajtor të martë, 05.03.2024, nga Gjykata e Prishtinës për përgatitje të veprave penale të terrorizmit dhe është dënuar me tre vite e gjashtë muaj burgim.

Blend Vrajolli me nofken “Ebu Ubejt” akuzohet nga Prokuroria Speciale për përgatitje të sulmeve terroriste ndaj komunitetit LGBTI dhe në pikën kufitare në Merdarë dhe per veprën penale trajnimi për terrorizëm.

Vendimi i tillë është marrë nga trupi gjykues i kryesuar nga Valbona Musliu- Selimaj, anëtarët Musa Konxheli dhe Vesel Ismaili.

Blend Vrajolli nuk ka qenë i pranishëm në shpalljen e aktgjykimit dënues ndaj tij.

Për gjykimin e këtij rasti nga fillimi deri në fund Gjykatës iu deshën më pak se pesë muaj.

Seanca e parë ishte mbajtur më 02.10.2023, e aktakuza ishte ngritur më 15.09.2023.

Aktakuza është ngritur dhe është përfaqësuar nga prokurori special Afrim Shefkiu.

Blend Vrajolli po akuzohet se ka bërë përgatitjen e sulmeve terroriste në Kosovë përmes materialeve të rrezikshme e vdekjeprurëse në kombinim me “Nitrat de Calcium” në sheshin e Prishtinës ndaj pjesëtarëve të komunitetit LGBTI si dhe në pikën kufitare në Merdarë.

Sipas aktakuzës, i njëjti me rastin e udhëtimit nga Arabia Saudite për në Kosovë përmes Aeroportit të Shkupit, pasi ishte pjesë e “Stop listës” ishte ndaluar dhe kontrolluar në pikën kufitare në Han të Elezit, me ç’rast i janë gjetur mesazhe dhe harta të pranuara përmes rrjetit social “Telegram”.

Vrajolli ishte arrestuar më 21.02.2023 ndërkaq aktakuza e Prokurorisë Speciale ishte ngritur më 15.09.2023.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t`i lexoni duke klikuar në LINK