Foto: KALLXO.com

Dëshmitarja: Pasaporta më humbi në Ambasadë, u gjet te djali i Ibrahim Rugovës

Në Gjykatën e Prishtinës ka vazhduar gjykimi i Ukë Rugovës dhe 4 të akuzuarve, të akuzuar për mashtrim me viza Schengen.

Në seancën e sotme është dëgjuar dëshmitarja Hajrie Kutllovci.

Ajo fillimisht tregoi se nuk e njeh asnjërin prej të akuzuarve dhe mbetet në tërësi pranë deklaratës që ka dhënë në Polici.

Por, ajo rrëfeu se për herë të parë që ka aplikuar për vizë kishte për qëllim të shkonte në Gjermani për një vizitë mjekësore.

E pyetur nga prokurorja Florije Shamolli se përse për të shkuar në Gjermani nuk ka aplikuar për vizë gjermane por italiane, dëshmitarja Kutllovci tha se “njëherë kam dashtë me vizitu Italinë e mandej Gjermaninë”.

Tutje dëshmitarja tregoi edhe se në Ambasadën italiane kishte dorëzuar të gjitha dokumentet e kërkuara, e kur kishte shkuar të pyeste për vizë i kishin thënë se i ka humbur pasaporta.

Ndërsa kur e kishin thirrur Policia për të dhënë deklaratë i kishin thënë se pasaporta e saj gjendej te djali i Ibrahim Rugovës.

“Kur m’kanë thirrë Policia me dhanë deklaratë më kanë thanë që dokumentet që të kanë humbur janë gjetur te djali i Ibrahim Rugovës, por unë nuk e kam ditur pse kanë shkuar atje dokumentet”, tha dëshmitarja Hajrie Kutllovci.

E pyetur nga gjyqtarët se a e ndjen vetën të dëmtuar, dëshmitarja Kutllovci u përgjigj se nuk e ndjen veten të dëmtuar. “Nuk kam dhënë asnjë cent, dhe mos më thirrni më të dëshmoj”, tha ajo.

Ndonëse Ukë Rugova dhe 4 të akuzuarit e tjerë akuzohen për skandalin me vizat italiane nga viti 2012, Gjykata kishte ftuar të dëgjohej dëshmitari i cili vizën e kishte marrë në vitin 2009.

Dëshmitari Shyqyri Zadriqi deklaroi se vizën italiane e ka marrë në vitin 2009,  derisa avokati Besnik Berisha mbrojtës i të akuzuarit Izet Beqirit, e kundërshtoi parashtrimin e pyetjeve këtij dëshmitari për shkak se ky dëshmitar nuk hyn në kuadër të objektit të akuzës.

Ndërsa dëshmitari i tretë, Ahmet Lipaj, për Gjykatën rrëfeu se të akuzuarin Izet Beqiri e njeh që nga viti 2002, dhe sa i përket vizës italiane vetëm ishte konsultuar me të. “S’ka shanse ta kem marrë vizën përmes Izet Beqirit”, tha ai kur u pyet se përmes kujt e ka marre vizën.

“Kam aplikuar në Ambasadën italiane dhe kam paguar nuk e di 50 a 60 euro. Pas tre muajve më ka dalë viza me vlefshmëri 30 ditë të cilën e kam shfrytëzu veç 5 ditë. Vizën e kam marrë pasi kam aplikuar, s’ka shans me marrë përmes Izet Beqirit”, shtoi ai.

Po ashtu, dëshmitari deklaroi se gjatë kalimit të kufijve nuk kishte pasur asnjë problem sa i përket vizës.

Ndërsa në fund dëshmitari Lipaj u deklarua se nuk e ndjen vetën të dëmtuar.

Tash tri vite Ukë Rugova, Astrit Haraqija, Izet Beqiri, Florian Petani, Qefser Baholli akuzohen  nga Prokuroria Speciale për rregullimin dhe lëshimet e 500 vizave Schengen italiane si dhe përfshirjen e 500 personave si familjarë ose persona që kanë punuar për familjen Rugova përmes fletë-rekomandimeve të lëshuara nga Ukë Rugova.

Pesë të akuzuarit duke përfshirë edhe djalin e ish presidentit Rugova, akuzohen për sigurimin e 500 vizave italiane Schengen në mënyre të parregullt.

Aktakuza thotë se ata i kane përfshirë edhe 500 persona si familjarë te familjes Rugova me qëllim te përfitimit të këtyre vizave.