Borxh shtetit mbi 105 mijë euro, dështon seanca për shkak të mungesës së prokurorit

Në Gjykatën e Prishtinës dështoi të mbahet seanca ndaj të akuzuarit Veton Pira, i cili akuzohet për mospagesë të detyrimeve tatimore dhe fiskale.

Sipas dosjes së Prokurorisë, vlera e përgjithshme e borxhit kalon mbi 105 mijë euro.

Në seancë u paraqitën përfaqësues të Administratës Tatimore të Kosovës, i akuzuari Veton Pira me avokatin e tij mbrojtës Fatos Pira por mungesa e prokurorit të çështjes Arianit Salihu bëri që gjykimi të dështonte.

Për mungesën e të njëjtit, gjyqtari i çështjes Eroll Gashi njoftoi se do të njoftojë kryeprokurorin ngase prokurori Salihu nuk e kishte njoftuar gjykatën për mosprezencën e tij.

Sipas dosjes së Prokurorisë, i akuzuari Piraj në cilësinë e përfaqësuesit në personin juridik të “Idroesse Infrastrutture” me seli në Prishtinë nuk i kanë paguar mjetet e lartpërmendura që nga dhjetori i vitit 2004 deri në dhjetor të vitit 2005.

Bashkë me Pirajn, i akuzuar në këtë çështje është edhe shtetasi italian, Attilio Siviero, i cili sipas dosjes së prokurorisë së vitit 2015 përshkruhet si pronar i subjektit juridik në fjalë, por për të njëjtin nuk ka qenë e mundur të sigurohet prezenca e tij në procedurë.

Ata ngarkohen me veprën penale të keqpërdorimit të autorizimeve ekonomike, sipas nenit 236 të Kodit Penal.

Gjyqtari Gashi konstatoi në seancën e sotme se nuk janë përmbushur kushtet ligjore për mbajtjen e seancës.

Ky rast pritet të vazhdojë më 29 shtator.

Sipas të dhënave nga ARBK-ja, biznesi “Idroesse Infrastrutture” është pasiv që nga qershori i vitit të kaluar, e cila vepronte si degë e shoqërisë së huaj në Kosovë.