Vendimi i gjykatës për të dyshuarën e aksidentit me fatalitet në Prishtinë
Gjykata e Prishtinës ka vendosur më datë 28.02.2024 që t’i caktohet masa e paraburgimit prej një muaji të dyshuarës në rastin e aksidentit me fatalitet që ndodhi para dy ditëve, më 26.02.2024, në rrugën “Agim Ramadani” në Prishtinë.
“Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm Penal ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtin֝ë, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehures Y.B për shkak të veprës penale Rrezikimi i trafikut publik nga neni 370 paragrafi 9 lidhur me paragrafin 6 dhe 1, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.” – thuhet në njoftimin e Gjykatës së Prishtinës.
Kundër këtij vendimi të gjykatës palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.
Në dosjen e Prokurorisë që ka siguruar KALLXO.com është thënë se ekziston dyshimi i bazuar se e pandehura, nga pakujdesia e derisa ishte duke ngasur veturën e saj, ka vepruar në kundërshtim me rregullat e trafikut rrugor.
Kërkesa shpjegon në detaje se si ndodhi e gjithë ngjarja. Sipas Prokurorisë, deri tek aksidenti ka ardhur pasi e pandehura nuk iu ka përshtatur shpejtësisë së automjetit dhe kushteve të rrugës.
“Me të arritur përballë Ministrisë së Arsimit, tek semafori e njëjta duke vazhduar përpara në mënyrë të pakontrolluar edhe me pjesën e përparme të automjetit e godet shtyllën e semaforit dhe nga goditja semafori rrëzohet dhe godet këmbësorin” – thuhet në këtë kërkesë.
Si pasojë e goditjes nga semafori, viktima pësoi lëndime të rënda trupore e më pas vdiq në vendin e ngjarjes, thuhet tutje në dosje.
Me këto veprime, Prokuroria pretendon se drejtuesja e automjetit dyshohet se kishte kryer rrezikim të trafikut publik duke shkaktuar aksidentin fatal.
Gjyqtari i procedurës paraprake i këtij rasti është Eroll Gashi.