Gjykimi i ish-rreshterit policor, Shefki Spahiu. Foto: Kallxo.com

Vrasja në kazinon e Suharekës: Babai qanë në gjykimin për policin

Halil Aliajn e kanë tradhtuar lotët kur doli në sallën e gjykatës para të akuzuarit Shefki Spahiu që të rrëfente për vrasjen e djalit të tij, Jetmirit.

Halil Alija ishte i ftuari i parë në bankën e dëshmitarëve, në gjykimin e ish-rreshterit të Policisë Shefki Spahiu i cili po akuzohet për këtë që ndodhi në Suharekë.

Pasi që janë refuzuar kërkesat e të akuzuarit Shefki Spahiu dhe mbrojtësit të tij, avokatit Emrush Kastrati, për përjashtim të kryetares së trupit gjykues Ajser Skenderi, dhe për përjashtim të Gjykatës së Prizrenit nga kjo çështje, sot edhe ka filluar të mbahet gjykimi.

Ish-polici i dyshuar për vrasjen në kazinon e Suharekës nuk dëshiron të gjykohet në Prizren

Polici Spahiu po akuzohet se më 17 mars 2019 në Suharekë, në një kazino e cila gjendet në rrugën e Reshtanit, me dashje dhe në mënyrë dinake kishte privuar nga jeta Jetmir Aliajn, punëtor i kazinosë.

Sipas aktakuzës, pasi që Shefki Spahiu qëndroi në kazino, papritur duke shfrytëzuar besimin dhe sinqeritetin e Jetmir Aliajt, në mënyrë dinake e kishte nxjerrë armën-pistoletën e markës “Glock”, të cilën e kishte të gatshme për shkrepje dhe nga një distancë 1 metër kishte shtënë një herë në pjesën ballore të kokës, duke shkaktuar vdekjen e viktimës.

Ndërsa për veprën e dytë për manipulim me prova, Prokuroria pretendon se Shefki Spahiu pas kryerjes së vrasjes kishte hyrë në dhomën ku kanë qenë të vendosura pajisjet e kamerave të kazinosë dhe kishte shkatërruar, dëmtuar dhe fshehur provat.

Për këtë vepër, i akuzuari Spahiu e kishte pranuar fajësinë qysh në seancën e parë.

Gjykimi i ish-rreshterit policor, Shefki Spahiu. Foto: Kallxo.com

Halil Aliaj i përlotur që nga momenti kur u ul para trupit gjykues, dhe rreth 5-6 minuta sa zgjati dëshmia e tij, me zë të dridhur e me shumë emocion rrëfeu dhimbjen që e ka familja që nga dita kur iu vra djali në vendin e punës.

“Para gjykatës sikur para Zotit”, tha Halil Aliaj kur iu lexua udhëzimi i gjykatës se si dëshmitar duhej të tregonte vetëm të vërtetën.

“Unë i kam pasë 4 fëmijë, tash më kanë mbetë tre, prej ditës kur ky ma vrau djalin”, kështu filloi rrëfimin e tij babai i viktimës duke u drejtuar kah i akuzuari.

Derisa dha dëshminë e tij duke treguar se djali i tij Jetmiri nuk kishte pasur asnjë të keqe me askënd, Halil Aliaj shpërtheu në lot në sallë të gjykimit.

“Jemi sëmurë nga dhimbja e madhe që kemi”, tha ai duke arsyetuar lotët që s’po i ndaleshin.

“Shqiptari me vra shqiptarin, po kjo është turp”, vazhdoi ai mes lotëve dhe tejet i emocionuar rrëfimin e tij.

Kjo situatë dhe gjendje emocionale e dëshmitarit dhe e të gjithë familjarëve të tij në sallë të gjykimit bëri që trupi gjykues ta ndërpresë gjykimin për ta qetësuar dëshmitarin dhe të tjerët.

Ai i përlotur edhe u ngrit nga ulësja e për t’i lëshuar vendin dëshmitares së radhës Antigona Alija, bashkëshortja e të ndjerit, e cila nuk kishte në gjendjen më të mirë për të dëshmuar andaj prokurori dhe avokatët nuk parashtruan pyetje ndaj saj, duke u udhëzuar edhe nga kryetarja e trupit gjykues gjyqtarja Ajser Skendeir që familjarët të kursehen nga pyetje e ndjeshme.

I akuzuari Shefki Spahiu kokëulur gjatë gjithë kohës përcolli gjykimin që zgjati rreth 90 minuta, para se të ndërpritej për të vazhduar më 16 dhe 31 prill me dëgjimin e katër dëshmitarëve të propozuar nga Prokuroria.

KALLXO.com ka raportuar lidhur me vrasjen në kazino të Suharekës.

“Mbretëresha e provave” e kishte quajtur prokurori Mehdi Sefa CD-në të cilën e posedon Prokuroria si provë kryesore në këtë çështje.

Nga dosja e Prokurorisë dhe provat e mbledhura, prokurori i çështjes konsideron se polici ka qëlluar viktimën me armë zyrtare të policisë nga 1 metër afërsi.

Gjithashtu, Prokuroria ka gjetur se karikatorit të armës zyrtare të policit i mungonte një plumb pas vrasjes.

I akuzuari Shefki Spahiu  kohë më parë është rrahur nga tre persona brenda Qendrës së Paraburgimit të Pejës.

Lajmin për KALLXO.com e kanë konfirmuar edhe zyrtarë të Shërbimit Korrektues të Kosovës.

Kjo nuk është hera e parë që ish-polici Shefki Spahiu po del para gjykatës për t’u përballur me aktakuzë.

Në qershor të vitit 2016 Shefki Spahiu ishte shpallur i pafajshëm për veprën penale për keqpërdorim seksual të dy të miturave.