Gjykimi ndaj policit të akuzuar për vrasjen në kazino në Suharekë

Vrasja në kazino në Suharekë, Prokuroria: Polici i dëmtoi pajisjet e kamerave

Polici i Kosovës, Shefki Spahiu, ka dalë para Gjykatës së Prizrenit, dy javë pas ngritjes së aktakuzës ndaj tij për vrasjen e 32 vjeçarit Jetmir Aliaj në një kazino në Suharekë.

Ai sot u ballafaqua me akuzat për vrasje të rëndë dhe për manipulim me prova.

Në sallën e Gjykatës i akuzuari u soll i prangosur nga gardianët e burgut.

Gjatë kohës kur po lexohej aktakuza nga prokurori Metush Biraj, i akuzuari qëndronte i qetë dhe pa reaguar.

Spahiu u përgjigj me “Jo’ kur u pyet nga gjykatësja Ajser Skenderi se a e pranon fajësinë për veprën penale të vrasjes së rëndë.

Ndërsa për veprën penale – manipulim me prova i akuzuari Shefki Spahiu tha se e pranon fajësinë.

https://kallxo.com/tragjedia-ne-kazinon-e-suharekes-rrefehet-polici-i-akuzuar/

Gjyqtarja Ajser Skenderi e ndërpreu të akuzuarin kur ai filloi të fliste diçka. Sipas gjyqtares, në këtë fazë i akuzuari duhet të deklarohet vetëm se a e pranon fajësinë për veprat penale apo jo.

“Në seancat e ardhshme dhe në shqyrtimet e radhës ke mundësinë dhe e ke të drejtën të deklarohesh për më shumë”, i tha gjyqtarja rreshterit të Policisë, i akuzuar për vrasjen e para disa muajve në Suharekë.

Mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Emrush Kastrati deklaroi se nuk i ka pranuar të gjitha provat siç përmenden në aktakuzë.

“Më saktësisht nuk e kam pranuar një CD apo më shumë CD të cilat përmenden në aktakuzë”, tha avokati Kastrati.

Gjyqtarja Ajser Skenderi obligoi Prokurorinë që brenda afatit 10-ditor t’i dorëzojë mbrojtjes të gjitha provat të cilat nuk i ka avokati mbrojtës, duke përfshirë edhe CD për të cilën u deklarua avokati Emrush Kastrati.

Në përfundim të këtij shqyrtimi fillestar avokati Emrush Kastrati shprehu keqardhje për ngjarjen e ndodhur.

“Shprehim keqardhje të thellë për atë se çka ka ndodhur, edhe vetë Shefki Spahiu në seancat e ardhshme do të deklarohet, por ne na vjen shumë keq për atë se çka ka ndodhur dhe për të kaluarën. Tash të shohim se si do të shkon gjykimi, edhe ne jemi t’i kontribuojmë drejtësisë”, përfundoi avokati Kastrati.

Gjyqtarja Ajser Skenderi caktoi datën 29 korrik si dita kur do të mbahet shqyrtimi i dytë i këtij rasti, ku mbrojtësi i të akuzuarit ka të drejtë të paraqesë kundërshtimin e tij për provat e aktakuzës, dhe eventualisht të kërkojë hedhjen e aktakuzës.

Polici Shefki Spahiu ka qenë i dyshuari kryesor dhe i vetëm për vrasjen e 32 vjeçarit Jetmir Aliaj, në vendin e punës, në një kazino të Suharekës më 17 mars të këtij viti.

Polici Shefki Spahiu po akuzohet se më 17.03.2019 në Suharekë në një kazino e cila gjendet në rrugën e Reshtanit me qëllim të fitimit të dobisë pasurore me dashje dhe në mënyrë dinake privon nga jeta Jetmir Aliajn, punëtor i kazinos.

Në aktakuzë precizohen edhe veprimet e të akuzuarit Shefki Spahiu dhe lëvizjet e tij në kazino.

Aktakuza thotë se i akuzuari Shefki Spahiu shkon në kazino në ora 03:47 minuta, me automjetin e tij, dhe aty qëndron deri në ora 05:06 minuta, dhe sërish kthehet kah ora 07:35 minuta, kur viktima Jetmir e shërben me ujë dhe kafe të akuzuarin i cili ishte duke kërkuar diçka të humbur në kazino.

Sipas aktakuzës pasi që i akuzuari Shefki Spahiu qëndroi në kazino, papritur duke shfrytëzuar besimin dhe sinqeritetin e Jetmir Aliajt, në mënyrë dinake e kishte nxjerrë armën-pistoletën e markës “Glock”, të cilën e kishte të gatshme për shkrepje dhe nga një distancë 1 metër kishte shtënë një herë në pjesën ballore të kokës, duke shkaktuar vdekjen e viktimës.

Ndërsa për veprën e dytë për manipulim me prova, polici Shefki Spahiu, sipas Prokurorisë, pas kryerjes së vrasjes, kishte hyrë në dhomën ku kanë qenë të vendosura pajisjet e kamerave të kazinosë dhe kishte shkatërruar, dëmtuar dhe fshehur provat me qëllim të pamundësimit të shfrytëzimit të dëshmive në procedurë zyrtare.

Aktakuza thotë se polici kishte marrë dy shtëpiza të kompjuterit duke i larguar dhe demoluar kabllot, dy UPS, dhe të gjitha këto i kishte vendosur në bagazhin e automjetit të cilën e kishte parkuar prapa kazinos, dhe pas largimit këto dëshmi i kishte hedhur në lumin Toplluha në dalje të fshatit Nepërbisht të komunës së Suharekës.

KALLXO.com ka raportuar lidhur me vrasjen në kazino të Suharekës.

“Mbretëresha e provave” e kishte quajtur prokurori Mehdi Sefa CD-në të cilën e posedon Prokuroria si provë kryesore në këtë çështje.

https://kallxo.com/dosja-e-prokurorise-polici-dyshohet-se-qelloi-viktimen-me-arme-zyrtare-nga-1-meter-afersi/

Nga dosja e Prokurorisë dhe provat e mbledhura, prokurori i çështjes konsideron se polici ka qëlluar viktimën me armë zyrtare të Policisë nga 1 metër afërsi.

https://kallxo.com/dosja-e-prokurorise-polici-dyshohet-se-qelloi-viktimen-me-arme-zyrtare-nga-1-meter-afersi/?fbclid=IwAR2pHRXOAy1H9GDN0Zyjr0p0aDdYV_y3A3k2mDMtC7grXTONSzYCZIIn12w

Gjithashtu, Prokuroria ka gjetur se karikatorit të armës zyrtare të policit i mungonte një plumb pas vrasjes.

https://kallxo.com/prokuroria-policit-te-dyshuar-per-vrasje-i-mungonte-nje-plumb/

www.kallxo.com