Rrahet në burg ish- polici i akuzuar se vrau të riun brenda kazinos në Suharekë

Ish- polici i Kosovës, Shefki Spahiu i akuzuar për vrasjen e Jetmir Aliajt në një kazino në Suharekë, është rrahur ditë më parë nga tre persona brenda Qendrës së Paraburgimit të Pejës.

Lajmin për KALLXO.com e kanë konfirmuar edhe zyrtarë të Shërbimit Korrektues të Kosovës.

Rasim Selmanaj, Zëvendësdrejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës i ka thënë KALLXO.com se Spahiu është sulmuar mbrëmjen e 5 janarit nga tre të paraburgosur.

“Rasti ka ndodhur me datën 5 janar. Ka ndodhur një incident mes të paraburgosurve, tre të paraburgosur e kanë sulmuar personin për të cilin po pyesni. E gjitha ka ndodhur në sallën e ushqimit të përbashkët ku ushqehen të burgosurit”, tha Selmanaj për KALLXO.com.

Tutje ai tha se pas këtij veprimi Gjykata ka shqiptuar masa ndaj tre të dyshuarve për rrahje.

Tutje Selmanaj tregoi edhe se sipas raporteve mjekësore, ish-polici Spahiu ka marrë lëndime të lehta dhe jo serioze.

“I paraburgosuri ka marrë lëndime të lehta, pasi kishte filluar incidenti gardianët e kanë parë dhe menjëherë kanë reaguar dhe kanë ndaluar konfliktin”, tha ai më tutje.

Selmanaj gjithashtu tha për KALLXO.com se pas këtij rasti, Shefki Spahiu është larguar nga Qendra e Paraburgimit në Pejë dhe është dërguar në një qendër tjetër për shkaqe sigurie.

KALLXO.com mëson se deri te incidenti kishte ardhur pas  ofendimeve mes të burgosurve në Qendrën e Paraburgimit në Pejë.

Polici Shefki Spahiu ka qenë i dyshuari  i vetëm për vrasjen e 32 vjeçarit Jetmir Aliaj, në vendin e punës, në një kazino të Suharekës më 17 mars të këtij viti.

Ai po akuzohet se më 17.03.2019 në Suharekë në një kazino e cila gjendet në rrugën e Reshtanit me qëllim të fitimit të dobisë pasurore me dashje dhe në mënyrë dinake privon nga jeta Jetmir Aliajn, punëtor i kazinos.

Në aktakuzë precizohen edhe veprimet e të akuzuarit Shefki Spahiu dhe lëvizjet e tij në kazino.

Aktakuza thotë se i akuzuari Shefki Spahiu shkon në kazino në ora 03:47 minuta, me automjetin e tij, dhe aty qëndron deri në ora 05:06 minuta, dhe sërish kthehet kah ora 07:35 minuta, kur viktima Jetmir e shërben me ujë dhe kafe të akuzuarin i cili ishte duke kërkuar diçka të humbur në kazino.

Sipas aktakuzës pasi që i akuzuari Shefki Spahiu qëndroi në kazino, papritur duke shfrytëzuar besimin dhe sinqeritetin e Jetmir Aliajt, në mënyrë dinake e kishte nxjerrë armën-pistoletën e markës “Glock”, të cilën e kishte të gatshme për shkrepje dhe nga një distancë 1 metër kishte shtënë një herë në pjesën ballore të kokës, duke shkaktuar vdekjen e viktimës.

Ndërsa për veprën e dytë për manipulim me prova, polici Shefki Spahiu, sipas Prokurorisë, pas kryerjes së vrasjes, kishte hyrë në dhomën ku kanë qenë të vendosura pajisjet e kamerave të kazinosë dhe kishte shkatërruar, dëmtuar dhe fshehur provat me qëllim të pamundësimit të shfrytëzimit të dëshmive në procedurë zyrtare.

Aktakuza thotë se polici kishte marrë dy shtëpiza të kompjuterit duke i larguar dhe demoluar kabllot, dy UPS, dhe të gjitha këto i kishte vendosur në bagazhin e automjetit të cilën e kishte parkuar prapa kazinos, dhe pas largimit këto dëshmi i kishte hedhur në lumin Toplluha në dalje të fshatit Nepërbisht të komunës së Suharekës.

Dosja e prokurorisë: Polici dyshohet se qëlloi viktimën me armë zyrtare nga 1 metër afërsi

Vrasja në kazino në Suharekë, Prokuroria: Polici i dëmtoi pajisjet e kamerave