Ish-polici i dyshuar për vrasjen në kazinon e Suharekës nuk dëshiron të gjykohet në Prizren

Ish-polici, Shefki Spahiu, i akuzuar për vrasjen e një të riu në një kazino në Suharekë, ka kërkuar përjashtimin e Gjykatës së Prizrenit nga rasti i tij.

Në maj të vitit 2019, Jetmir Aliaj punëtor në Kazino, u ra në vendin e tij të punës.

Shefki Spahiu, i cili ishte pjesëtar i Policisë së Kosovës me gradë të rreshterit, po ballafaqohet me akuzat për vrasje të rëndë dhe për manipulim me prova.

Polici Spahiu po akuzohet se më 17 mars 2019 në Suharekë, në një kazino, e cila gjendet në rrugën e Reshtanit, me dashje dhe në mënyrë dinake kishte privuar nga jeta Jetmir Aliajn, punëtor i kazinosë.

Ndërsa për veprën e dytë për manipulim me prova, Prokuroria pretendon se Shefki Spahiu pas kryerjes së vrasjes kishte hyrë në dhomën ku kanë qenë të vendosura pajisjet e kamerave të kazinosë dhe kishte shkatërruar, dëmtuar dhe fshehur provat.

Për këtë vepër, i akuzuari Spahiu e kishte pranuar fajësinë qysh në seancën e parë.

Në maj të vitit 2019 Prokuroria e Prizrenit ka ngritur aktakuzën ndaj të pandehurit Shefki Spahiu.

Në mars të vitit 2020 bëhen një vit nga ngjarja e  ndodhur në Suharekë, gjykimi ka ngecur në “ hapat e parë “ dhe ende nuk kanë filluar të mbahen seancat e shqyrtimit kryesor.

Kjo pasi që të  akuzuari Shefki Spahiu i është refuzuar kërkesa për përjashtim të kryetares së trupit gjykues, tash ka paraqitur  kërkesë tjetër për përjashtim të tërësishëm të Gjykatës së Prizrenit.

Pasi që gjyqtarja Ajser Skenderi dy herë ka refuzuar kërkesën për ekzaminim psikiatrik, i pandehuri nëpërmjet mbrojtësit të tij avokatit Emrush Kastrati ka paraqitur kërkesë për përjashtim e gjyqtares Ajser Skenderi, me arsyetimin se po i mohon të drejtën për gjykim të drejtë.

Kryetari i Gjykatës së Prizrenit, Ymer Hoxha ka refuzuar kërkesën për përjashtim të kryetares së trupit gjykues, gjyqtares Ajser Skenderi.

Pas kësaj avokati Emrush Kastrati, në seancën e datës 14 shkurt ka kërkuar që kompetenca  për gjykimin e këtij rasti t’i kalojë një gjykate tjetër dhe që Gjykata e Prizrenit të mos e gjykojë këtë rast.

“ Duke pasur parasysh faktin se i akuzuari për 20 vite ka punuar si polic me pozita të udhëheqësit në Suharekë dhe Prizren, dhe për shkak të profesionit që ka ushtruar mund të jenë krijuar simpati pozitive apo negative gjatë ushtrimit të detyrave të tij “ ka thënë avokati Kastrati.

Në këto rrethana mbrojtësi i të akuzuarit ka kërkuar përjashtimin e të gjithë gjyqtarëve të Gjykatës së Prizrenit për gjykimin e kësaj çështje, por edhe përjashtimin e kryetarit të Gjykatës së Prizrenit që i njëjtit  vendos për kërkesat e të akuzuarit dhe mbrojtësit avokatit Emrush Kastrati.

“Këto kërkesa kanë për qëllim vetëm zhegitjen e procedurës, duke mos marrë parasysh fare faktin se familja e viktimës po kërkon drejtësi për djalin e tyre “ tha prokurori i rastit Mehdi Sefa.

Në këtë situatë kryetarja e trupit gjykues Ajser Skenderi ka ndërprerë të gjitha veprimet e gjykatës deri në një vendim të Gjykatës së Apelit lidhur me kërkesën për përjashtim të Gjykatës së Prizrenit.

Edhe gjatë fazës së hetimit prokurori Mehdi Sefa për KALLXO.com kishte thënë se i akuzuari Shefki Spahiu kishte kërkuar të dërgohej në ekzaminim psikiatrik.

KALLXO.com ka raportuar lidhur me vrasjen në kazino të Suharekës.

“Mbretëresha e provave” e kishte quajtur prokurori Mehdi Sefa CD-në të cilën e posedon Prokuroria si provë kryesore në këtë çështje.

Nga dosja e Prokurorisë dhe provat e mbledhura, prokurori i çështjes konsideron se polici ka qëlluar viktimën me armë zyrtare të policisë nga 1 metër afërsi.

Gjithashtu, Prokuroria ka gjetur se karikatorit të armës zyrtare të policit i mungonte një plumb pas vrasjes.

I akuzuari Shefki Spahiu  kohë më parë është rrahur nga tre persona brenda Qendrës së Paraburgimit të Pejës.

Lajmin për KALLXO.com e kanë konfirmuar edhe zyrtarë të Shërbimit Korrektues të Kosovës.

Kjo nuk është hera e parë që ish-polici Shefki Spahiu po del para gjykatës për t’u përballur me aktakuzë.

Në qershor të vitit 2016 Shefki Spahiu ishte shpallur i pafajshëm për veprën penale për keqpërdorim seksual të dy të miturave.