Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), Foto: KALLXO.com
Zyra Kombëtare e Auditimit prezanton raporte të reja për AKP-në, Komunën e Ferizajt dhe Ministrinë e Shëndetësisë
Zyra Kombëtare e Auditmit (ZKA) sot më 01.08.2024 ka prezantuar tri raporte të reja të auditimit për institucionet, si: Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), Komuna e Ferizajt, si dhe Ministria e Shëndetësisë.
Në një konferencë për media të Auditores së Përgjithshme, Vlora Spanca, u bë e ditur se te AKP-ja është bërë auditimi i performancës “Vlerësimi i Procedurave të Shitjes Direkte të Aseteve nën menaxhimin e AKP-së për periudhën 2019-2021”; për Komunën e Ferizajt është bërë auditimi i pajtueshmërisë “Dhënia në shfrutëzim e pronave komunale dhe monitorimi i tyre për periudhën 2022 deri shtator 2023”; si dhe te Ministria e Shëndetësisë është bërë auditimi i “Prokurimi dhe menaxhimi i kontratave për vitin 2023”.
Te AKP-ja, Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se gjatë përmbylljes së shitjeve direkte të aseteve, AKP nuk ishte treguar efikase, pasi që sipas ZKA-së, trajtimi i kërkesave për blerje nuk ishte bërë në kohë optimale.
“Dobësi kishte edhe procesi i kategorizimit të aseteve të klasifikuara për shitje direkte, është evidentuar se nuk ishte bërë parcelimi si duhet i tokave për shitje dhe në vitet e fundit kategoria e vetme të cilës i ishin shqyrtuar kërkesat për blerje ishin ekonomitë familjare (persona fizik)” – ka thënë auditorja Spanca.
Auditimi ka evidentuar se nga 188 shitjet direkte të audituara, tek 90 prej tyre kishte ndërtime pa lejen e ndërmarrjeve shoqërore përkatëse ose të AKP-së.
Sipas ZKA-së, nga 90 mostrat e identifikuara me ndërtime pa leje, në 76 raste AKP apo ndërmarrja shoqërore nuk kishin marrë masa për të parandaluar ndërtimet pa leje.
Auditori ka gjetur edhe vonesa në trajtimin e kërkesave për shitje direkte. Sipas ZKA-së, ka raste kur afati kohor për përbyljjen e një procedure të shtijes ka zgjatur deri në 9 vite.
“Ndërkohë që mesatarisht, AKP kishte përmbyllur procedurën e shitjes deri te nënshkrimi i kontratës për një afat kohor rreth 43 muaj apo rreth katër vite” – ka thënë ndër të tjera Spanca.
Te auditimi i bërë për Komunën e Ferizajt për dhënien në shfrytëzim të pronave, auditori ka gjetur se kjo komunë nuk kishte arritur të ruaj dhe të rrisë vlerën e pronave të dhëna me qera.
Sipas ZKA-së, në rreth 66% të mostrave të testuara kanë rezultuar me parregullsi.
“Në 2 raste, komuna kishte shpërblyer me kontratë përfituesit që nuk i kishin përmbushur kriteret e vendosura në thirrjen publike me ankand. Nuk kishin dorëzuar dëshminë mbi numrin aktual të punësuarve, nuk kishin bërë pagesën e qirasë për 3 tre muaj paraprakisht, si dhe nuk kishte dorëzuar polisë të sigurimit të kontratës të kërkuar me thirrje publike” – ka thënë Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca para gazetarëve.
Kurse në shtatë raste të tjera, sipas ZKA-së, Komuna e Ferizajt nuk kishte siguruar mekanizma për monitorimin e kontratave dhe nuk kishte marrë veprime për shkëputjen e kontratave të qiramarrësve në rast moskryerjes së obligimeve që rrjedhin nga kontrata.
Te Ministria e Shëndetësië, Spanca tha se në fokus kanë qenë proceset e prokurimit në vitin 2023, duke përfshirë planifikimin, procedurat e prokurimit, si dhe menaxhimin e kontratës.
Procesiet e audituara kanë qenë kryesisht për kategorinë Mallra dhe Shërbime dhe Investime Kapitale.
Sipas ZKA-së, buxheti i vitit 2023 për Ministrinë e Shëndetësisë për këto dy kategori ishte rreth 61 milionë euro, përderisa ishin shpenzuar mbi 27 milionë apo vetëm 44%.
“Rezultatet e auditimit kanë identifikuar mangësi nga faza e planifikimit të prokurimit e deri të monitorimi i tyre. Ndër të tjera, Ministria e Shëndetësisë nuk ka arritur që një numër të rëndësishëm të prokurimeve të planifikuara t’i kontraktoj” – ka thënë Spanca.
Sipas saj, proceset e prokurimit për projekte kapitale të vitit 2023 kishin filluar kryesisht me vonesa, për shkak që përgatitket e duhura nuk ishin kryer me kohë.
“Po ashtu, disa nga këto aktivitete të prokurimit ishin vonuar edhe më shumë si rezultat i ankesave në OSHP nga ana e Operatorëve Ekonomikë” – ka thënë Spanca.
Në lidhje me këto gjetje, për Ministrinë e Shëndetësisë janë dhënë pesë rekomandime, për Komunën e Ferizajt po ashtu pesë, kurse për AKP-në janë dhënë shtatë rekomandime nga ana e ZKA-së.