Spital

Auditori: SHSKUK nuk aplikoi penalti ndaj kompanive që vonuan dorëzimin e aparaturave mjekësore deri në 52 ditë

Vonesa në liferimin e disa aparaturave mjekësore dhe zgjatje të paautorizuar të afateve për dorëzimin e tyre, ka evidentuar Zyra Kombëtare e Auditimit në raportin e auditimit për Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës për vitin 2025.

Sipas raportit të auditimit, në katër blerje të aparaturave mjekësore në vlerë të përbashkët prej 927 mijë euro janë evidentuar vonesa në liferim (dorëzim) të mallrave. Këto vonesa variojnë nga 3 ditë në 52 ditë.

Përkundër këtyre vonesave, ZKA thotë se nuk kanë gjetur dëshmi se janë aplikuar penaltitë e parapara me kontratë.

Afatat e zgjatjes së kohës së liferimit ishin aprovuar nga menaxherët e kontratave pa marrë aprovimin e Zyrtarit Kryesor Administrativ.

ZKA ka theksuar se kjo ka ndodhur si rezultat i mosrespektimit të procedurave të përcaktuara për ndryshime kontraktuale dhe mungesës së monitorimit efektiv të zbatimit të kontratave.

“Vonesat në liferimin e mallrave kanë ndikuar në mosrealizimin me kohë të aktiviteteve dhe projekteve të SHSKUK-së ndërsa ndryshimi i kushteve kontraktuale pa autorizime të duhura cenojnë transparencën dhe menaxhimin e rregullt të kontratave”- thuhet në raportin e ZKA-së.

Zyra Kombëtare e Auditimit ka rekomanduar që bordi drejtues dhe drejtori i përgjithshëm duhet të sigurojnë forcimin e kontrolleve të brendshme dhe monitorim sistemit të zbatimit të kontratave si dhe në rast të vonesave të sigurohet aplikimi i penaltive.

Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës ka pranuar opinion të kualifikuar në raportin e auditimit të pasqyrave financare për vitin 2025.

Auditori jep opinion të kualifikuar kur pasqyrat financiare nuk janë në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare.

Raporti i ZKA-së për SHSKUK-në i vitit 2025 ka rezultuar me 12 rekomandime, prej tyre pesë të reja dhe shtatë rekomandime të përsëritura.

Raporti i auditimit për vitin 2024 kishte rezultuar me nëntë rekomandime, dy prej të cilave janë zbatuar ndërsa për 7 të tjera nuk ka nisur zbatimi.

Të hyrat e realizuara nga SHSKUK në 2025 ishin në vlerë 3,123,932 euro. Ato kanë të bëjnë me të hyrat nga participimi, certifikatat mjekësore, parkingu, etj.

Raportin e plotë të auditimit të SHSKUK-së mund ta gjeni KËTU.