Zjarrëfikësit e Prishtinës të rrezikuar e në kushte të mjera pune

E nisin ditën të gatshëm që t’i dalin ballë zjarrit.

Megjithatë, pa pasur kohë të mendojnë shumë për rreziqet e punës, zjarrfikësit në Prishtinë preokupohen me pajisjet e këqija, pagat e vogla e madje edhe objektin që pikon ujë.

Vesel Berisha është zjarrfikës në komunën e Prishtinës që 10 vite.

Në një intervistë për KALLXO.com, Berisha tregon sfidat që i ka ky profesion në Kosovë.

“Probleme kemi të natyrave të ndryshme, probleme në pajisje, probleme teknike, probleme financiare, qito janë që.. Mirëpo kemi probleme edhe këtu ku banojmë, objektin ku rrimë. Ky objekt është bërë sikur ‘Ura e Shejtë’, që prej se ka qenë Isa Mustafa, ka piku këtu. Tani është mundu Shpend Ahmeti në mandatin e parë me bo renovime, apet nuk ka bo asgjë. Një shi me ra, po na bjen nëpër dhoma. Po rrjedh uji sikur me qenë lum”, ka thënë Berisha.

Berisha thotë se edhe uniformave të tyre u ka kaluar afati ndërsa qëndrojnë keq me pajisjet e nevojshme për punë.

“Mungesë të uniformave kemi, faktikisht këto uniforma që i kemi i ka kaluar afati që dy vite, me sa e di unë. Ato paisje që i kemi, me ato punojmë. Ne nuk mundemi me thënë që nuk kemi pajisje, krahasim me tjera komuna kemi, por krahasim me shtetet tjera ne jemi zero”, ka thënë Berisha.

Ali Haziri është një tjetër zjarrfikës që këtë profesion e bën që rreth 16 vjet. Ankesa e tij më e madhe është paga.

Për momentin problemi më i madh është paga, të ardhurat personale fillimisht janë të rënda tani fillojmë me kushte të punës.  Duke u nisë, kushtet e punës, duke u nisë nga ajo me rend, së pari shteti duhet të kujdeset për kushtet tona. Faktikisht për momentin në pyetje është paga. Ne pagat i kemi marrë prej komunës, por tash ne nuk e dimë as a jemi me agjension, a jemi me komunë, a me kon jemi, nuk ka kurrfarë përgjigje, absolut nuk e dimë”, ka deklaruar Haziri.

Zjarrfikësit nga periudha e pasluftës nuk kanë një status të definuar. Sipas Ligjit, ata janë punëtorë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, ndërsa pagat i marrin nga komunat.

Këto të fundit, nuk kanë parashikuar një buxhet për pajisje apo derivate për zjarrfikësit për vitin 2020.

Muharrem Beka, Kryetari i Sindikatës së Zjarrfikësve ka folur për problemet me statusin e këtyre punëtorëve.

“Zjarrfikësit me thënë të drejtën e kanë një mal me probleme, së pari zjarrfikësit nuk kanë status të definuar, janë shërbyes civil. Mandej, pa kompetenca të padefinuara menaxhuese, nuk e dimë a jemi punëtorë të komunës apo të ministrisë, kërkush nuk e merr përgjegjësinë. Pa pajisje personale, pa kushte të punës, me automjete të stërvjetëruara, numri i vogël i zjarrfikësve, mosha mesatare mbi 48 vjet”, ka thënë Beka.

Datë të saktë të zgjidhjes së problemit nuk ka dhënë as Ministria e Punëve të Brendshme.

“Në vazhdimësi nga fillimi i këtij procesi, Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave ka bërë përpjekje maksimale për zgjidhjen e këtij problemi kur dihet që njësitë profesionale në fjalë bazuar në Ligjin Për Zjarrfikës dhe Shpëtim, respektivisht nenit 7…janë staf i ministrisë dhe menaxhohen nga agjencia në bashkëpunim dhe koordinim me komunat. Njësitë profesionale do të vazhdojnë t’i marrin pagat nga niveli lokal deri sa të bëhet bartja e buxhetit për paga nga niveli lokal në atë qendror për këtë kategori”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.