Zjarrfikësit e Kosovës, Foto: KALLXO.com

Zjarri që përfshiu një banesë në Ferizaj, tre zjarrfikës u asfiksuan

Tre zjarrfikës janë lënduar mbrëmë gjatë intervenimit në një banesë kolektive në Ferizaj, e cila u përfshi nga zjarri.

Zymri Krasniqi, komandant i zjarrfikësve në këtë qytet ka thënë se ndonëse intervenimi ka qenë i shpejt, lokalizimi i zjarrit ka zgjatur deri pas mesnate.

“Mbrëmë (12.02.2024) rreth orës 22:33 minuta zjarrfikësit në Ferizaj janë njoftuar për një zjarr në një banesë kolektive diku 7-10 katëshe në qendër të qytetit, në rrugën dëshmorët e kombit. Shumica e banorëve janë evakuuar vet por ata që s’kanë mundur janë ndihmuar nga zjarrfikësit. Edhe vet këta të fundit kanë pësu lëndime dhe kanë pranuar trajtim mjekësor. Prej zjarrfikësve janë asfiksu tre persona, mirëpo një ka qenë në gjendje më të rëndë por është mirë me shëndet”- ka thënë Krasniqi.

Krasniqi ka shprehur shqetësimin e tij rreth mungesës së shkallëve emergjente që shumë ndërtesa nuk i posedojnë.

“Kjo ka shkaktuar telashe shumë të mëdha se po të kishte shkallë emergjente puna do të ishte më e lehtë dhe zjarri do të lokalizohej më shpejtë, qytetari do të largohej po ashtu shumë shpejtë. Mbrëmë ka qenë sakrificë e zjarrfikësve intervenimi dhe treguan se qysh mbrohet qytetari, e kanë dhënë maksimumin e tyre sepse aty ka pasur ndezje të kabllove e monokside të ndryshme kështu që kanë arritur t`i tërheqin shumë banorë”- tha tutje Krasniqi.

Dhjetë persona kanë pësuar lëndime trupore si pasojë e një zjarri që ka përshirë një ndërtesë kolektive të dielën më 12.02.2024 në Ferizaj. Të njëjtit kanë marrë trajtim në Kliniken Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Nga QKUK kanë konfirmuar për KALLXO.com se pas ekzaminimeve pacientët janë liruar për në shtëpi.

“Disa persona kanë kërkuar mbrëmë ndihmë mjekësore në Klinikën Emergjente, të njëjtit pasi kanë marr ndihmën mjekësore dhe ekzaminimet e nevojshme, janë liruar në shtëpi”- thuhet në përgjigjen e QKUK-së.

QKUK jep detaje për të lënduarit nga zjarri në Ferizaj