Zëvendëskryeministri Tahiri nuk flet për masat e karantinës në veri të Kosovës

Zëvendëskryeministri i Kosovës nga radhët e Listës Serbe, njëherësh ministri i Pushtetit Lokal, Goran Rakiq përmes një konference për media sonte shpalli karantinën në komunat e veriut të Kosovës.

Por lidhur me këtë temë nuk ka pranuar të flasë zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Tahiri, i cili tha shkurt për KALLXO.com se nuk flet për pandeminë.

“A ke ndonjë pyetje për ligjin e pagave, të përgjigjem 24 orë. Mua mos më thirr, ministrin e Shëndetësisë e thërret për pandemi, unë nuk flas. Flas për ndonjë pyetje për ligj të pagave”, tha Tahiri.

Fillimisht KALLXO.com kishte kontaktuar ministrin e Shëndetësisë Armend Zemaj për ta pyetur nëse qeveria ka vendosur ndonjë masë për COVID-19 në veri të vendit, por i njëjti nuk ka qenë i qasshëm.

KALLXO.com i ka dërguar edhe pyetje me shkrim Zemajt, por nuk ka pranuar përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli.

Ndërkaq, në Klan Kosova Zemaj ka theksuar se është i njoftuar me vendimin e zëvendëskryeministrit Rakiq.

“Jam i njoftuar dhe jemi duke e menaxhuar atë situatë. Është komunikim që është duke u bërë tash në orët e vona. Edhe Ministria e Punëve të Brendshme, edhe kryeministri, edhe akterë të tjerë”, tha ministri.

Me vendimin e fundit të Qeverisë së Kosovës, në karantinë nga ora 21:00 deri në 05:00 janë Prishtina, Prizreni, Ferizaj dhe Vushtrria, por jo edhe komunat në veri të vendit.

Zv/drejtori i Policisë për Rajonin e Mitrovicës së Veriut: Nuk kemi asnjë vendim të Qeverisë për kufizim të lëvizjes

.