Vendi ku ndodhi vrasja në Prishtinë më 26.03.2024

A janë të njohur për organet e rendit të përfshirët në vrasjen në Prishtinë? - Flet kryeprokurori

Dy persona të dyshuar, Ahmet (Ali) Berisha dhe Naim (Ali) Berisha, janë në kërkim të Policisë së Kosovës pas konfliktit me armë zjarri që ndodhi mbrëmë, më 26.03.2024, në Prishtinë, konflikt që përfundoi me dy persona të vrarë.

Zejnullah Gashi, kryeprokuror i Prishtinës, në një intervistë për KALLXO.com ka treguar nëse personat e përfshirë në rast janë të njohur për organet e rendit.

“Sipas informatave të para disa prej tyre kanë aktakuza të ngritura, të cilat janë edhe në cilësinë e të pandehurit, por në disa raste edhe si të dëmtuar” – tha shkurtimisht kryeprokurori.

Një numër i konsiderueshëm i veprimeve hetimore janë ndërmarrë nga Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë e Prishtinës për hetimin e konfliktit me armë zjarri që ndodhi mbrëmë, më 26.03.2024, në kryeqytet. Dy persona mbetën të vrarë në këtë incident.

Kryeprokurori i Prishtinës, Zejnullah Gashi, në një intervistë për KALLXO.com ka treguar se cilat veprime hetimore janë ndërmarrë deri më tani për të zbardhur sa më shumë detaje të asaj që ndodhi mbrëmë.

Sipas Gashit, bastisje në shtëpitë e të pandehurve e në objekte të tjera ku dyshohet se mund të kenë ikur të dyshuarit janë kryer mbrëmë, më 26.03.3034, e sot, më 27.03.2024.

Gashi tutje tregoi se përpos bastisjeve, hetuesit e angazhuar në këtë rast janë duke kontrolluar edhe kamerat e sigurisë nga rrugët ku mund të kenë kaluar personat e dyshuar.

“Është angazhuar një numër i konsiderueshëm, i madh i policëve, edhe në bastisje edhe te kontrolli i veturave, është duke u bërë një numër i madh i kontrolleve e edhe i kamerave të sigurisë nga rrugët ku mund të kenë të kaluar të pandehurit dhe këto janë në fazën fillestare dhe për momentin nuk mund të jap detaje të tjera për hetime” – tha kryeprokurori për KALLXO.com.

Ai tha se në mesin e njësive të shumta policore që janë angazhuar në hetimin e këtij konflikti është angazhuar edhe Njësia Speciale e Policisë së Kosovës.

Nga hetimet e para që janë kryer është zbuluar se në rast janë përdorur armë të gjata e të shkurta.

Kryeprokurori tha se në vendin e ngjarjes hetuesit kanë arritur të gjejnë gëzhoja të plumbave që u takojnë armëve të gjata dhe të shkurta.

Ai tregoi se hetimet për këtë rast janë duke vazhduar për të zbardhur rrethanat e këtij rasti e edhe për të arrestuar dy personat e dyshuar, të cilët tashmë janë identifikuar.

Dyshohet se në këtë rast me armë zjarri u përleshën dy grupe.

Një burrë vdiq mbrëmë në vendin e ngjarjes dhe një grua tjetër vdiq sot në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës si pasojë e këtij incidenti.

Policia e Kosovës ka konfirmuar se viktima Z.G. 48-vjeçare është qëlluar nga arma e zjarrit derisa ndodhej në automjet pranë shtëpisë së saj,  dhe nuk ishte e pjesë e palëve të përfshira në rast.

“Në këtë rast katër persona kanë marrë lëndime nga arma e zjarrit (dy nga ta lëndime të rënda), ndërsa një person tjetër ka pësuar lëndime nga goditja e njërit prej automjeteve të përfshira në rast” – thuhet në njoftimin e Policisë më 27.03.2024.

Sipas Policisë, janë në kërkim të dy personave të dyshuar të cilët tashmë janë identifikuar nga ana e forcave të rendit, ndërsa siç mësohet dy persona të tjerë janë ndaluar për këtë rast.

Policia ka publikuar fotografitë e dy të dyshuarve dhe ka kërkuar ndihmën e qytetarëve për të zbuluar vendndodhjen e tyre.

Njësia Speciale e Policisë, e angazhuar në hetimet për vrasjen në Prishtinë