Vrasja në Ferizaj, 21-vjeçarja e vrarë dhe i dyshuari kanë një fëmijë 1-vjeçar

21-vjeçarja e vrarë në Ferizaj te objekti i Qendrës për Punë Sociale dhe i dyshuari për vrasjen, ish-bashkëshorti i saj 36-vjeçar, sipas burimeve të KALLXO.com kanë një fëmijë 1-vjeçar.

Sipas ekipit të KALLXO.com që po raporton nga vendi i ngjarjes, trupi i 21-vjeçares së vrarë është tërhequr nga vendi i ngjarjes dhe është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore. IML dhe Forenzika janë larguar nga objekti i Qendrës për Punë Sociale në Ferizaj, ku u vra 21-vjeçarja dhe u plagos vëllai i saj 15-vjeçar.

Sipas ushtruesit të detyrës së drejtorit të Spitalit të Ferizajt, Fikret Arifi i plagosuri është jashtë rrezikut për jetë, ndërsa 21-vjeçarja u gjet pa shenja jete në vendngjarje.

I dyshuari, 36-vjeçari Valon Aliu, i cili është ish-bashkëshorti i viktimës, tashmë i arrestuar, sipas policisë fillimisht ishte larguar në drejtim të panjohur.

Sipas informacioneve të KALLXO.com, dyshohet se gjatë një takim në mes dorasit dhe viktimës në QPS, ai ka shkrepur armën në drejtim të viktimës dhe për pasojë ajo ka vdekur, ndërsa një person tjetër që mbeti i plagosur, është duke u trajtuar në Spitalin e Ferizajt.

Po ashtu, ekipet e sigurisë e kanë rrethuar QPS-në, pra janë disa njësi të Policisë, të cilët e kanë siguruar perimetrin në të gjitha anët e QPS duke mos lënë askënd që të futet brenda këtij perimetri, në mënyrë që të merren të gjitha provat materiale, të cilat mund të jenë në vendin e ngjarjes ku ndodhi vrasja.

Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, është shprehur i tronditur në lidhje me vrasjen e 21-vjeçares dhe plagosjen e një 15-vjeçari në Ferizaj. 

Edhe sipas Aliut viktima dhe dorasi po merrnin shërbime në QPS.

“Të tronditur thellë, morëm lajmin se pak minuta më parë, një bashkëqytetare e jonë është qëlluar për vdekje nga ish bashkëshorti i saj derisa dorasi ka plagosur edhe vëllain e viktimës. Viktima dhe dorasi po merrnin shërbime pranë Qendrës për Punë Sociale në Ferizaj, derisa dorasi ka shtënë mbi viktimën dhe vëllain e saj si dhe ka kërcënuar me armë edhe punonjësen e këtij institucioni” – ka shkruar Aliu, në profilin e tij në Facebook,më 12.04.2024.

Lidhur me arrestimin e të dyshuarit nga Policia, Aliu ka përgëzuar Policinë e vendit dhe pret që institucionet e drejtësisë t’i japin dënimin e merituar të dyshuarit.

E tronditur me këtë rast është shprehur edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila tha se ky krim duhet të marrë dënim maksimal.

Ndërsa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se e dënon ashpër këtë krim që po përsëritet.

“Nuk kemi pse presim që t’i dijmë detajet: e dënojmë ashpër këtë krim që po përsëritet. Edhe një grua e vrarë mizorisht nga tyta e armës që ekzekuton nga afërsia. Një grua e Kosovës e vrarë nga një vrasës burrë. Zemërimi dhe neveria bëjnë garë përbrenda secilit qytetar të Kosovës sot. Qytetarja e shtetit tonë të pavarur në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj u qëllua për vdekje” – ka shkruar kryeministri Kurti, në profilin e tij në Facebook më 12.04.2024.