Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Vrasja në Ferizaj, Agim Aliu i shpreh ngushëllime familjarëve të 21-vjeçares

Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, është shprehur i tronditur në lidhje me vrasjen e 21-vjeçares dhe plagosjen e një 15-vjeçari në Ferizaj. 

I dyshuari tashmë i arrestuar, sipas policisë fillimisht ishte larguar në drejtim të panjohur. I dyshuari është ish-bashkëshorti i viktimës, ndërsa i plagosuri vëllai i viktimës.

Sipas ushtruesit të detyrës së drejtorit të Spitalit të Ferizajt, i plagosuri është jashtë rrezikut për jetë, ndërsa 21-vjeçarja u gjet pa shenja jete në vendngjarje.

Drejtoresha e Qendrës për Punë Sociale në Ferizaj, Adelina Rexhepi, e ka konfirmuar për KALLXO.com se vrasja ka ndodhur para objektit të këtij institucionit.

Edhe sipas Aliut viktima dhe dorasi po merrnin shërbime në QPS.

“Të tronditur thellë, morëm lajmin se pak minuta më parë, një bashkëqytetare e jonë është qëlluar për vdekje nga ish bashkëshorti i saj derisa dorasi ka plagosur edhe vëllain e viktimës. Viktima dhe dorasi po merrnin shërbime pranë Qendrës për Punë Sociale në Ferizaj, derisa dorasi ka shtënë mbi viktimën dhe vëllain e saj si dhe ka kërcënuar me armë edhe punonjësen e këtij institucioni” – ka shkruar Aliu, në profilin e tij në Facebook,më 12.04.2024.

Lidhur me arrestimin e të dyshuarit nga Policia, Aliu ka përgëzuar Policinë e vendit dhe pret që institucionet e drejtësisë t’i japin dënimin e merituar të dyshuarit.

“Dorasi është arrestuar nga Policia e Kosovës në Ferizaj, ku me këtë rast i përgëzojmë për efikasitetin e lartë, njëlloj edhe ekipet shëndetësore për reagimin e shpejt e profesional. Presim nga institucionet e drejtësisë që pas hetimeve, me forcën e ligjit t’i japin dënim meritor dorasit” – ka theksuar Aliu.

Si përfundim, i pari i qytetit të Ferizajt, i ka shprehur ngushëllime familjes së prekur nga ky rast.

“Sot, të gjithë të tronditur bashkëndjejmë me familjen e viktimës! Ngushëllime të sinqerta familjes së viktimës dhe urojmë shërim të shpejt për të plagosurin!” – ka përfunduar Aliu.

V.A. është i dyshuari për vrasjen e ish-bashkëshortes së tij. Siç mëson KALLXO.com çifti ishin të ndarë, ndërsa nuk ka ende të dhëna nëse në dhomën e objektit të Qendrës për Punë Sociale ka qenë edhe ndonjë punëtor social.

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka konfirmuar se një grua është vrarë në Ferizaj.

Dyshimet e prokurorisë janë se autori i vrasjes është ish-bashkëshorti i viktimës.