Vrasja në Dragash - E akuzuara pranon se e goditi dy-tri herë me mjet të fortë, por mohon se e mbyti kunatën

Nazire Abdyli është deklaruar e pafajshme në lidhje me akuzën e vrasjes së kunatës së saj, Saime Domozeti, në fshatin Kuk të Dragashit. Ndërkaq, dëshmitari Selam Abdyli, vëllai i viktimës ka deklaruar se motra e tij nuk është trajtuar mirë.

Saime Domozeti 67 – vjeçare dyshohet se u godit me mjete të forta të cilat sipas Prokurorisë edhe i kanë shkaktuar edhe vdekjen.

Rasti ka ndodhur më datë 23 dhjetor 2022, rreth orës 10:00, derisa e ndjera ishte e shtrirë në njërën nga dhomat e shtëpisë.

Sipas aktakuzës, e dyshuara e mllefosur për shkak të papastërtisë së viktimës e cila ishte e shtrirë në një dhomë të shtëpisë me një dru ahu, me një pjesë të laminatit dhe me një dërrasa të llamperisë e godet në pjesë të ndryshme të trupit dhe fytyrë duke i shkaktuar gjakderdhje në tru.

Lidhur me këtë, të premten, Nazire Abdyli pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Ervehe Gashi ka dhënë versionin e saj.

“Veprën unë e kam pranu që më ka ra prej duarve, por me rreh unë nuk e kam rreh shumë, veç dy herë. I kam ra qetu dy herë, lëndime të lehta, për mos me u çu ajo prej vendit.. Po e pranoj që e kam rreh, që i kam ra dy-tri herë, por jo për me pranu që e kam myt ose që i kam ra në kry” – ka thënë e akuzuara Abdyli.

Në këtë seancë ka dëshmuar edhe vëllai i viktimës, i dëmtuari Selam Abdyli.

Abdyli ka deklaruar se motra e tij, tanimë e ndjerë ka jetuar bashkë me viktimën por asaj gjithmonë i ka munguar ushqimi dhe pastërtia.

“Çdo herë ka marr social, ndërsa bukë i kanë dhënë sa me mbajt shpirtin” – tha Abdyli.

I dëmtuari ka pohuar se e akuzuara Nazire Abdyli i kishte kërkuar ndihmë për t’u kujdesur për motrën e tij 2-3 muaj para se të ndodhte rasti.

“Është e vërtetë se ka kërkuar ndihmë 2-3 muaj para rastit, por unë derisa jam marr vesh me djemtë atëherë u bo vonë, ka ndodhë rasti” – tha i dëmtuari.

I dëmtuari më tej ka përshkruar se edhe pse ka qenë e sëmurë e ndjera asnjëherë nuk ishte vizituar nga mjeku.

“Prej pas luftës gjendja e saj shëndetësore ka qenë e dobët, gjithmonë është ankuar por asnjëherë nuk ka qenë tek mjeku. Deri para pesë viteve kam shkuar në vizitë, ajo ka qenë e lëvizshme, por pas vdekjes së vëllait nuk kam shkuar në vizitë dhe nuk e dimë në çfarë gjendje ka qenë” – deklaroi i dëmtuari Abdyli.

I dëmtuari gjithashtu konfirmoi deklaratën e dhënë në Prokurori se kishte dëgjuar nga fqinjët se Saimja ishte rrahur nga e pandehura Nazire, djali i saj Jetoni dhe bashkëshortja e tij.

Në sallë, ishte edhe djali i të pandehurës, Jeton Abdyli, duke dëgjuar deklaratat. Ai shpjegoi se nuk kishte marrë ftesë zyrtare për të qenë aty, por ishte ftuar nga avokati, Besim Morina.

“Nuk kam pasur ftesë për sot, por më ka ftuar avokati dhe më ka konfirmuar se sot mbahet gjykimi ndaj nënës dhe tërë kohën kam qenë në sallë” – tha Jeton Abdyli.

I njëjti nuk ishte larguar nga salla. Kryetarja e trupit gjykues, Raima Elezi e konstatoi në procesverbal se dëshmitari kishte qenë i pranishëm në sallë.

Seanca e radhës u caktua për më 18 tetor 2023.

Sipas Prokurorisë, Nazire Abdyli akuzohet se më 23 dhjetor 2022, me dashje ka privuar nga jeta anëtarin e familjes – motrën e bashkëshortit, me të cilën ka jetuar në ekonomi të përbashkët familjare.

Në aktakuzë thuhet se e mllefosur për shkak të papastërtisë së viktimës, Saime Domazeti, e cila ishte e shtrirë në dhomën e katit të dytë të shtëpisë së të pandehurës Nazire Abdyli, në fshatin Kuk  të Dragashit, me një dru të ahut të gjatë 25 cm dhe trashësi 4×2.5 cm, me një pjesë të laminatit, me ngjyrë të bardhë, me gjatësi 87 cm dhe trashësi 4×1.2 cm dhe një copë dërrase të llamperisë në gjatësi 78 cm dhe trashësi 1.2×10 cm, e godet disa herë viktimën në të gjitha pjesët e trupit dhe së fundmi në pjesën e majtë të fytyrës duke i shkaktuar gjakderdhje në tru.

Si pasojë e këtij lëndimi, më 26 dhjetor 2022 Saime Domazeti ka vdekur.

Me këto veprime, Nazire Abdyli po akuzohet se ka kryer veprën penale – vrasje e rëndë.

65-vjeçarja ishte arrestuar më 27 dhjetor 2022.

KALLXO.com ka raportuar edhe më parë për këtë ngjarje ku e dyshuara në seancën e paraburgimit e ka pranuar se e ka goditur për vdekje motrën e bashkëshortit.

Raportimet e KALLXO.com mund t’i lexoni në këtë LINK.