Vjosa Osmani shpjegon idenë e saj për qeveri transitore me ministra teknikë

Nesër pritet të mbahet seanca për votimin e qeverisë së re të Avdullah Hotit të LDK-së.

E nënkryetarja e kësaj partie, e cila është edhe kryetare e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se zgjidhja më e mirë në këtë moment do të ishte unifikimi i skenës politike rreth një figure apartiake në mënyrë që qeveria e re të mos varet nga votat e Listës Serbe.

Ajo, ka përsëritur edhe njëherë, se zgjedhjet e reja do të legjitimonin institucionet e reja.

Osmani ka thënë për KALLXO.com se në këtë moment për Kosovën, opsioni më i mirë do të ishte “një qeveri transitore me mandat 6-9 muajsh, e drejtuar nga një figurë unifikuese dhe me ministra teknikë”.

“Një ide e tillë do të funksiononte vetëm nëse do të pajtoheshin të gjithë sepse do të kërkonte konsensus rreth një figurë unifikuese jopartiake. Pra që nuk varet nga Lista Serbe dhe parandalon agjendën për ndryshim kufijsh. Prandaj interpretimet tendencioze se kjo është kundër dikujt nuk qëndrojnë. Unifikimi asnjëherë nuk e ka dëmtuar Kosovën por vetëm e ka shtyre përpara atë”, ka thënë Vjosa Osmani në një përgjigje për KALLXO.com.

“Për më tepër e kam sqaruar që vazhdoj të mendoj që vetëm zgjedhjet i risjellin institucioneve legjitimitet”, ka thënë tutje ajo.

E para e legjislativit kosovar ishte kundër rrëzimit të Qeverisë së Albin Kurtit. Ajo, ishte edhe kundër dekretit të Presidentit Thaçi, i cili kërkoi që Avdullah Hoti ta formojë ekzekutivin e ri në vend.