Vizita e Dritan Abazoviqit në Kosovë, do të bllokohen disa rrugë përkohësisht

Policia e Kosovës ka njoftuar se nga sot deri më 15 prill, në Kosovë do të qëndrojë për vizitë kryeministri i Republikës së Malit të Zi, Dritan Abazoviq, së bashku me një delegacion.

Me këtë rast Policia ka njoftuar se në intervale të shkurtra kohore do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut në disa segmente rrugore ku pritet të kalojë eskorta.

Po ashtu, Policia ka njoftuar se ndërprerje të qarkullimit të trafikut në intervale të shkurta kohore do të ketë edhe në lokacione të caktuara ku parashihen të realizohen vizitat e që ndërlidhën me rrugë që shpien në drejtim të institucioneve shtetërore.

“Për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës zyrtare nën përcjellje dhe sigurim sipas itinerarit të lëvizjes, Policia e Kosovës do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut (në intervale të shkurta kohore), të disa segmenteve rrugore ku pritet të kalojë eskorta, si dhe në lokacione të caktuara ku parashihen të realizohen vizitat e që ndërlidhën me rrugë që shpien në drejtim të institucioneve shtetërore” – është bërë e ditur në njoftim.

Policia ka theksuar se në disa segmente rrugore do të ketë ndërprerje të qarkullimit të automjeteve dhe se do të ketë riorientim të trafikut në rrugë alternative.

Në lidhje me këtë, Policia ka kërkuar mirëkuptim nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik.