VIDEO - Prokurori i rastit: KFOR nuk ka ofruar ende prova për sulmet ndaj tyre në protestën në Zveçan

Millun Millenkoviq i njohur si Llune u arrestua sot nga Policia e Kosovës. Ai dyshohet se ka sulmuar zyret e Komisionit Komunal Zgjedhor, KKZ në dhjetor të vitit të kaluar në veri.

Prokurori i Prokurorisë Speciale, Afrim Shefkiu ka thënë se në Milenkoviq dyshohet të jetë i përfshirë edhe në sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it që ndodhen në fillim të këtij muaji.

Shefkiu ka thënë për KALLXO.com kanë kërkuar bashkëpunim me KFOR-in për ofrimin e provave për sulmin ndaj pjesëtarëve të KFOR-it nga protestuesit në veri, por që deri më tani ata nuk kanë ofruar asgjë.

“Fillimisht bashkëpunim ka qenë më i zbehtë. Kemi kërku nga njësitet e KFOR-it me i prezentu me na i ofru provat që i kanë, që ka pjesëtarë të KFOR-it të lënduar, ato raporte ato të dhëna me na i prezentu neve”- tha ai.

Prokurori ka thënë për KALLXO.com se i arrestuari sot është i përfshirë në sulmin ndaj zyrave të KKZ-së bashkë me Dejan Pantiq i cili u arrestua nga Policia në dhjetor.

“Personi, Millun Milekoviq është arrestu sot në ora 12:00 për shkak të veprës penale “sulmit terrorist” që ka ndodh në dhjetor të vitit të kaluar në zyrat e KKZ-së i implikuar me disa persona të tjerë si rasti “Pantiq” dhe të tjerë. Dyshohet edhe për këto vepra penale, natyrisht që Policia janë duke punuar në atë drejtim, në sigurimin e provave. Është rast i veçantë por provat do të sigurohen nga Policia e Kosovës që ka qenë i implikuar në sulmet ndaj KFOR-it”- tha Shefkiu për KALLXO.com

Prokurori Shefkiu tha se kanë siguruar prova që implikojnë Milun Milekoviqin në “sulmin terrorist” ndaj zyreve të KKZ-së, duke përmendur komunikimet që ka bërë Milekoviq dhe prova ku shihet prezenca e tij  në vendin ku ka ndodhur sulmi.

Shefkiu bëri të ditur se Milekoviq ka shfrytëzuar të drejtën e tij për tu mbrojtur në heshtje në prezencë të avokatit mbrojtës.

Por si u arrestua Milun Milenkoviq – Llune?

Millenkoviq i njohur me nofkën Llune sot u arrestua në një lokal në qendër të Mitrovicës Veriore.KALLXO.com mëson se ai ishte duke u përcjellë vazhdimisht edhe gjatë kohës sa kishte hyrë brenda një lokali floktarësh në Mitrovicë të Veriut, është arrestuar.

Ishin Njësitë Speciale Intervenuese, NjSI që kryen arrestimin e Llunes e që gjithë operacioni zgjati vetëm pak minuta.Policët specialë intervenues kishin siguruar perimetrin fillimisht ku do të kryhej arrestimi.

I veshur me një bluzë me mbishkrimin “Kik Boks KLUB K.M (Kosovska Mitrovica) një bluzë të brendshme me flamurin e Serbisë një palë trenerka (rroba sportive) një çantë në bel, Llune fillimisht u pa duke hyrë brenda lokalit të floktarisë e që më pas u nxor me forcë për shkak se u arrestua nga policia.

Fillimisht i njëjti kishte tentuar që të kërcej nga shkallët kur ka parë ekipet policore por qe më pas është neutralizuar dhe u bart deri të vetura nën pranga për tu transferuar më pas në mbajtje.Rasti i Llune është trajtuar nga Prokuroria Speciale. Madje me urdhër të kësaj prokurorie u bë edhe arrestimi i sotëm.

Arrestimi i Llune u përcoll menjëherë me grumbullim të qytetarëve.

Kishte edhe prej atyre që në shenjë rezistencë thyen e demoluan një veturë të policisë.

Alarmi u lëshua për disa minuta në Mitrovicën veriore e që kjo më pas dha shenjë për mbledhje e cila u vë te shkolla teknike.Ekipet e policisë, njësitë speciale e edhe ekipet e misionit ndërkombëtar paqeruajtës në Kosovë KFOR u panë deri sa u pozicionuan në lagje të boshnjakëve.

Nga turma nuk munguan as hedhja e gurëve. U panë edhe njerëz te maskuar të udhëhequr për të rezistuar nga arrestimi që kishte ndodhur.Për disa orë situata u raportua e tensionuar.

Deri rreth orës 16:00, Lagjja e Boshnjakëve ishte e blinduar nga njësitet policore të cilët kishin marrë urdhra për të ofruar rend e siguri.Aktualisht situata është e qetë. Rruga e cila të dërgon për te shkolla teknike në veri të Mitrovicës vazhdon të jetë e mbyllur dhe qarkullimi nga jugu për atje është i ndaluar.

Njësitë e rendit vazhdojnë të qëndrojnë te kryqëzimi i lagjes se boshnjakëve.