Foto: KALLXO.com

Ministri Sveçla tregon arsyet pse është arrestuar ish-polici Dejan Pantiq

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka treguar arsyet e arrestimit të ish-zyrtarit policor, Dejan Pantiq.

Sipas ministrit, Pantiq “sipas dëshmive të Policisë së Kosovës ka organizuar sulmin terrorist në zyret e KKZ-së në veri të vendit me ç’rast ishin sulmuar zyrtarët e KQZ-së dhe zyrtarët policor”.

“Pantiç akuzohet për kryerjen e veprave terroriste dhe sulm kundër rendit kushtetues” – ka shtuar ministri.

Policia e Kosovës sot ka ndaluar në pikën kufitare në Jarinjë ish-zyrtarin policor, ish-pjesëtarin e MUP-it, i cili ishte integruar më parë në Policinë e Kosovës, Dejan Pantiq.

Ministri tutje ka folur edhe për situatën në veri të vendit, ku, sipas tij, grupe ekstremiste me qëllim të parandalimit të vendosjes së drejtësisë janë organizuar në bllokim të disa rrugëve dhe ngritje të barrikadave në Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.

Ai ka ftuar të gjithë qytetarët për ruajtje të qetësisë “e në veçanti qytetarët tanë të etnisë serbe që të mos bëhen pjesë e organizimeve të grupeve kriminale në veri”.

“Asgjë nuk mund t’i ndalë institucionet e Republikës së Kosovës për ofrim të sigurisë për qytetarët pa dallim e për sjellje para drejtësisë të të gjithë shkelësve të ligjit » – ka theksuar ai.