VIDEO - Lajçak flet në lidhje me nisjen e mandatit të kryetarëve të rinj në katër komunat në veri

Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, pas takimit me përfaqësues të shoqërisë civile në veri të Kosovës është pyetur lidhur me kohën kur do të fillojnë mandatin kryetarët e rinj të katër komunave në veri.

Lajçak ka thënë se është në pritje të një dakordimi që nuk do të dërgojë në përshkallëzim të situatës.

“Unë kam vetëm një pritje që të do të gjejmë një marrëveshje që nuk do të çojë në përshkallëzim, kjo është pritshmëria ime… Kjo do të thotë që ka përfaqësues politikë që kanë autoritetin dhe ne po flasim me ta dhe presim që ata të gjejnë një zgjidhje. Kjo është ajo për të cilën po diskutojmë”- ka thënë Lajçak.

Emrat e katër kryetarëve të rinj dihen tash e dy javë, e rezultatet për ta janë certifikuar edhe nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Por, ende nuk dihet se kur zyrtarisht do të nisë puna e tyre, me betimin në detyrën e re.

Sipas rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve në katër komunat veriore që u mbajtën më 23 prill të këtij viti, në Leposaviq fitoi Lëvizja Vetëvendosje me kandidatin Lulzim Hetemi, në Komunën e Zubin Potokut fitoi PDK me kandidatin Izmir Zeqiri, në Zveçan fitoi PDK-ja me kandidatin Ilir Peci, dhe në Mitrovicë të Veriut LVV-ja me kandidatin Erden Pantiq.

Kurse, Lajçak tutje ka thënë se gjatë takimit me përfaqësues të shoqërisë civile kanë biseduar për çështje që janë pjesë e jetës të qytetarëve në veri.

Ai edhe njëherë ka përsëritur se sipas tij, dialogu është platforma e duhur për të adresuar çështjet që shihen si problematike.

“Sigurisht që ne po diskutojmë çdo gjë që është pjesë e jetës dhe problemit dhe sigurisht kam dëgjuar shumë për çështjet që shihen si problematike dhe ketë e diskutuam herët në mëngjes dhe këtë do ta diskutojmë të hënën me kryenegociatorët. E përsëris edhe një herë dialogu është platforma e duhur për të adresuar çështjet që shihen si problematike nga komunitetet dhe për t’u siguruar që njerëzit të mos ndjehen të frikësuar dhe të kemi një zgjidhje të shkëlqyer për të gjitha problemet”- ka thënë ai.

Lajçak sot mbajti me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe më pas ai vizitoi edhe Mitrovicën, ku është pritur nga kryetari i kësaj komune Bedri Hamza.

Pasi u prit nga kryetari i Mitrovicës Veriore, Bedri Hamza, ai ka kaluar Urën e Ibrit, për të dalë në veri ku më pas është takuar me Dusan Radakoviq dhe Miodrag Miliçiç nga organizata joqeveritare  (OJQ) “Aktiv” në Mitrovicën Veriore.

Lajçak nga Mitrovica: Dua që hapja e urës të jetë kontribut për stabilitet të madh

Të premten emisari evropian do të qëndrojë në kryeqytetin serb, Beograd ku edhe pritet të zhvilloj takime me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.