Kurti e Lajçak në takim me dyer të mbyllura

Ka filluar takimi i hershëm në mes të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe përfaqësuesit të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak.

Ashtu si herave të tjera, edhe ky takim do të jetë i mbyllur për media.

Lajçak sot është duke qëndruar në Kosovë, por agjenda e tij për këtë vizitë nuk është bërë publike nga Bashkimi Evropian.

Përveç Kurtit, Lajçak pritet të takoj edhe kryenegociator, Besnik Bislimi.

Të premten emisari Evropian do të qëndroj në kryeqytetin serb, Beograd ku edhe pritet të zhvilloj takime me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Kjo vizitë vie pas takimit të 2 majit në Bruksel të mbajtur mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Në këtë takim, palët kanë arritur pajtim për Deklaratën e të zhdukurve nga lufta e fundit në Kosovë, por është prezantuar edhe draft-statuti për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, që është hartuar nga një ekip menaxhues, i përbërë prej katër pjesëtarëve të komunitetit serb.

Ky draft-statut nuk është pranuar nga Qeveria e Kosovës dhe një ditë më vonë, anëtarët e Ekipit Menaxhues janë shkarkuar nga autoritetet kosovare.

Qeveria ka prezantuar një version të tyre për draftin e statutit të asociacionit.