Emisarin i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak e kalon në këmbë “Urën e Ibrit” në Mitrovicë. FOTO: KALLXO.com

Lajçak nga Mitrovica: Dua që hapja e urës të jetë kontribut për stabilitet të madh

Pas takimit që Përfaqësuesi i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak mbajti me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ai vizitoi edhe Mitrovicën, ku është pritur nga kryetari i kësaj komune Bedri Hamza.

Lajçak u deklarua edhe për çështjen e hapjes së plotë për qarkullim të urës mbi lumin Ibër.

“Besoj që gjithçka që përfshin të dy palët duhet të merret vesh po nga të dy palët. Ura e Mitrovicës ka qenë pjesë e dialogut prandaj unë mendoj që vendimi për hapjen duhet në dialog. Kjo është shumë e rëndësishme. Prandaj po e  përsëris gjithmonë që dialogu  duhet të përdoret si platformë për marrëveshje.”– tha Lajcak.

Ai u shpreh se dëshiron që hapja e urës të jetë kontribut për stabilitet të madh.

“Gjithçka është në dorën e të dy palëve. Ata duhet të merren vesh por unë dua që hapja e urës të jetë kontribut për stabilitet të madh e jo për destabilitet të madh. Kjo është shumë e rëndësishme. Prandaj po e  përsëris gjithmonë që dialogu duhet të përdoret si platformë për marrëveshje” – tha tutje emisari Lajçak.

Sipas tij, nuk duhet që vizioni i njërës palë të jetë mbi vizionin e palës tjetër.

Pas takimit me Lajçak u deklarua edhe kryetari i Mitrovicës së Jugut, Bedri Hamza.

Kreu i kësaj komune pohoi se pjesë e diskutimit ka qenë edhe çështja e urës së Ibrit dhe nevoja që të respektohet dhe zbatohet Kushtetua e të gjitha ligjet në fuqi.

“Kemi biseduar për situatën e përgjithshme në Kosovë dhe për çështjen e dialogut për zhvillimet që janë dukë ndodhur në Kosovë dhe posaçërisht në këtë pjesë të Kosovës. Gjithsesi se ka qenë temë çështja e urës së Ibrit dhe nevoja që të respektohet dhe zbatohet Kushtetua e të gjitha ligjet në fuqi që garantojnë të gjithë qytetarëve njerëzve mallrave dhe gjithçka tjetër” – tha Hamza.

Ai theksoi se kanë biseduar edhe për progresin e arritur gjatë këtyre viteve por edhe për ndjeshmërinë që ndodhet në këtë pjesë dhe është prezente në këtë pjesë të Kosovës.

Pas takimit me kryetarin Hamza, Lajçak ka nisur takimin me OJQ Aktiv në Mitrovicën Veriore. At ai ka takuar Dusan radakoviq dhe Miodrag Miliçiç nga kjo OJQ.

Mëngjesin e sotëm pas takimit me kryeministrin Kurti Lajçak ka përmendur se do të vizitojë Veriun e Kosovës.

Të premten emisari Evropian do të qëndroj në kryeqytetin serb, Beograd ku edhe pritet të zhvilloj takime me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.