Foto: FB

Vetëvendosje akuzon LDK-në për incidentin në Podujevë

Lëvizja Vetëvendosje Dega në Podujevë ka publikuar një video-incizim në të cilën pretendojnë se ka pasur një incident para zyrave të LVV në Podujevë.

Në një njoftim të LVV-së thuhet se incidenti ka ndodhur rreth orës 14:00.

“Sot, rreth orës 14:00, para zyrave të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Besianë, aktivistët tanë u provokuan disa herë për t’u sulmuar më pas nga banditët e Agim Veliut të cilët të gjendur para humbjes në zgjedhje hedhin shkelmat e fundit”, thuhet në njoftimin e LVV-së.

Tutje në njoftim të LVV-së thuhet edhe se “Isa Mustafa bashkë me Agim Veliun e Nexhmi Rudarin e militantë të tyre të mbledhur para zyrave të Lëvizjes sonë i provokuan vazhdimisht aktivistët tanë derisa, persona të këtyre bandave filluan sulmin ndaj kameramanit të organizatës sonë. Ndër ta qytetarët e pranishëm e kanë identifikuar edhe një person, i cili është polici me emrin Butrint Krasniqi. Ky polic civil, me maskë të LDK-së, ndërkohë është djali i arkëtarit të Komunës së Besianës, nipi i ish-komandantit të Njësitit Special për Regjionin e Prishtinës, Amir Gërgurit e shok i afërt i djalit të Agim Veliut”.

“Është e çuditshme se në kohën kur militantët e LDK-së parakalonin duke provokuar para zyrave tona, policia nuk gjendej aty, ani pse nga shtabi ynë zgjedhor kishim kërkuar takim për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor”, vazhdon njoftimi i LVV-së.

Gjithashtu LVV ka thënë se dënon këto provokime e sulme të cilat kanë për qëllim prishjen e procesit zgjedhor.

“Bandat e Agim Veliut, të gjendura para humbjes i duan me çdo kusht provokimet e tilla me qëllim të frikësimit të qytetarëve. Por, kjo nuk do të ndodhë. Podujeva është përcaktuar për ndryshim. Bandat që kanë udhëhequr komunën tash e 20 vjet nuk do të mund ta ndalin fitoren e qytetarëve”, thuhet në fund të reagimit.

Për këto pretendime të LVV-së, KALLXO.com ka tentuar të flas edhe me ministrin e MPB-së, Agim Veliu por i njëjti ka qenë i paqasshëm në telefon.