Vendimi për hapjen e rrugës për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, reagojnë Osmani e Kurti

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se votimi i sotëm për të avancuar aplikimin e Kosovës për Këshillin e Evropës drejt Asamblesë Parlamentare, nuk është vetëm ditë e mirë për të drejtat e njeriut dhe demokracinë në Kosovës, por edhe moment i rëndësishëm për Evropën.

Osmani thotë se ky është një hap përpara për Kosovën dhe qytetarët e saj.

“Ky është një hap përpara për Kosovën dhe qytetarët e saj, jo vetëm sa i përket integrimit ndërkombëtar të vendit tonë, por mbi të gjitha për avancimin e pozitës së të drejtave të njeriut, për të gjithë qytetarët tanë, pa dallim”- ka deklaruar Osmani.

Presidentja ka shprehur mirënjohje për aleatët ndërkombëtar, duke shtuar se pret që shqyrtimi i aplikacionit të fillojë dhe përmbyllet sa më parë.

“Dëshiroj ta shpreh mirënjohjen time për aleatët tanë ndërkombëtar, presidencën islandeze të Këshillit të Evropës dhe për të gjitha shtetet që na mbështetën me votën e tyre. Pres që shqyrtimi i aplikacionit tonë nga Asambleja Parlamentare të fillojë sa më parë dhe të përmbyllet me sukses”- ka deklaruar Osmani.

Më tej, ajo ka thënë se viteve të fundit Kosova ka shënuar progres të jashtëzakonshëm.

“Aspiratat tona euroatlantike janë të qarta dhe vendosmëria e popullit të Kosovës është më e fortë se kurrë. Viteve të fundit, Kosova ka shënuar progres të jashtëzakonshëm, ndaj anëtarësimi jonë në Këshillin e Evropës është dëshmi e mëtejme e përkushtimit tonë të palëkundur ndaj vlerave që përfaqëson ky institucion”- thekson Osmani.

Ndërkaq, kryeministri i vendit, Albin Kurti ka shkruar se Kosova do të jetë vlerë e shtuar për Këshillin e Evropës.

“Shteti ynë do të jetë vlerë e shtuar për Këshillin e Evropës. Këshilli i Evropës do t’i shtojë vlerë demokracisë, të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit në shtetin tonë” – ka shkruar Kurti në Facebook.

“Falënderoj ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ministren Gërvalla, zëvendësministrin Ahmeti dhe ekipet e tyre për punën e pandërprerë, si dhe partnerët tanë e shtetet anëtare, për përkrahjen e pakursyer”- ka thënë gjithashtu kreu i ekzekutivit.

Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës më 12 maj 2022.