Vendimi i Qeverisë, maskat duhet të vendosen edhe në taksi e në autobus

Gjatë ditës së sotme një sërë masash janë rekomanduar dhe aprovuar në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës për të parandaluar përhapjen e COVID-19.

Një ndër to është edhe mbajtja e maskës në taksi dhe në autobusë e automjete të tjera të cilat ofrojnë transport të udhëtarëve.

“Operatorët e transportit rrugor të udhëtareve lejohen të punojnë, duke shfrytëzuar kapacitetin e plotë të ulëseve, me kusht që personeli dhe udhëtarët të mbajnë maskën gjatë tërë kohës. Operatorët e transportit nuk mund të ketë më tepër udhëtarë në autobus se sa që posedojnë ulëse”, thuhet në vendimin e Qeverisë së Kosovës.

Gjithashtu në vendim thuhet edhe se në taksi të ndryshëm për transport të udhëtarëve lejohen deri në 3 udhëtarë.

Masat e reja sipas ministrit Vitia do të fillojnë nga data 20 gusht.

“Nga data 20 gusht e deri më 10 shtator,  hyrja në ambientet e klubeve të natës, diskotekave dhe ambienteve ku mbahen ahengjet familjare e të ngjashme, tubimet masive, festivalet të cilat kanë kapacitet mbi 100 persona,  do të lejohet vetëm me certifikatën e vaksinimit për vaksinimin e plotë ose marrjen e një dozë të vaksinës kundër COVID-19; Testi RT-PCR negativ për COVID-19, jo më i vjetër se 72 orë; Dëshmi se personi ka kaluar COVID-19 (test RT-PCR pozitiv i lëshuar jo më pak se 21 ditë dhe jo më shumë se 180 ditë ose rezultat pozitiv i testit të  antitrupave serologjik –IgG, i lëshuar më së shumti para 30 ditëve; Test i shpejtë antigjen negativ jo më i vjetër se 48 orë”, tha Vitia.

Tutje ai shtoi edhe se nga data 20 gusht deri më 10 shtator një nga dëshmitë më lartë duhet të posedohen nga gjithë punëtorët të cilët janë në kontakt të drejtpërdrejt me klientët. Personat përgjegjës të bizneseve apo aktiviteteve të cekura janë të detyruara që të kontrollojnë dëshmitë e kërkuara.

Gjithashtu në njoftimin për masat e reja, thuhet se lokalet e natës do të fillojnë punën nga ora 23:00 deri në orën 3:00 të mëngjesit.

Masat parashoin se nga ora 3:00 deri në orën 3:15 të kryhet pagesa dhe lirimi i hapësirës së klubeve të natës nga ana e klientëve.

Gjithashtu në ambientet e mbyllura të klubeve të natës lejohet shfrytëzimi deri në 50 për qind të kapacitit të hapësirës.

Pika 22 e vendimit të Qeverisë thotë se në ambientet e hapura të klubeve të natës mund të bëhet shfrytëzimi deri në 70 për qind i kapacitetit të hapësirës.

Këto janë të gjitha masat e vendosura nga Qeveria lidhur me COVID-19