Vëllai i Liridona Ademajt tregon se si Naim Murseli u tregoi për ngjarjen tragjike - VIDEO
Leonard Ademaj, vëllai i Liridona Ademajt në KallxoPërnime ka treguar se si Naim Murseli u shpjegoi ngjarjen e vrasjes së Liridonës.
Për herë të fundit, Leonardi thotë se e pa motrën e tij gjatë ditës tragjike.
“Atë natë e di që në pika të shkurtëra na ka tregu. Na ka thënë që kanë dalë hajnat, Liridona i ka parë se unë nuk i kam parë. Na ka thanë ‘qitni krejt çka i keni’, unë i kam qit telefona e pare çka kam pas, i kam thënë edhe Liridonës qiti krejt çka ki, Liridona insistonte diçka në çantë, por unë i kam çelë dyert e kerrit edhe ju kam thanë në gjuhë suedeze me ikë. Kemi ikë me fëmij, pas 5-6 metrave e kemi ndi një krismë, jam kthy e nuk e kam pa Liridonën”, deklaroi Leonard Ademaj.
Liridona Ademaj 30-vjeçare, është vrarë të mërkurën, më 29 nëntor, në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë. Fillimisht, Policia e Kosovës, e ka raportuar rastin si “grabitje me pasoja të vrasjes”.
Dy ditë më vonë, më 1 dhjetor, Policia ka njoftuar për arrestimin e dy personave të dyshuar: dorasin G. P. dhe Naim Murselin, bashkëshortin e viktimës, të dyshuar për vrasjen e saj.
Më vonë, Ministria e Mbrojtjes e Kosovës, ka konfirmuar se i dyshuar i tretë në këtë rast është edhe K.K., pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit për një muaj ndaj Naim Murselit dhe dy të dyshuarve të tjerë, të dyshuar për vrasjen e Liridona Ademajt.