Vazhdon beteja ligjore për lokalet e pretenduara në ndërtesën më të lartë në Prishtinë
Në Gjykatën Komerciale është mbajtur seanca gjyqësore në rastin ku pronari i N.T.P. “Anea”, Naim Berisha, po vazhdon të kërkojë lokalet në objektin e njohur si më i larti në Prishtinë nga “ENK Invest Group”, që tani quhet “Prishtina City Center”.
Në seancën e datës 24.09.2025 palët janë deklaruar rreth plotësimit të ekspertizës financiare lidhur me këtë rast, dhe prezent në Gjykatë ka qenë edhe eksperti financiar, Besnik Livoreka.
Fillimisht në hapje të gjykimit e mori fjalën avokati Granit Vokshi, i cili përfaqësoi në seancë paditësen “Anea Group”, i cili deklaroi se nuk kanë vërejtje për plotësim ekspertizën financiare dhe nuk kanë pyetje sqaruese për ekspertin.
Sipas Vokshit nuk ka qenë e nevojshme që të bëhet plotësim ekspertiza financiare pasi nuk ka qenë objekt i kërkesë-padisë përcaktimi apo dënimi kontraktues i paraparë në kontratë dhe se plotësim ekspertiza e bën kalkulimin e pjesërishëm të shumës së tërësishme të paguar nga paditësi për të paditurin.
Kurse avokati Atdhe Dika, që përfaqëson “ENK Invest Group” tha se e kanë pranuar ekspertizën dhe plotësimin e ekspertizës.
Ai tha se lidhur me ekspertizën, duke pasur parasysh se kanë kundërshtuar bazën juridike të kërkesës së deritanishme, ndaj të njëjtës nuk kanë vërejtje sa i përket numrave të prezantuar dhe të kalkuluar, por vërejtjet qëndrojnë lidhur me detyrat që i janë caktuar ekspertit në përpilimin e ekspertizës.
Avokati Granit Vokshi parashtroi edhe disa propozime, dhe një ndër to ishte precizimi i padisë dhe kërkesë-padisë pasi ai tha se nuk kanë qenë të informuar për ndryshimet në projektin ndërtimor dhe këtë e kanë kuptuar në shqyrtim kryesor, pasi ishte pranuar ekspertiza nga lëmia e arkitekturës.
Kurse avokati i palës “ENK Invest Group”, Atdhe Dika, tha se nuk jep pëlqimin për precizimin e padisë dhe kërkesë-padisë.
Lidhur me këto propozime gjyqtari Gent Bekeri tha se i duhet kohë që t’i vlerësojë dhe të vendosë proceduralisht për secilin propozim.
Në vitin 2009, Naim Berisha dhe Azem Salihu vendosën t’i bashkojnë mjetet e tyre me kompaninë “ENK Invest Group” SH.A. që vetëm se kishte filluar ndërtimin e objektit që atë kohë flitej që do ishte mbi 40-katësh.
Dy biznesmenë nga Prishtina blenë lokale në ndërtesën shumëkatëshe që po ndërtohej në qendër të Prishtinës.
Kontratat ishin nënshkruar me një kompani që udhëhiqej nga një shtetas nga Maqedonia e Veriut, ndërsa investitori i ri që bleu aksionet nuk pranon t’i ofrojë lokalet e kontraktuara mirëpo pretendon se mund t’ua kthejë paratë biznesmenëve.
Të dhënat tregojnë që kontesti për këta biznesmenë është duke u endur në gjykatat e vendit për shumë vite.
Kur Gjykata e Prishtinës gjykoi çështjen e biznesmenit Salihu atij iu dha të drejtë.
Një dosje e ngjashme për biznesmenin Berisha u gjykua ndryshe nga Gjykata e Prishtinës, e cila nuk i dha të drejtë këtij të fundit. Çështja është në Gjykatën e Apelit. Objekti për të cilin bëhet fjalë, që gjendet në lagjen “Pejton” të Prishtinës, ende nuk ka përfunduar.
Kjo çështje është kthyer në rigjykim nga Dhomat e Shkallës së Dytë të Gjykatës Komerciale më 23.03.2023.
Hulumtimin e plotë të Kallxo.com lidhur me këtë çështje e gjeni në këtë LINK.
Raportimet paraprake nga seancat e këtij rasti i gjeni duke klikuar këtu.