
Gjykimi lidhur me ndërtesën më të lartë në Prishtinë, Gjykata aprovon propozimin për plotësimin e ekspertizës financiare
Në Gjykatën Komerciale të martën, më 18.03.2025, është mbajtur seanca gjyqësore në rastin ku pronari i N.T.P. “Anea”, Naim Berisha, po vazhdon të kërkojë lokalet në objektin e njohur si më i larti në Prishtinë nga “ENK Invest Group”, i cili sot quhet “Prishtina City Center”.
I autorizuari i palës paditëse, avokati Selim Nikqi, deklaroi se ka pranuar ekspertizën financiare të punuar nga eksperti Besnik Livoreka dhe tha se lidhur me ekspertizën nuk ka vërejtje.
Lidhur me ekspertizën financiare u deklarua edhe i autorizuari i palës së paditur, avokati Atdhe Dika.
Avokati Dika tha se e kundërshton këtë ekspertizë dhe theksoi se sa i përket numrave të kalkuluar nuk kanë vërejtje mirëpo kundërshtoi lartësinë e konstatuar në këtë ekspertizë.
Tutje, avokati Dika i propozoi Gjykatës që të bëhet edhe një ekspertizë e kalkulimit sipas dakordimit të palëve në kontratë, respektivisht sipas eurolibarit.
Pas kësaj, avokati Selim Nikqi, që përfaqëson palën paditëse, deklaroi se e kundërshton propozimin për ekspertiza alternative në bazë të llogaritjes se eurolibarit, duke shtuar se eurolibari nuk është kamatë dhe në këtë rast ka të bëjë me dëmin, të cilin nuk e mbulon kamata edhe kur ekziston.
Ndërkaq i autorizuari i palës së paditur avokati Atdhe Dika i propozoi Gjykatës që plotësimi i ekspertizës në kalkulimin e kamatës eurolibar të llogaritet në kuptim të pagesës së kryer nga paditësi e cila konsiston në shumën prej 362,699.97 euro, kjo nga data 01.08.2014 deri në nxjerrjen e ekspertizës.
Pas kësaj, i autorizuari i palës paditëse avokati Selim Nikqi tha se propozimi për llogaritjen e eurolibarit në formë të kamatës nuk ka bazë për shkak se mungon objekti për të cilin propozohet, si dhe pala paditëse nuk kërkon kthimin e mjeteve të paguara në emër të bashkimit të mjeteve për ndërtim të lokaleve, por e njëjta ka kërkuar kompensimin e dëmit, i cili është shkaktuar me mospërmbushjen e marrëveshjeve- kontratës, lidhur me dorëzimin e lokaleve.
Ndërkaq gjyqtari Gent Bekiri aprovoi propozimin e avokatit Dika që ekspertiza financiare e dorëzuar me datën 10.02.2025, e punuar nga eksperti Besnik Livoreka të kthehet në plotësim dhe të bëjë kalkulimin e kamatës sipas eurolibarit në shumën prej 362,699.97 euro, duke filluar nga data 01.08.2014 deri në datën e ekspertimit.
Fillimisht në seancë i autorizuari i palës paditëse avokati Selim Nikqi i dorëzoi Gjykatës dhe palës së paditur parashtresën për precizimin e kërkesëpadisë të datës 25.02.2025, si dhe parashtresën lidhur me aktet që ndërlidhen me ekspertizën e arkitekturës ndërtimore të datës 06.03.2025.
Ndërsa lidhur me parashtresat e dorëzuara nga pala paditëse në seancë, avokati Dika tha se i kundërshton dhe lidhur me parashtresën e datës 18.03.2025 të dorëzuar nga pala paditëse, avokati Dika i propozoi Gjykatës që lidhur me të njëjtën palës paditëse t’i kthehen në plotësim me një petitum të propozuar dhe jo me alternativë siç ceket në dy rreshtat e fundit të kësaj parashtrese.
Seanca e sotme përfundoi, ndërsa seanca e radhës pritet të caktohet pas pranimit të plotësimit të ekspertizës.
Ky rast po gjykohet nga gjyqtari Gent Bekeri.
Në vitin 2009, Naim Berisha dhe Azem Salihu vendosën t’i bashkojnë mjetet e tyre me kompaninë “ENK Invest Group” SH.A. që vetëm se kishte filluar ndërtimin e objektit që atë kohë flitej që do ishte mbi 40-katësh.
Dy biznesmenë nga Prishtina blenë lokale në ndërtesën shumëkatëshe që po ndërtohej në qendër të Prishtinës.
Kontratat ishin nënshkruar me një kompani që udhëhiqej nga një shtetas nga Maqedonia e Veriut, ndërsa investitori i ri që bleu aksionet nuk pranon t’i ofrojë lokalet e kontraktuara mirëpo pretendon se mund t’ua kthejë paratë biznesmenëve.
Të dhënat tregojnë që kontesti për këta biznesmenë është duke u endur në gjykatat e vendit për shumë vite.
Kur Gjykata e Prishtinës gjykoi çështjen e biznesmenit Salihu atij iu dha të drejtë.
Një dosje e ngjashme për biznesmenin Berisha u gjykua ndryshe nga Gjykata e Prishtinës, e cila nuk i dha të drejtë këtij të fundit. Çështja është në Gjykatën e Apelit.
Objekti për të cilin bëhet fjalë, që gjendet në lagjen “Pejton” të Prishtinës, ende nuk ka përfunduar.
Hulumtimin e plotë të Kallxo.com lidhur me këtë çështje e gjeni në këtë LINK.
Raportimet paraprake nga seancat e këtij rasti i gjeni duke klikuar këtu.