Padia për shkelje të markës tregtare, avokati i APR-së precizon kërkesëpadinë ndaj ARRK-së

Në Gjykatën Komerciale, të enjten më 14.05.2026, është mbajtur seanca e shqyrtimit kryesor në rastin ku kompania Asistenca e Përgjithshme Rrugore (APR) e ka paditur Asistencën Rrugore të Kosovës për shkelje të markës tregtare.

Fillimisht në padinë e datës 28.04.2023, APR kishte kërkuar nga pala paditëse ARRK 20 mijë euro në emër të kompensimit të dëmit material kurse 5 mijë euro në emër të fitimit të humbur dhe për dëm të reputacionit 10 mijë euro.

Avokat i palës paditëse Asistenca e Përgjithshme Rrugore, Veli Hoti,  në seancën e sotme, ka thënë se nuk kanë propozim për plotësim të provave dhe tha se do të bëjë preczimin e kërkesëpadisë. Hoti ka kërkuar nga Gjykata që ta aprovoj në tërësi si të bazuar padinë e paditësit ashtu që të vërtetohet shkelja e markës tregtare dhe t’i ndalohet përdorimi i mëtejmë i shenjave palës së paditur.

Hoti i ka kërkuar Gjykatës që ta obligoj të paditurin që të paguaj shumën prej mbi 43 mijë euro në emër të kompenzimit të dëmit material dhe fitimit të humbur dhe shumën prej 10 mijë euro ne emër të dëmit të reputacionit.

Lidhur me këtë, Gjykata mori vendim duke e lejuar rregullimin e padisë në lidhje me precizimin e kërkesëpadisë, duke e proceduar gjykimin në administrimin e provave.

Pas administrimit të provave, avokati Hoti ka kërkuar nga Gjykata që t’i japë kohë shtesë që të përgatisin fjalën përfundimtare në lidhje me këtë rast. Propozimin e Hotit nuk e kundërshtoi avokati i palës së paditur, Arbër Osmanaj.

Tutje, lidhur me këtë propozim gjyqtari i këtij rasti, Hasan Kryeziu mori aktvendim për ndërprejen e seancës, ashtu që avokatit Hoti të i mundësohet përgaditja e fjalës përfundimtare.

Në këto rrethana, seanca e sotme u ndërpre dhe e radhës pritet të vazhdojë më datë 21 maj 2026 kur pritet që palët në procedurë të japin fjalët përfundimtare.

Në lidhje me këtë rast, me të filluar gjykimi, u konstatua nga Gjykata se palët kanë pranuar superekspertizën financiare të punuar nga grupi i ekspertëve.

Lidhur me këtë palët deklaruan se nuk kanë vërejtje dhe pyetje për super-ekspertizën dhe ekspertin financiar Besnik Livoreka i cili ishte prezent në seancë.

Kujtojmë se në seancën e datës 10.09.2025 ishte elaboruar ekspertiza financiare -e plotësuar, në lidhje me këtë rast.

Kjo çështje po trajtohet në Gjykatën Komerciale, ndërsa gjyqtar i rastit është Hasan Kryeziu.

Çka kishte kërkuar përmes padisë Asistenca e Përgjithshme Rrugore?

Përmes padisë, e cila ishte pranuar në Gjykatë më 28.04.2023, APR i kishte kërkuar Gjykatës që të aprovohet në tërësi padia e bërë dhe të vërtetohet se ka pasur shkelje të markës tregtare nga Asistenca Rrugore e Kosovës.

Tutje APR kishte kërkuar nga Gjykata që të aprovohet kërkesë për kompensim të dëmit material dhe jomaterial për shkeljen e markës tregtare duke u bazuar në ekspertizë financiare.

Sipas kërkesës së APR-së drejtuar Gjykatës, janë kërkuar 20 mijë euro nga ARRK në emër të kompensimit të dëmit material.

Tutje, përmes padisë janë kërkuar edhe 5 mijë euro të tjera në emër të fitimit të humbur.

Ndërsa për dëmtim të reputacionit, APR ka kërkuar nga pala e paditur shumën prej 10 mijë euro.

Paditësi (Asistenca e Përgjithshme Rrugore) është shoqëri tregtare e regjistruar në Kosovë me veprimtari të ofrimit të asistencës teknike, kryesisht si aktivitete të biznesit ka: Aktivitetet shërbyese të rastit për transportin tokësor, shërbimet e zhvendosjes, transportin rrugor të mallrave dhe të ngjashme.

APR funksionon si biznes që nga data 10.05.2017, ndërkaq i padituri që nga data 22.04.2022.

Gjithnjë sipas padisë, i padituri kishte kopjuar të gjitha metodat e të bërit biznes nga paditësi. Ai në mënyrë identike kishte vepruar në lidhje me reklamat si dhe për qëllim ishte afruar me zyrë pranë zyrës së paditësit.

Tutje i padituri kishte pretenduar se parim nuk kishte asnjë dallim të vetëm të kësaj logo me të logos së paditësit. Me veprimet e tij, i padituri duke hapur lokalin dhe duke vazhduar të bëjë fushatë përmes rrjeteve sociale, përveç përdorimit të logos identike, kishte ofruar edhe produkte – mallra dhe shërbime – identike me ato të paditësit. Si rezultat i njëllojshmërisë dhe identicitetit të mallrave dhe shërbimeve, për të cilat përdoret shenja, me mallrat apo shërbimet, që mbulohen nga marka e regjistruar, është shkaktuar konfuzion te publiku dhe është bërë asocimi i shenjës së markës tregtare me produktet e ofruara në treg.

Cila ishte përgjigjja e ARRK-së lidhur me pretendimet e paditësit?

Në përgjigjën në padi të datës 04.07.2023 i padituri ka kontestuar në tërësi kërkesëpadinë e paditësit si për nga baza ashtu edhe për nga lartësia e kërkesës, sepse padia nuk ishte e bazuar në fakte dhe prova nga të cilat del themelësia e kërkesëpadisë.

Tutje në përgjigjen në padi thuhet se nga analizimi dhe krahasimi i markës tregtare të paditësit sikurse figurative dhe verbale me shenjën që përdor i padituri, absolutisht nuk vërehen ngjashmëri në mes tyre për një sërë arsyesh: Marka figurative e paditësit përmban një ilustrim apo paraqitje të një figure në formë të shkronjës “A”, ndërsa shenja që përdor i padituri është një paraqitje e thjeshtë e një rruge me dy shirita të rrugës dhe me vija të ndërprera në mes, e cila shenjë absolutisht nuk asocion me markën e paditësit.

Marka e paditësit ka dizajn 3D, ndërsa shenja e të paditurit ka dizajn 1D.

Në markën e paditësit janë tri shkronjat “APR” ndërsa në markën e të paditurit kombinim fjalësh “Asistenca Rrugore e Kosovës” në të cilën janë 24 shkronja.

Përmes përgjigjes në padi pala e paditur ka kërkuar nga Gjykata që të refuzohet në tërësi padia që e ka bërë paditësi.