Vendimi i Komerciales detyron RTK-në t`i paguaj mbi 700 mijë euro 'Grand Medias'
Gjykata Komerciale e Kosovës- Dhoma e Shkallës së Dytë ka detyruar Radio Televizionin e Kosovës (RTK) t`ia paguajë N.SH. “Grand Media” shumën prej 782,701.54 euro për shkak të shkëputjes së njëanshme të kontratës mbi emitimin televiziv të emisionit “Kush do të bëhet milioner?”.
Vendimi i Gjykatës Komerciale që mban datën 23 tetor 2025 ka aprovuar pjesërisht si të bazuar ankesën e paditësit N.SH. “Grand Media” dhe ka ndryshuar aktgjykimin e Gjykatës Komerciale- Dhomat e Shkallës së Parë, Departamenti për Çështje Ekonomike të datës 05.06.2024.
Gjykata Komerciale e Kosovës e ka aprovuar si të bazuar kërkesëpadinë N.SH. “Grand Media”, dhe ka detyruar Radio Televizionin e Kosovës që paditësit N.SH. “Grand Media” të ia paguaj, në emër të dëmit të shkaktuar si pasojë e ndërprerjes/shkëputjes së njëanshme të kontratës mbi emetimin televiziv të emisionit “Kush do të bëhet milioner?” shumën prej 340,808.00€, në emër të detyrimit kontraktues sipas kontratës mbi emetimin televiziv të emisionit “Kush do të bëhet milioner?” për emisionet e prodhuara dhe të transmetuara shumën prej 32,933.54€, si dhe në emër të detyrimit kontraktues sipas kontratës mbi emetimin televiziv për emisionet e prodhuara por të pa transmetuara shumën prej 408,969.60€.
Pra sipas këtij aktgjykimi Radio Televizioni i Kosovës detyrohet të ja paguaj shumën prej 782,701.54€ me kamatë ligjore si për mjetet e deponuara në bankat komerciale me afat mbi një vit, të llogaritur nga data e parashtrimit të padisë, më datën 28.05.2014, e deri në pagesën definitive, në afat prej 7 ditëve nga plotfuqishmëria e këtij aktgjykimi.
Gjykata Komerciale me tej ka refuzuar si të pa bazuar pjesën tjetër të kërkesëpadisë të N.SH. “Grand Media” me të cilën ka kërkuar që të detyrohet i padituri Radio Televizioni i Kosovës që në emër të dëmit të shkaktuar- fitimit të humbur si pasojë e mos përmbushjes së kontratës mbi emetimin televiziv, të ia paguaj paditësit shumën prej 930.973.54 € si dhe në emër të fitimit të humbur nga marketingu dhe sponsorët shumën prej 250,066.64 €, gjithsej shumën e përgjithshme në vlerë prej 1,181,040.18€, të gjitha me kamatë ligjore sipas normës së interesit vjetor prej 8%, duke filluar nga data e parashtrimit të padisë 28.05.2014, e deri në pagesën definitive, në afat prej 7 ditësh nga plotfuqishmëria e këtij aktgjykimi.
Më tej sipas këtij aktgjykimi Radio Televizioni i Kosovës detyrohet që N.SH. “Grand Media”, të ia paguaj shpenzimet e procedurës kontestimore në shumën e përgjithshme prej 7,251.50€ në afat prej 7 ditëve nga plotfuqishmëria e këtij aktgjykimi.
Gjykata Komerciale me tej ka refuzuar si të pa bazuar ankesën e Radio Televizioni i Kosovës me të cilën ka kërkuar që të ndryshohet aktgjykimi i Gjykatës Komerciale– Dhomat e Shkallës së Parë– Departamenti për Çështje Ekonomike dhe ta njohë vlerën e borxhit real prej 32,934.52€ e cila tregohet edhe në bazë të pasqyrës financiare të RTK-së, për të cilën pala e paditur i obligohet paditësit.
Në arsyetimin e vendimit të Gjykatës Komerciale thuhet se Dhomat e Shkallës së parë, Departamenti për Çështje Ekonomike së kësaj Gjykate me aktgjykimin e datës 19.04.2024 kishte detyruar Radio Televizionin e Kosovës që paditësit N.SH. “Grand Media” që në emër të dëmit të shkaktuar si pasojë e mos përmbushjes së kontratës të shumën e përgjithshme në vlerë prej 373,741.54
Kundër aktgjykimit të shkallës së parë në afat ligjor ankesë të pjesshme kishte paraqitur paditësi N.SH. “Grand Media”. Ankesë kundër këtij aktgjykimi kishte parashtruar edhe i padituri në këtë rast Radio Televizioni i Kosovës.
Ndërsa Gjykatës Komerciale– Dhomat e Shkallës së Dytë, pas vlerësimit të pretendimeve ankimore lidhur me aktgjykimin e ankimuar, ka gjetur se ankesa e paditësit N.SH. “Grand Media” është pjesërisht e bazuar, ndërsa ankesa e të paditurit Radio Televizioni i Kosovës është e pa bazuar.
Në aktgjykim të Komerciales thuhet se paditësi N.SH. “Grand Media”, më datë 28.05.2014, në Gjykatën Themelore në Prishtinë– Departamenti për Çështje Ekonomike, kishte paraqitur padi për mos përmbushjen e kontratës për transmetimin e emisionit “Kush do të bëhet Milioner?”, kundër të paditurit Radio Televizioni i Kosovës, me të cilën kishte kërkuar që të detyrohet i padituri, që paditësit të ia paguaj shumën prej 1,463.117.00 €, me kamatë ligjore prej 8%, nga dita e paraqitjes së padisë e deri në pagesën definitive si dhe shpenzimet e procedurës kontestimore.
Ndërsa më datën 29.03.2016 dhe 11.07.2016 paditësi kishte bërë precizimin e kërkesëpadisë, duke kërkuar që të detyrohet i padituri që paditësit në emër të dëmit material të ia kompensoj shumën e përgjithshme në vlerën prej 3,402.637.00 €.
Gjykata Themelore në Prishtinë- Departamenti për Çështje Ekonomike, me Aktgjykimin e datës 09.03.2018, kishte aprovuar pjesërisht si të bazuar kërkesëpadinë e paditësit dhe e ka detyruar të paditurin Radio Televizioni i Kosovës– RTK, që paditësit N.SH. “Grand Media”, të ia paguaj shumën prej 482,813.54 €, në emër të borxhit për periudhën kohore prej 01.05.2012 deri me datën 31.12.2012, për shkak të emetimit-transmetimit të emisioneve sipas kontratës së datës 14.02.2011, si dhe në emër të dëmshpërblimit shumën prej 1,344,065.00 €, gjithsej në shumën prej 1,826.878.54 €, me kamatë të cilën e paguajnë bankat vendore si për mjetet e deponuara në kursim, me afat mbi 1 vit, e pa destinim të caktuar, duke filluar nga data e paraqitjes së padisë 28.05.2014, të gjitha këto në afatin prej 7 ditëve, nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi nën kërcënimin e përmbarimit me detyrim.
Ndërsa, në pikën II të dispozitivit është refuzuar si e pa bazuar pjesa tjetër e kërkesëpadisë së paditësit, sa i përket shumës prej 500,000.00 €, në emër të dëmtimit të imazhit. Në pikën III të dispozitivit është vendosur që shpenzimet e procedurës kontestimore, ti bartë secila palë veç e veç.
Më tej Gjykata e Apelit e Kosovës duke vendosur në procedurën ankimore sipas ankesës së palës së paditur, me aktvendimin e datës 03.02.2020, e ka aprovuar ankesën e të paditurës si të themeltë dhe ka prishur aktgjykimin e datës 09.03.2018 të gjykatës së shkallës së parë dhe të njëjtën çështje e ka kthyer në rigjykim në gjykatën e shkallës së parë.
Ndërsa Gjykata Komerciale e Kosovës– Dhomat e Shkallës së Parë– Departamenti për Çështje Ekonomike, me aktgjykimin e datës 18.08.2023, në pikën I të dispozitivit e ka aprovuar pjesërisht si të bazuar kërkesëpadinë e paditësit N.SH. “Grand Media”, dhe e ka detyruar të paditurin Radio Televizioni i Kosovës, që në emër të dëmit të shkaktuar si pasojë e mos përmbushjes së kontratës, të ia paguaj paditësit shumën prej 340,808.00 € dhe në emër të borxhit shumën prej 32,933.54 €, gjithsej shumën e përgjithshme në vlerë prej 373,741.54 € me kamatë ligjore si për mjetet e deponuara në bankat komerciale në periudhë kohore prej një viti, të llogaritur nga data e parashtrimit të padisë, më datën 28.05.2014, e deri në pagesën definitive, në afat prej 7 ditëve nga plotfuqishmëria e këtij aktgjykimi, nën kërcënimin e përmbarimit me detyrim.
Në pikën II të dispozitivit e ka refuzuar si të pabazuar pjesën tjetër të kërkesëpadisë së paditësit N.SH “Grand Media”, me të cilën ka kërkuar që të detyrohet i padituri Radio Televizioni i Kosovës, që në emër të dëmit të shkaktuar si pasojë e mos përmbushjes së kontratës mbi emetimin televiziv, të ia paguaj paditësit në emër të fitimit të humbur shumën prej 1,339.943.14 € si dhe në emër të fitimit të humbur nga marketingu dhe sponsorët shumën prej 250,066.64 €, me kamatë ligjore sipas normës së interesit vjetor prej 8%, duke filluar nga data e parashtrimit të padisë 28.05.2014, e deri në pagesën definitive, në afat prej 7 ditësh nga plotfuqishmëria e këtij aktgjykimi.
Ndërsa, në pikën III të dispozitivit është detyruar i padituri që në emër të shpenzimeve të procedurës kontestimore, të ia paguaj paditësit shumën prej 6,215.00 €.
Ndërsa, Gjykata Komerciale e Kosovës– Dhomat e Shkallës së Dytë, me aktvendimin e datës 19.04.2024, i ka aprovuar si të bazuara ankesat e paditësit dhe të paditurit, dhe e ka prishur Aktgjykimin e datës 18.08.2023 të Gjykatës Komerciale të Kosovës– Dhomat e Shkallës së Parë dhe të njëjtën çështje e ka kthyer përsëri në rigjykim dhe vendosje.
Më tej Gjykata Komerciale e Kosovës– Dhomat e Shkallës së Parë– Departamenti për Çështje Ekonomike, me Aktgjykimin e datës 05.06.2024, në pikën I të dispozitivit e ka aprovuar pjesërisht si të bazuar kërkesëpadinë e paditësit N.SH. “Grand Media”, dhe e ka detyruar të paditurin Radio Televizioni i Kosovës, që në emër të dëmit të shkaktuar si pasojë e mos përmbushjes së kontratës nr. 1283/11, të ia paguaj paditësit shumën prej 340,808.00 € dhe në emër të borxhit shumën prej 32,933.54 €, gjithsej shumën e përgjithshme në vlerë prej 373,741.54 euro me kamatë ligjore si për mjetet e deponuara në bankat komerciale në periudhë kohore prej një viti, të llogaritur nga data e parashtrimit të padisë, më datën 28.05.2014, e deri në pagesën definitive, në afat prej 7 ditëve nga plotfuqishmëria e këtij aktgjykimi, nën kërcënimin e përmbarimit me detyrim.
Në arsyetimin e Komerciales thuhet se Dhoma e Shkallës së Dytë të kësaj Gjykate, kanë gjetur se aktgjykimi i atakuar është marrë pjesërisht me shkelje të nenit 8 të LPK-së, për arsye se Gjykata e shkallës së parë edhe pse i ka vlerësuar të gjitha provat që gjenden në shkresat e lëndës, ka ardhur pjesërisht ne konkludime të gabueshme lidhur me gjendjen faktike duke bërë interpretim të gabueshëm të disa fakteve të vërtetuara dhe duke i injoruar në tërësi disa fakte të tjera që i referohen emisioneve të prodhuara nën kontratën mbi emetimin televiziv, në fuqi e të cilat fare nuk janë transmetuar me vendim të njëanshëm të të paditurit dhe se për të njëjtat emisione janë refuzuar edhe faturat.
“…mbi këtë bazë kolegji vlerëson se Gjykata e shkallës së parë, e ka aprovuar pjesërisht kërkesëpadinë e paditësit duke u bazuar vetëm në deklarimet e përfaqësuesit të të paditurës dhe duke u thirrur gabimisht edhe në dispozitat materiale të Ligjit për Marrëdhëniet e Detyrimeve, lidhur me këtë pjesë”-thuhet në vendim.
Më tej në këtë vendim thuhet se Kolegji i ka vlerësuar përfundimet e tilla të gjykatës së shkallës së parë dhe ka gjetur se një qëndrim i tillë juridik nuk mund të pranohet në tersi, si plotësisht si i drejtë dhe i ligjshëm.
“Sipas vlerësimit të kolegjit të kësaj gjykate mbi gjendjen e tillë faktike, gabimisht është zbatuar edhe e drejta materiale kur gjykata e shkallës së parë ka refuzuar detyrimin kontraktues për emisionet e prodhuara por të pa transmetuara, sepse gjykata e shkallës së parë vendimin e saj për mos pranimin e detyrimit kontraktues në shumën prej 408,969.60 euro për emisionet e prodhuara nga paditësi sipas kontratës mbi emetimin televiziv, gjatë kohës sa e njëjta ishte në fuqi me të paditurin, emisione këto të pa – transmetuara në mënyrë të njëanshme nga i padituri, nuk e ka mbështetur në provat relevante dhe faktet vendimtare lidhur më këtë çështje, gjë që ka ndikuar në interpretim të gabuar edhe të dispozitave
Kolegji Gjykatës Komerciale ka vlerësuar se në rastin konkret kontestuese ndërmjet palëve ndërgjyqëse mbetet nëse kontrata e lidhur është shkëputur në mënyrë të kundërligjshme nga ana e të paditurit dhe si rrjedhojë nëse përgjegjësia për kompensimin e dëmit nga mos përmbushja e kontratës bie në barrë të paditurit, respektivisht nëse ekziston baza ligjore e kompensimit të detyrimit kontraktues, sipas kontratës mbi emetimin televiziv të emisionit ”Kush do të bëhet milioner?”, dhe dispozitave të LMD-së.
“Duke vlerësuar besueshmërinë e kërkesëpadisë së paditësit, Dhomat e Shkallës së Dytë vlerësojnë se në zgjidhjen e çështjeve kontestuese në mes të palëve ndërgjyqëse, e në veçanti të çështjes lidhur me fitimin e humbur nga mos përmbushja e kontratës Mbi emetimin televiziv, gjykata e shkallës së parë drejtë ka konstatuar gjendjen faktike ashtu sikurse ka zbatuar në mënyrë të drejtë edhe dispozitat materiale lidhur me këtë çështje, ngase ky qëndrim i gjykatës së shkallës së parë derivon nga vetë neni 14 i kontratës mbi emetimin televiziv, në të cilën kontratë është përcaktuar shprehimisht se: në rast se njëra palë ndërprenë bashkëpunimin njëanshëm pa ndonjë arsye të mos respektimit të kësaj marrëveshje atëherë si dëmshpërblim duhet të paguaj shpenzimet pesë (5) mujore, dhe nga interpretimi i drejtë i kësaj dispozite ligjore, paditësi ka pasur të drejtën që në mënyrë alternative të kërkojë përmbushjen e kontratës, pagesën e dënimit kontraktues apo shpërblimin e dëmit, ndërsa nuk i njihet e drejta për të kërkuar në mënyrë kumulative edhe përmbushjen e kontratës edhe dënimin kontraktues si dhe kompensimin e dëmit, ashtu siç ka kërkuar më kërkesëpadi.”-thuhet më tej në aktgjykim.
Më tej në këtë vendim thuhet se për Kolegjin e dhomës të shkallës së dytë është i qartë fakti se mes palëve ndërgjyqëse nuk ka pasur paqartësi në zbatim të kontratës mbi emetimin televiziv të emisionit ”Kush do të bëhet milioner?”, deri më datë 01.05.2012, kjo për faktin se marrëdhënia juridike sipas kësaj kontrate është përmbushur në tersi, përjashtimisht detyrimi i mbetur prej 32,933.54 euro për faturat e pa paguara për emisionet e transmetuara dhe e cila shumë tani më nuk është kontestuese, ngase është pranuar si e tillë me kartelën e furnitorit të vitit 2015, dhe është pohuar nga e paditura edhe në ankesë.
Sipas kolegjit të Gjykatës Komerciale është i qartë edhe fakti tjetër se nga qershori i vitit 2012, ndonëse është marr vendim nga Drejtori i përgjithshëm i RTK-së në atë kohë për ndërprerjen e transmetimit të emisionit “Milioneri”, ky vendim sipas kontratës respektivisht, nenit 14, duhet të kishte vetëm efekt të përkohshëm dhe se i njëjti në asnjë rast nuk ka pasur edhe efekt suspenziv në kuptim të mos-prodhimit të emisioneve nga këtu paditësi.
Ky vendim është marrë nga Gjykata Komerciale e Kosovës, Dhomat e Shkallës së Dytë nga kolegji i përbërë nga Fisnik Nuli,(kryetar i kolegjit), Ramush Bardiqi dhe Krenar Berisha (anëtar).
KALLXO.com ka dërguar pyetje në Radio Televizionin e Kosovës për të marrë qëndrimin e tyre lidhur me këtë vendim, mirëpo të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigjje deri në publikimin e këtij lajmi.
Ndërsa avokati Korab Rexhepi, i cili përfaqëson N.SH “Grand Media”, për KALLXO.com ka thënë se nuk mund të prononcohet lidhur me këtë vendim pa u konsultuar me klientin e tij.