Gjykimi lidhur me ndërtesën më të lartë në Prishtinë, ekspertja e arkitekturës prezanton ekspertizën
Në Gjykatën Komerciale është mbajtur shqyrtimi kryesor në rastin ku pronari i N.T.P. “Anea”, Naim Berisha, po vazhdon të kërkojë lokalet në objektin e njohur si më i larti në Prishtinë nga “ENK Invest Group”, i cili sot quhet “Prishtina City Center”.
Në këtë seancë prezantoi ekspertizën ekspertja e arkitekturës, Blerina Syla,
“Këtë ekspertizë e kam bazuar në shkresat e lëndës, e që janë kontratat mes palëve, vizita në vendpunishte, dhe dokumentacioni teknik ndërtimor, i siguruar në Komunën e Prishtinës-Drejtoria e Inspektimit, Sektori për ndërtim” – shpjegoi ekspertja Blerina Syla.
Më tej ajo shpjegoi shkurtimisht gjetjet e saj.
“Ndërtesa afariste komerciale ekziston. Dallimi në mes projektit të vjetër dhe të riut ekziston tek emërtimi i lokaleve, dhe jo nga destinimi i tyre, sepse emërtimi ka qene lokalet dhe ka mbetur me emërtim lokale, kam arritur në propozime të cilat janë të përcaktuara në faqen 12 të ekspertizës, si dhe në pjesën grafike të bashkëngjitura në ekspertizë” – tha ekspertja Blerina Syla.
Ndaj ekspertizës së Sylajt palët deklaruan se nuk kanë vërejtje.
I autorizuari i paditësit, avokati Selim Nikqi, tha se konstatimet e ekspertizës e kanë provuar faktin se ka pasur ndryshim të projektit të objektit në të cilin janë kontraktuar ndërtimi i lokaleve.
“Por ekzistojnë hapësirat të cilat për nga niveli, kahja, sipërfaqja, i përgjigjen lokaleve të kontraktuara me marrëveshje për bashkimin e mjeteve” – shtoi avokati Selim Nikqi.
Ai përveç të tjerash tha se sipas ekspertizës përfundohet se pas ndryshimit të projektit nuk ekzistojnë numrat e lokaleve sipas marrëveshjes.
Përfaqësuesi i tashmë “Prishtina City Center”, avokati Virtyt Ibrahimaga, tha ekspertiza nuk ka sjellë diçka të re, e cila duhet të merret parasysh në raportin e kontestit.
“Ekspertiza ka konkluduar se objekt nuk ka, asgjë më pak ka objekt të regjistruar, ekspertiza ka konkluduar se objektet e kontraktuara nuk gjenden në objekt, gjithashtu është konstatuar fakti se objekti dhe leja ndërtimore është ndryshuar. Duke pasur parasysh këto rrethana e paditura deklaron se objektet e kontraktuara nuk ekzistojnë” – deklaroi avokat Virtyt Ibrahimaga.
Përfaqësuesi i “Prishtina City Center”, ndër të tjera tha se lokalet janë kontraktuar nga pala paditëse sipas planit i cili tani nuk ekziston.
“Palët janë ra dakord edhe për rastin nëse projekti ka vonesa apo nuk realizohet, dhe kjo marrëveshje ka të bëjë me vlerat e kompensimit të cilat parashihen në kontratë” – shtoi avokait Virtyt Ibrahimaga.
Në replikë ndaj avokatit Ibrahimaga, avokati Nikki e cilësoi qëllimkeq pretendimin që konsiston në mosekzistimin e lokaleve të kontraktuara.
Avokati Selim Nikki në këtë seancë paraqiti edhe dy propozime.
“Propozoj që Gjykata të obligojë eksperten që me matje në vend ngjarje dhe vënien e pikave kufizuese të hapësirave në nivelin dy të objektit të ndërtuar sipas projektit, në veri, të bëj identifikimin e këtyre lokaleve, dhe saktësoj edhe numrat e tyre sipas projektit të ndryshuar. Gjithashtu ngelim pranë propozimit të dhënë që Gjykata lidhur me fitimin e humbur të caktojë marrjen e provës me ekspertizë të fushës financiare, duke marrë për bazë qiratë e lokaleve në objektin e “Prishtina Mall”, “Albi Mall” dhe “Royall Mall”” – tha avokati Selim Nikqi.
Këto dy propozime u kundërshtuan nga përfaqësuesi i palës së paditur “Prishtina City Center”.
E propozimi lidhur me detyrimin shtesë të ekspertes së arkitekturës u refuzua edhe nga Gjykata, kurse aprovimi lidhur me nxjerrjen e provës me ekspertizë nga lëmia financare u aprovua.
Ky rast po gjykohet nga gjyqtari Gent Bekeri.
Në vitin 2009, Naim Berisha dhe Azem Salihu vendosën t’i bashkojnë mjetet e tyre me kompaninë “ENK Invest Group” SH.A. që vetëm se kishte filluar ndërtimin e objektit që atë kohë flitej që do ishte mbi 40-katësh.
Dy biznesmenë nga Prishtina blenë lokale në ndërtesën shumëkatëshe që po ndërtohej në qendër të Prishtinës.
Kontratat ishin nënshkruar me një kompani që udhëhiqej nga një shtetas nga Maqedonia e Veriut, ndërsa investitori i ri që bleu aksionet nuk pranon t’i ofrojë lokalet e kontraktuara mirëpo pretendon se mund t’ua kthejë paratë biznesmenëve.
Të dhënat tregojnë që kontesti për këta biznesmenë është duke u endur në gjykatat e vendit për shumë vite.
Kur Gjykata e Prishtinës gjykoi çështjen e biznesmenit Salihu atij iu dha të drejtë.
Një dosje e ngjashme për biznesmenin Berisha u gjykua ndryshe nga Gjykata e Prishtinës, e cila nuk i dha të drejtë këtij të fundit. Çështja është në Gjykatën e Apelit.
Objekti për të cilin bëhet fjalë, që gjendet në lagjen “Pejton” të Prishtinës, ende nuk ka përfunduar.
Hulumtimin e plotë të Kallxo.com lidhur me këtë çështje e gjeni në këtë LINK.
Raportimet paraprake nga seancat e këtij rasti i gjeni duke klikuar këtu.