Hulumtim: Paguan paratë por nuk i morën lokalet në ndërtesën shumëkatëshe në Prishtinë

Në edicionin e radhës të emisionit “Kallxo Përnime” po transmetohet hulumtimi që zbardh problemat që u lindën dy biznesmenëve nga Prishtina pasi ata vendosën të investojnë në objektin e njohur si më i larti në Prishtinë.

Në vitin 2009, Naim Berisha dhe Azem Salihu vendosën t’i bashkojnë mjetet e tyre me kompaninë “ENK Invest Group SH.A” që vetëm kishte filluar ndërtimin e objektit që atë kohë flitej që do ishte mbi 40-katësh.

Objekti në fjalë, që gjendet në lagjen Pejton të Prishtinës, ende nuk ka përfunduar.

Naim Berisha ka paguar shumën e mjeteve prej 652 mijë  euro në xhirollogarinë e kompanisë ndërtuese por aksionarët e rinj të kompanisë nuk po pranojnë t’ia japin lokalet sipas metrave katrorë që Berisha ka paguar.

Problemin e njëjtë me Berishën e ka edhe një biznesmen tjetër, Azem Salihu, i cili ka paguar 135 mijë euro por edhe ky nuk po mund ta marrë lokalin pasi kompania ndërtuese po refuzon t’ia japë në posedim edhe këtij lokalin.

Berisha ka treguar për emisionin “Kallxo Përnime” se në vitin 2009 ka paguar mjetet dhe sipas kontratës në vitin 2014 do duhej të merrte në posedim lokalet.

“Në vitin 2009 ne si familje kemi vendosur të investojmë në blerjen e dy lokaleve në lagjen Pejton sipas marrëveshjes i kemi paguar të gjitha paratë dhe çdo herë jemi interesuar se pse nuk po përfundon objekti dhe diku rreth vitit 2017 nga drejtori i ri na u tha se juve ua kthej paratë dhe nuk mundeni me i marrë lokalet”, tha Berisha.

Kontratën për bashkimin e mjeteve në vitin 2009 e kishte nënshkruar edhe Azem Salihu dhe i kishte paguar  paratë sipas marrëveshjes me investitorin.

“Neve kemi nënshkruar marrëveshjen në vitin 2009 dhe kemi paguar paratë ashtu qysh jemi marrë vesh për një metër katror kemi paguar 3,500 euro duke mos e përfshirë edhe TVSh por në vitin 2016 nga drejtuesit e rinj na u tha se nuk mundeni me marrë lokalin sepse objekti ka pësuar ndryshime. Na thanë se jua kthejmë paratë por ne nuk pranuam sepse ata i kanë mbajtur sa vite paratë tona”, tha Salihu.

Ekipi i “Kallxo Përnime” kishte vizituar zyret e ish-“ENK Invest Group SH.A” që sot quhet “Prishtina City Center”, për ta marrë komentin e tyre ne lidhje me pretendimet e dy biznesmenëve. Një përgjigje me shkrim e kishte kthyer drejtori Isuf Haxhiu, i cili nuk i mohon pagesat por pretendon se nuk ka lokale për dy biznesmenët.

“Lidhur me pretendimet e Paditësve, ne jemi deklaruar pranë gjykatës dhe për te ruajtur sekretin e gjykimit, nëse ju e vlerësoni mund ti drejtoheni Gjykatës me kërkesë për marrjen e informacionit zyrtar nder te cilat do mund te gjeni edhe deklarimet e PCC përpara Gjykatës rreth pretendimeve te paditëseve. Ne momentin e nënshkrimit te kontratës, ENK nuk ka qene e pajisur me leje ndërtimore. Për ketë arsye Kontrata ka qene e lidhur me kusht qe ENK te pajiset me leje ndërtimi dhe te kryente punimet deri me date 07.09.2013. Lidhur me ketë paditësit kane qene ne dijeni dhe çmimin e volitshëm qe e kane marre ka qene i ndërlidhur me marrjen e lejes se ndërtimit. Deri me 07.09.2013 nuk është dhëne leja e ndërtimit pa faj te PCC, dhe nga Komuna leja  e ndërtimit për Qendrën Tregtare është lëshuar nga Komuna Prishtine vetëm ne Janar 2018 kështu qe kushti i kontratës nuk është përmbushur.

Proceset gjyqësore për te cilat ende nuk ka vendim te formës se prere, janë mosmarrëveshje te natyrës private ne mes te dy subjekteve dhe nuk është çështje me interes publik. Sipas ligjeve ne Kosove kontratat private dhe mosmarrëveshjet qe lindin nga to mund te gjykohen vetëm nga Gjykatat dhe jo nga opinioni publik. Ne besojmë qe nuk ka ndonjë interes publik për te ditur sesi i përmbush një pale ose një tjetër detyrimet kontraktore , prandaj involvimi i publikut ne ketë çështje është tërësisht e pazakonte dhe ne gjykimin tonë nuk ka asnjë shpjegim tjetër përveç se paditësit kërkojnë te përdorin median për ndikim ne procesin gjyqësor”, thuhet ne përgjigjen e drejtori të PCC, Isuf Haxhiu.

Kompania pretendon se palët që kanë kontratat e tyre me kompaninë ndërtuese mund t’i marrin paratë e tyre  edhe kamatën ligjore por kompania po e kundërshton kompensimin për fitimin e humbur.

“Blerësit kanë te drejte qe ti marrin mbrapsht pagesat qe kanë bërë  bashkë me Interesat ne kushtet kur nuk u arrit te behet ndërtimit brenda afati te kontratës dhe kjo nuk është kontestuar asnjëherë nga Kompania jone madje ju është ofruar ne mënyre te vazhdueshme arritja e një marrëveshje. Tani Blerësit dëshirojnë qe me çmim te njëjte te blejnë patunmerine e njëjtë sipas kushteve te ndryshuara ndërtimore ne vitin 2022. Kjo nuk ka qene asnjëherë e kontraktuar. Kontratat e lidhura nuk janë përmbushur , sepse nuk është arritur te merret leja ne kohë. Lidhur me ketë palët dhe kushtet kontraktuese kane qene ne dijeni dhe me vullnet i kane nënshkruar kontratat përkatëse qe janë dorëzuar si prove dhe ne Gjykate dhe qe besoj i kane depozituar edhe pranë redaksisë tuaj. Te dy Paditësit kane incuar padi dhe tani padite e tyre ne procese te pavarura janë duke u shqyrtuar nga Gjykatat Kompetente ne Kosove. Por mesa kuptojmë ne paditësit dëshirojnë qe te ushtojmë trysni ne gjykate duke përdorur median dhe këto kërcënime mi kane bere edhe mua verbalist ne takimet qe kam zhvilluar me ta”, thuhet ne përgjigjen e kompanisë PCC.

Pasi që palët nuk kanë mundur t’i marrin lokalet e tyre ata i janë drejtuar gjykatës me padi.

Azem Salihu që kishte bërë padi në vitin 2016 ende nuk e ka kryer rastin në Gjykatë. Ai këtë rast e kishte fituar njëherë në shkallën e parë te gjyqtari Asllan Krasniqi por rasti kishte shkuar në Gjykatën e Apelit me ankesën e përfaqësuesit të autorizuar të ENK-së ku aktgjykimi ishte prishur dhe rasti ishte kthyer te gjyqtari Bajram Miftari ku është duke u gjykuar.

“Neve e kemi fituar rastin ne shkallën e parë por Gjykata e Apelit e ka prishur rastin dhe tash jemi në rigjykim tek gjyqtari Bajram Miftari i cili për çudi e kishte refuzuar padinë e Naim Berishës i cili po ashtu si unë ka blerë dy lokale në atë qendër tregtare”, ka theksuar Salihu.

Për dallim nga Salihu, Naim Berisha rastin e kishte humbur në shkallën e parë te gjyqtari Bajram Miftari.

“Neve kemi shumë dyshime rreth atij aktgjykimi sepse gjyqtari na ka refuzuar padinë pa saktësuar se ku mbesin paratë, çka ndodh me lokale dhe ne kemi bo ankesë te Gjykata e Apelit dhe tash jemi duke pritur që aty do vendoset drejtësia”, ka theksuar Berisha.

Për pretendimet e Naim Berishës kemi kërkuar ta intervistojmë edhe gjyqtarin Bajram Miftari por i njëjti nuk ka dashur të flasë me arsyetimin se nuk i komenton aktgjykimet.

“Lidhur me kërkesën tuaj për të komentuar aktgjykimin, I.EK.nr. 327/18, ju njoftojmë se aktgjykimi nuk komentohet nga ana e gjyqtarit, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese dhe është gjykata e shkallës më të lartë ajo që vlerëson aktgjykimin”, thekson Gjykata ne përgjigjen e saj.

Për ta kuptuar se si ndodhi që rasti i Salihut mos t’i kthehet gjyqtarit të njëjtë që e kishte gjykuar herën e parë por te gjyqtari që tashmë e kishte refuzuar padinë e Berishës kemi kërkuar nga Gjykata e Prishtinës përgjigje.

“Duke ju referuar kërkesës tuaj për informacione, ju njoftojmë se me lëndën me numër II.EK.nr.96/2016 ka qenë i ngarkuar gjyqtari Asllan Krasniqi, por meqenëse i njëjti ka kaluar me detyrë në një gjykatë tjetër, të gjitha lëndët me të cilat ishte i ngarkuar, janë ri-caktuar tek gjyqtarët e tjerë të Departamentit Ekonomik”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës.

Në kohen kur janë nënshkruar kontratat dy biznesmenët ishin ulur atë kohë me drejtorin gjeneral Edmond Kërliu,. Ai sot nuk është pjesë e kompanisë por pretendon se dy biznesmenët i kanë paguar paratë dhe ai është dëshmitar që paratë e biznesmenëve kanë shërbyer për t’u ndërtuar objekti në fjalë.

“Unë nuk jam në emër të ‘Invest Grup’ që 7 vjet. Unë jam larguar moti prej kompanisë, nuk kemi gjetur rrugë të përbashkët me partnerët dhe jam larguar, nuk është me rendësi unë apo kush është, kompania është me rëndësi, aksionet mund të jenë të kujtdo në botë, kompania garanton për atë, ata të dy kontratat i kanë 100% të pastërta, me ligj, me Zot, i kanë paguar lekët dhe është gjynah prej Zotit me u tallë. Ata i kanë paguar paret, dhe ato pare janë përdorur për kompaninë, dhe mund të vërtetohet sepse atë ditë që janë paguar lekët e tyre ku kanë shkuar ato lekë, këtu nuk ka kurrgjë kontestuese, ajo është kontratë ligjore 100%”, ka theksuar Kërliu.

Dy biznesmenë nga Prishtina blenë lokale në ndërtesën shumëkatëshe që po ndërtohet në qendër të Prishtinës.

Kontratat ishin nënshkruar me një kompani që udhëhiqej nga një shtetas nga Maqedonia e Veriut, ndërsa investitori i ri që bleu aksionet nuk pranon t’i ofrojë lokalet e kontraktuara mirëpo pretendon se mund t’i kthejë paratë te biznesmenët.

Të dhënat na tregojnë që kontesti për këta biznesmenë është duke u endur në gjykatat e vendit për më shumë se katër vite ndërsa çështja është gjykuar me standarde të ndryshme në dy situata.

Kur Gjykata e Prishtinës gjykoi çështjen e biznesmenit Salihu atij iu dha të drejtë. Çështja u kthye në rigjykim nga Gjykata e Apelit.

Një dosje e ngjashme për biznesmenin Berisha u gjykua ndryshe nga Gjykata e Prishtinës, e cila nuk i dha të drejtë këtij të fundit. Çështja është dërguar në Gjykatën e Apelit.