Vazhdojnë rrugën disa prej autobusëve që u ndalën në kufirin Serbi - Kroaci

Një pjesë e autobusëve me targa të Kosovës, që ishin ndaluar nga autoritetet serbe në pikën kufitare me Kroacinë, tashmë kanë filluar që të vazhdojnë rrugën e tyre.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com Jakup Berisha, kryetari i Shoqatës së Transportit Rrugor të udhëtarëve.

“Vetëm një pjesë e autobusëve janë liruar, ndërsa tek një pjesë tjetër është duke vazhduar kontrolli dhe sapo të përfundojë, po presim që me u liru edhe ata. Kjo mund të jetë edhe për shkak të presionit ndërkombëtar ndaj Serbisë” – tha Berisha.

Gjithashtu, kompania turistike “Zhitia Turist” ka njoftuar se në orën 15:00 janë nisur autobusët e tyre për në destinacionet përkatëse.

“Në ora 15:00 janë nisur për në destinacionet e tyre të gjithë bashkatdhetarët që u bllokuan pa asnjë arsye të vetme në kufirin Kroaci – Serbi nga ana Serbe, po ashtu ju njoftojmë se në autobusë gjinden të gjithë dhe nuk është ndalur asnjë bashkatdhetarë nga autoriteter serbe, ne si kompani ju qëndruam afër aq sa mundëm me pije dhe gjëra ushqimore gjë që e kemi borgj sepse jemi të betuar në ditë të mira dhe në ditët më të vështira do të ju qëndrojmë afër bashkatdhetarëve tanë. Jua sqarojmë se nisjen e kishim të mundshme nga ora 13:00 mirëpo nuk pranuam sepse aty mbeteshin afërsisht 25 bashkatdhetarë për tu intervistuar jo vetëm në autobusët tanë mirëpo tek të gjithë që ishin aty ,mirëpo vendosëm TË GJITHË ose ASNJË” – thuhet në njoftimin e tyre.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovë, ka njoftuar se më 16 prill, në orët e vona, pak orë pas votimit në favor të Kosovës të Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, institucionet janë njoftuar, që në vendkalimin kufitar Kroaci-Serbi, në Batrovci, autobusë të operatorëve të ndryshëm të Republikës së Kosovës, të cilët duhej të kalonin tranzit nëpër Serbi, janë ndaluar nga autoritetet kufitare të Serbisë.

Sipas MPJD-së, qytetarët e Kosovës që po vinin në drejtim të Kosovës janë ndaluar edhe në kufirin me Hungarinë, në pikat kufitare në Shid dhe Suboticë, te vendkalimi kufitar Dheu i Bardhë dhe nuk po lejohen as të lëvizin përpara dhe as të kthehen pas.

Kurse, Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë, i ka quajtur të pabaza raportimet për ndalimin e autobusëve me regjistrim të Kosovës në pikat kufitare.

Sipas komunikatës së këtij institucioni serb, policia e tyre nuk ka ndaluar askënd apo të pengojë hyrjen dhe kalimin e çdo qytetari nga Kosova.

Sipas MPB-së së Serbisë, po forcohet kontrolli i të gjithë pasagjerëve në pikat kufitare.