Fakulteti Teknik në Mitrovicë të Veriut- Foto: KALLXO.com

Universiteti i Prishtinës kërkon kthimin e pronës në Mitrovicë të Veriut, paralajmëron masa ligjore

Fakulteti i Shkencave Teknike në Mitrovicë të Veriut po e shfrytëzon ilegalisht pronën e Universitetit të Prishtinës. Kështu po pretendon rektori i Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu.

Në një prononcim për KALLXO.com, Hajrullahu ka thënë se më 09.02.2026 i ka dërguar kërkesë Fakultetit për lirimin e objektit brenda afatit 30-ditor.

Sipas rektorit, nga verifikimet zyrtare të kryera rezulton se kjo pronë është duke u shfrytëzuar pa një marrëveshje të formalizuar me Universitetin e Prishtinës, çka kërkon rregullim të menjëhershëm në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Si rrjedhojë, që nga data e lartcekur deri në përfundimin e afatit, Universiteti obligon Fakultetin Teknik ta lirojë vullnetarisht pronën dhe t’ia dorëzojë pronarit të ligjshëm, në këtë rast Universitetit të Prishtinës.

Ose të iniciojë kërkesë formale për rregullimin e marrëdhënies juridike dypalëshe për shfrytëzim, për çka UP qëndron në dispozicion.

“Deri në miratimin zyrtar të ndonjë marrëveshjeje, çdo shfrytëzim i mëtejmë i pronës konsiderohet i parregulluar dhe pa bazë juridike. Në mënyrë të veprimit brenda afatit të përcaktuar, Universiteti i Prishtinës do të ndërmarrë masat ligjore të parashikuara për mbrojtjen e pronës së vet”- theksohet në letrën e dërguar nga Universiteti.

Lidhur me këtë, KALLXO.com ka kontaktuar edhe Dekanatin e Fakultetit Teknik për të marrë një qëndrim rreth vendimit të UP-së, mirëpo deri në publikimin e shkrimit nuk ka kthyer përgjigje.

Në anën tjetër, Akadamia Serbe e Shkencave dhe Arteve (SANU) është shprehur e shqetësuar me vendimin e Universitetit të Prishtinës.

SANU thekson se ky hap mund të rrezikojë seriozisht kushtet e punës të të punësuarve në këtë institucion të pavarur të arsimit të lartë dhe, si pasojë, ta vërë në pikëpyetje vazhdimin e studimeve për më shumë se nëntë mijë studentë.

Duke shprehur solidaritet të plotë me studentët dhe profesorët e Fakultetit, SANU i bëri thirrje Qeverisë së Serbisë, konkretisht Ministrisë së Arsimit, që të reagojë.

“Sigurimi i kushteve për vazhdimin normal të veprimtarisë arsimore dhe shkencore të të gjitha institucioneve që janë në përbërje të UPKM, garantimin e të drejtës së studentëve për të vazhduar studimet dhe për të marrë diploma të vlefshme”- janë hapat që ky institucion kërkon t’i ndërmarrë Qeveria.

Mes temash të tjera, në takimin e Gerard McGurk, shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë dhe Arben Hajrullahut, rektor i Universitetit të Prishtinës, të martën, më 03.03.2026, u diskutua edhe gjithëpërfshirja në arsim dhe pronat e UP-së.

Tejkalimi i ndasive nga e kaluara, respektimi i shumëllojshmërisë dhe krijimi i mundësive për një shoqëri më mendjehapur dhe më të integruar, në mënyrë që gjeneratat e tanishme dhe ato që do të vijnë të mos i përjetojnë ndasitë dhe dhunën sikurse gjeneratat më parë, ishin pikat që u vënë në diskutim.

“Duke treguar se UP-ja ka vende të rezervuara për komunitetet joshumicë që jetojnë në Kosovë, rektori, prof. Arben Hajrullahu, tha se studentët nga të gjitha komunitetet pa përjashtim janë më se të mirëseardhur në Universitetin e Prishtinës”- thuhet në njoftimin e UP-së.

Të enjten, më 05.03.2026, në një takim të drejtuesve të UP-së me një delegacion nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, u fol kryesisht për kthimin e pronave të uzurpuara të Universitetit të Prishtinës dhe mundësitë e shumta të bashkëpunimit mes dy institucioneve.

Sipas njoftimit, ministrja Fitore Pacolli-Dalipi potencoi se shumë prona publike në plot raste të ndryshme janë atakuar, ndërsa theksoi se për institucionin që ajo drejton, pronat e UP-së do të jenë prioritet.

“Gjatë hartimit të planit hapësinor ekspertiza nga Universiteti i Prishtinës dhe vetë ky institucion arsimor duhet ta ketë rolin kryesor, ndërsa ndihmë do të ofrojnë edhe institucionet e rëndësishme evropiane”- thuhet në njoftim.

Rreth një muaj më parë, përfaqësues të Listës Serbe janë mbledhur në një takim urgjent, siç e quajtën ata, në Fakultetin e Shkencave Teknike në Mitrovicë të Veriut.

Të pranishëm ishin edhe kryetarët e dhjetë komunave me shumicë serbe në Republikën e Kosovës dhe përfaqësues të fushës së shëndetësisë dhe arsimit që financohen nga buxheti i Serbisë.

Në këtë takim u diskutua integrimi i sektorit të shëndetësisë dhe arsimit në sistemin e Republikës së Kosovës.

Zbatimin e tij e kundërshtuan njëzëri të pranishmit me arsyetimin se do të rrezikohen të drejtat themelore të njeriut, mbi të gjitha të drejtën për jetë, trajtim, arsim, strehim dhe gëzim të lirë të pronës.

Përmes deklaratës që u tha nga kryesuesi i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, Ivan Zaporozaq, pozicioni i këtyre institucioneve, sipas tij, duhet të zgjidhet nga dialogu midis Beogradit dhe Prishtinës përmes krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Zaporozaq tha se LS mirëpret përpjekjet e forta dhe të vazhdueshme të vendeve të QUINT-it për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme dhe të drejtë për problemet që sipas tij kanë lindur.

Për të miratuar këtë deklaratë, të gjithë të pranishëm ngritën duart lart dhe duartrokitën.

Më 18.09.2025, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u kishte dërguar mesazh serbëve të Kosovës duke thënë se ata meritojnë “qasje të barabartë në të mirat e përbashkëta” dhe se sistemi paralel i arsimit dhe shëndetësisë nuk është i qëndrueshëm.

Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila ka mbështetjen e Beogradit, kishte reaguar ndaj deklaratave të Kurtit, duke theksuar se “kërcënimet për njëfarë integrimi të shëndetësisë dhe arsimit në sistemin kosovar nuk janë pjesë e asnjë negociate apo marrëveshjeje”.

Lista Serbe kundërshton që arsimi dhe shëndetësia në veri të integrohen në sistemin e Republikës së Kosovës