The Guardian: Rusia rekruton serbë në përpjekje për t’i plotësuar forcat ushtarake në Ukrainë

Një listë e sinjalizuesve kundër luftës që duket se i zbulon planet për të thirrur qindra serbë që t’i forcojnë ushtritë e Moskës, ka rrjedhë për publikun, shkruan sot gazeta prestigjioze britanike, The Guardian.

Në fillim të shtatorit, Branko ishte brenda një fluturimi direkt nga Beogradi për në Moskë.

Pas disa ditësh në kryeqytetin rus, Branko, me tre shtetas të tjerë serbë, u dërgua në një qendër rekrutimi ushtarak në Krasnogorsk, një qytet në periferi të Moskës, ku grupi nënshkroi një kontratë me ushtrinë ruse.

“Gjithçka shkoi shumë shpejt; brenda një dite u bëra ushtar për Rusinë… Tani po pres të më dërgojnë në Ukrainë”, thotë Branko në një shkëmbim tekstesh në Telegram, duke kërkuar të jetë anonim në mënyrë që të mund të fliste lirshëm.

Branko, emër i sajuar, ishte pjesë e përpjekjes më të fundit të Moskës për t’i rekrutuar serbët që të luftojnë krahas ushtrisë ruse në Ukrainë, ndërkohë që Kremlini zyrtar kërkon t’i plotësojë forcat e tij, të varfëruara nga 18 muaj luftime.

Bazuar në llogaritë e ofruara nga dy luftëtarë serbë që udhëtuan në Rusi, si dhe në një listë të zbuluar të serbëve të rekrutuar, gazeta prestigjioze Guardian zbuloi se zyrtarët rusë duket se kishin bërë plane për të rekrutuar qindra shtetas serbë për të forcuar ushtrinë.

Që nga fillimi i luftës në Ukrainë, Rusia ka prezantuar një sërë ligjesh për t’i joshur qytetarët e huaj që t’i bashkohen radhëve të ushtrisë ruse. Vladimir Putin, në një takim sigurie menjëherë pasi trupat e tij pushtuan Ukrainën, pati deklaruar se Kremlini duhet të ndihmojë njerëzit nga jashtë që planifikojnë të luftojnë në anën e Rusisë.

Që atëherë, udhëheqësi rus ka nënshkruar një urdhër për uljen e kohëzgjatjes minimale të kontratës së shërbimit ushtarak për të huajt nga pesë vjet në një vit dhe ka ofruar një lëvizje të shpejtë rekrutimi për luftëtarët jo-rusë.

Serbia, kandidate për anëtarësim në BE që nga viti 2012, ka bërë përpjekjke për t’i balancuar lidhjet historikisht të ngushta me Rusinë kundër aspiratave për integrim me Evropën dhe tensionet janë përkeqësuar nga lufta në Ukrainë, me shumë serbë të cilët janë dashamirës ndaj Rusisë.

Ndjenjat pro-ruse janë veçanërisht të larta në mesin e grupeve ultra-nacionaliste të Serbisë, të cilët kanë organizuar një numër tubimesh pro-Moskës që nga fillimi i luftës në Ukrainë.

Ndërkohë që numri i serbëve të rekrutuar deri më tani nuk duket të jetë mjaft i rëndësishëm për ta bërë një ndryshim të prekshëm në fushëbetejë, veprimet e Moskës rrezikojnë t’i tensionojnë marrëdhëniet e saj me Serbinë, një nga aleatët e saj të paktë në Perëndim.

Udhëheqësi i skemës serbe të rekrutimit, një plan që dukej se ishte hartuar gjatë verës, ishte Davor Saviçiq, një serb që ka kaluar vite duke luftuar si pjesë e inkursionit të parë të Rusisë në Ukrainë në vitin 2014.

Saviçiq ka qenë gjithashtu i ndërlidhur me grupin paramilitar ëagner. Gazeta Fontanka ka raportuar se ai kishte luftuar më parë në Siri me Grupin ëagner. Dy burime të afërta me grupin paraushtarak e kanë konfirmuarpër Guardian përfshirjen e mëparshme të.

Në një intervistë më 21 gusht me prezantuesin e shquar pro-Kremlinit, Vladimir Solovyov, Saviçiq ka folur hapur se si ishte vënë në krye të një njësie të shtetasve serbë në Ukrainë.

“Tani po nënshkruajmë zyrtarisht një kontratë me Ministrinë ruse të Mbrojtjes. Ushtarët kalojnë nëpër zyrën e regjistrimit ushtarak në Krasnogorsk”, ka thënë ai, duke përshkruar detaje që përputheshin me llogarinë e rekrutimit të Brankos. “Pas trajnimit shtesë, djemtë dërgohen në drejtim të Luhanskut”, ka shtuar Saviçiq, duke iu referuar rajonit lindor të Ukrainës që është një nga objektivat kryesore të Putinit.

Gjatë intervistës, edhe një tjetër serb i quajtur Dejan Beriq ishte ulur pranë Saviçiqit i cili i tha Solovyov-it se luftëtarët serbë janë regjistruar si pjesë e divizionit 106 ajror të Rusisë.

“Kur Vladimir Vladimirovich [Putin] i lejoi të huajt të vinin, unë bëra një plan se si do të funksiononte gjithçka dhe iu drejtova gjeneralit tim”, thotë Beriq, duke treguar Saviçiqin. “Djemtë vijnë, ne i takojmë, pastaj ata menjëherë shkojnë në zyrën e listimit dhe regjistrimit ushtarak dhe nënshkruajnë një kontratë”.

“Shumica e vullnetarëve të huaj në ushtrinë ruse janë nga Serbia”, shton ai.

Beriq, një burrë i trupdobët me flokë të gjata të zeza, kishte dhënë më parë intervista për mediat shtetërore ruse në të cilat ai përshkruante se si luftoi si pjesë e Republikës Popullore të vetëshpallur pro-ruse të Donetskut në Ukrainë nga viti 2014.

Zyrtarët rusë duket se po e koordinojnë nga afër procesin e rekrutimit.

Shërbimi në gjuhën ruse i BBC, i cili javën e kaluar raportoi për herë të parë për skemën serbe të rekrutimit, ka thënë se kishte marrë një regjistrim privat të një takimi midis Saviçiqit dhe zyrtarëve të paidentifikuar në Moskë, në të cilin Saviçiq thotë se kishte në plan t’i rekrutonte deri në 1000 shtetas serbë që do ta formonin batalionin e vet si pjesë e divizionit ajror 106.

Numri i saktë i serbëve që kanë nënshkruar kontratë me ushtrinë ruse mbetet i paqartë.

Orden Respubliki, një grup sinjalizues rus kundër luftës, ka ndarë me The Guardian një listë që përmban 13 serbë që thuhet se janë regjistruar me ushtrinë ruse që nga shtatori. Dy nga 13 burrat e përmendur në listë, përfshirë Brankon, i janë përgjigjur kërkesave për një koment nga The Guardian.

“Jemi rreth 60-70 burra deri tani”, thotë një nga serbët i cili është pjesë e listës së lartcekur, i cili gjithashtu udhëtoi nga Serbia në Moskë në muajin shtator, duke shtuar se ai ka nënshkruar me “divizionin e 106-të ajrore”.

Burri në fjalë thotë se ka vendosur të bashkohej me ushtrinë ruse për “arsye ideologjike” dhe se pagesat fitimprurëse ushtarake luanin një “rol dytësor”.

Përpjekja e rekrutimit rrezikon të nxisë tensione midis Moskës dhe Beogradit. Janarin e kaluar, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, reagoi me zemërim në televizionin kombëtar kur një videolajm rus pretendonte se shfaqte vullnetarë serbë që stërviten për të luftuar përkrah trupave Wagner në Ukrainë.

“Pse ju, nga ëagner, e telefononi dikë nga Serbia kur e dini se është kundër rregullave tona?”, thotë presidenti, duke iu referuar ligjit që i ndalon serbët të marrin pjesë në konflikte jashtë vendit.

Edhe ministri serb i mbrojtjes, Millosh Vuçeviq, i ka paralajmëruar serbët që të mos i bashkohen radhëve ruse. Më shumë se dy duzina nacionalistë serbë që atëherë janë ndjekur penalisht.

Viktor Zaplatin, një veteran rus i luftës që rekrutoi vullnetarë serbë në luftime përkrah forcave pro-ruse në Ukrainë në vitin 2014, thotë se autoritetet serbe kishin bërë përpjekje të mëdha për t’i ndaluar luftëtarët serbë që të shkonin në Rusi.

“Rreziku i ndjekjes penale për ata që kanë shkuar në Rusi dhe janë kthyer në Serbi është shumë i lartë”, thotë Zaplatin. “Në Rusi ka pasur gjithmonë vullnetarë nga Serbia. Kjo do të thotë se atje tani ka vullnetarë, por se cili është numri dhe në çfarë cilësie marrin pjesë dhe shërbejnë mbetet sekret organizativ”./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala