FOTO: Hashim Thaçi/Twitter

Thaçi e 'harron' dekretin: Po menaxhohet gjendja ndaj coronavirusit

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, duke mos përmendur propozimin e tij për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, ka thënë se institucionet e Kosovës janë duke e menaxhuar dhe duke e kufizuar përhapjen e coronavirusit.

“Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike është duke e menaxhuar gjendjen dhe kufizuar përhapjen e virusit COVID-19. Policia është duke e kryer me përpikëri punën e vet dhe duke e ruajtur rendin dhe qetësinë publike. Forca e Sigurisë së Kosovës është në gjendje gatishmërie me të gjitha kapacitetet e veta mjekësore dhe logjistike për të ndihmuar në tejkalimin e rrethanave të krijuara nga virusi COVID-19”, ka thënë Thaçi.

Përmes një pubikimi në Facebook, presidenti ka shkruar se rolin kryesor tani e kanë qytetarët, për t’iu përmbajtur rekomandimeve.

“Të kujdesemi për higjienën tonë. Ta ruajmë distancën fizike mes nesh. Të dalim nga shtëpitë vetëm kur kjo është e domosdoshme. Këto ditë janë kritike për ta kufizuar përhapjen e COVID-19 dhe për t’i lejuar kapacitetet ekzistuese që të përballen me rastet që paraqiten”, thuhet në publikimin e Thaçit.

Presidenti ka thënë se së bashku do të kalohet kjo sfidë.

“Si shtet jemi të përgatitur dhe po punojmë të gjithë së bashku që t’i shtojmë kapacitetet mjekësore, ta ruajmë furnizimin me ushqime dhe materiale sanitare, të ndërmarrim masa dhe t’i ruajmë punëtorët dhe bizneset, të cilat duhet të ndihmohen me politika lehtësuese në muajt e ardhshëm”, thuhet në publikimin e tij.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një konferencë të martën në mbrëmje i ka propozuar Kuvendit që të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme, kurse një ditë më pas deklaroi se dekreti po shqyrtohet nga Zyra Ligjore e Presidentit dhe ajo e Kuvendit.

Ndërkaq, Qeveria e Kosovës e ka konsideruar si masë ekstreme dhe të panevojshme shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.

Ndërsa, kryeministri Albin Kurti të mërkuren para gazetarëve tha se Thaçi u zbraps disi nga ideja për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.

“Padyshim që ka një zbrapsje të presidentit e cila u dokumentua sot edhe para jush. Kjo tregon një lloj nxitimi që siç thotë populli të bëhet më ‘katolik se papa’, të shpallë gjendje të jashtëzakonshme”, tha ai.

KALLXO.com dje ka raportuar se Kuvendi i Kosovës ende nuk e ka pranuar zyrtarisht dekretin e propozuar të presidentit Hashim Thaçi për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme pas situatës së krijuar në vend nga coronavirusi.

Si do të veprojnë grupet parlamentare ndaj dekretit të Thaçit?