Si do të veprojnë grupet parlamentare ndaj dekretit të Thaçit?

Mes kritikave për politizim të gjendjes nga coronavirusi, pandemi kjo e përhapur në mbarë botën, kurse në Kosovë deri më tani me 20 raste të konfirmuara, udhëheqësit shtetëror janë përplasur në atë se kush duhet ta menaxhojë situatën.

Dekreti i propozuar nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi për shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme për shkak të virusit vdekjeprurës Covid-19, së shpejti pritet t’i dërgohet Kuvendit të Kosovës për votim.

Grupet parlamentare të subjekteve politike kanë dhënë qëndrime të ndryshme rreth këtij propozimi, përderisa dallimet janë shpërfaqur edhe nga vetë partnerët e koalicionit qeverisës.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Rexhep Selimi në një prononcim për KALLXO.com ka thënë se qëndrimin e tyre rreth dekretit të Thaçit, do ta bëjë publik me kohë. Kjo parti i ka 29 deputetë në Kuvend.

Edhe Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, të martën ka thënë për KALLXO.com se Kryesia e partisë së tij dhe grupi parlamentar duhet të mblidhen për të diskutuar nëse do ta votojnë propozimin në fjalë. LDK përfaqësohet në Kuvend me 28 ligjvënës.

“Propozimi nuk ka ardhë hala në Kuvend, kur të vjen e shikojmë dhe e japim qëndrimin tonë. Duhet me u mbledh grupi parlamentar dhe Kryesia e partisë për me vendos për këtë çështje”, tha ai.

Por një ditë më parë, zyrtarë të këtyre partive dhanë qëndrime të ndryshme për këtë temë.

Kryetari i LDK-së, partia e të cilit është në bashkëqeverisje me LVV-në, Isa Mustafa të martën gjatë ditës kërkoi që të veprohet me gjendje të jashtëzakonshme.

“Duhet të veprohet sa më shpejt edhe me gjendje të jashtëzskonshme, sepse po përballemi me një fatkeqësi e cila po shpërndahet në tërë territorin e Kosovës. Pse të pritet më shumë. Kushtetuta ka folë qartë!”, u shpreh ai.

Ndërkaq, Qeveria e Kosovës ka vlerësuar se gjendja e jashtëzakonshme e propozuar nga presidenti Hashim Thaçi është masë ekstreme dhe e panevojshme.

Kështu tha në një konferencë për media zëvendëskryeministri Haki Abazi, duke iu referuar qëndrimit të kryeministrit Kurti.

“Kryeministri Kurti është shprehur se nuk është në pajtueshmëri për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme që është propozuar nga presidenti Thaçi. Tani nuk është e nevojshme dhe nuk duhet të merret një vendim të tillë”, ka thënë Abazi.

Përveç kësaj, vendimi i së mërkurës i kryeministrit Albin  Kurti për ta shkarkuar Agim Veliun nga pozita e ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike rrezikon t’i prish marrëdhëniet mes partnerëve të koalicionit.

Në anën tjetër, lideri i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli ka thënë se grupi parlamentar i partisë së tij, do ta votojnë dekretin e presidentit Thaçi.

“Është në dorën e deputetëve që të vendosin për ta kaluar dekretin për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme. Por, edhe vetëm një jetë nëse shpëtohet, ia vlen një vendim të tillë. Prandaj, PDK mbështet idenë për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në tërë vendin”, shtoi Veseli, partia e të cilit i ka siguruar 24 ulëse në Kuvend.

Kurse, deputetja nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadriaj ka thënë për KALLXO.com se ende nuk kanë marr ndonjë vendim nëse do ta përkrahin ose jo propozimin për gjendje të jashtëzakonshme.

“Ende s’jemi taku që me marr vendim. Brenda 2-3 ditëve ne kemi shumë raste, por ne do të diskutojmë si grup parlamentar dhe do të marrim një qëndrim që do të jetë i Aleancës. Më pas normalisht që do të bëhet e ditur edhe për publikun”, theksoi ajo. Grupi Parlamentar AAK-PSD i ka 13 deputetë.

Por mendjen për këtë çështje duket se e kanë ndarë deputetët e Nismës Socialdemokrate (Nisma).

Kryetari i kësaj partie, njëherësh deputet Famir Limaj të mërkurën tha se e mbështesin propozimin e Thaçit.

“Nisma Socialdemokrate është e gatshme, të mbështetë propozim-dekretin e presidentit për masa të jashtëzakonshme. Ne këto masa i shohim në funksion të preventimit zgjerimit të virusit, i shohim në funskion të mbrotjes së qytetarëve të Kosovës, e shohin në mundësinë për aktivizimin e të gjitha resurseve tona të sigurisë dhe atyre ekonomike”, është shprehur ai.

Nisma Socialdemokrate ështe e përfaqësuar në Kuvendin e Kosovës bashkë me AKR-në, me gjithsej 6 deputetë (4 nga Nisma).

Në anën tjetër, Fikrim Damka nga Grupi Parlamentar 6+, i komuniteteve pakicë jo-serbe, tha për KALLXO.com se ende nuk kanë marrë vendim, ndonëse ai personalisht nuk e sheh të nevojshme shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.

“Ende nuk kemi mar vendim si grup përfaqësues, ende nuk jemi dakorduar me deputetët tjerë. Por mendimi im personal si partia turke nuk do të mbështesim të shpallet një gjendje e jashtëzakonshme, por ende nuk e kemi pa dekretin. Derisa nuk e shohim dekretin nuk e di dhe nuk mund të paragjykoj se çfarë ka brenda”, u shpreh ai.

Damka vlerësoi se Qeveria e Kosovës i ka ndërmarrë hapat konkret për menaxhimin e situatës nga Covid-19.

“Unë nuk po shoh që është gjendja qaq e jashtëzakonshme, i kemi 19 raste (tanimë janë konfirmuar 20) me coronavirus dhe asnjë vdekje nuk e kemi deri tani. Qeveria ka marr hapat konkret për me mbrojt popullin dhe unë mendoj se duhet të merren edhe disa hapa shtesë, por jo të shpallet gjendje e jashtëzakonshme sepse kjo krijon një kaos te populli, bëhet një tollovi. Deri tani populli është qetë janë nëpër shtëpi”, tha deputeti nga komuniteti turk.

Ai beson se grupi i tyre parlamentar do të mblidhen në mbrëmje në Prizren dhe do të vendosin për këtë temë. Komunitetet pakicë jo-serbe i kanë 10 ulëse në Kuvend.

Kërkesën e ka kundërshtuar Lista Serbe, e cila ka 10 vende të garantuara në Kuvendin e Kosovës, duke thënë se se ky është një qëllim i fshehtë i Thaçit për të vendosur forcat ushtarake në veri të vendit.

“Prishtina po përpiqet të vendosë të ashtuquajturat forcat ushtarake në Veri të Kosovës nën pretekstin e mbrojtjes së qytetarëve, ndërsa qëllimi i vërtetë është ‘okupimi i heshtur i komunave serbe’”, thuhet në reagimin e Listës Serbe, siç ka raportuar Tanjug.

Për t’u miratuar, propozimit të presidentit për shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme i duhen dy të tretat e votave apo së paku 80 vota  të deputetëve nga 120 sa i ka gjithsej Kuvendi i Kosovës.