Kuvendi ende nuk e ka pranuar zyrtarisht dekretin e Thaçit 

Kuvendi i Kosovës ende nuk e ka pranuar zyrtarisht dekretin e propozuar të presidentit Hashim Thaçi për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme pas situatës së krijuar në vend nga coronavirusi.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com, nënkryetarja e Kuvendit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci.

“Jo, sa kam unë informata akoma s’ka mbërri. Nuk ka asgjë të re. Kryesia nuk ka se si me u mbledhë para se me e marrë kërkesën”, tha Nagavci.

Në anën tjetër, as pozita e as opozita nuk kanë marrë ndonjë ftesë për seancën për të miratuar ose jo dekretin e presidentit, madje ata nuk kanë informacione nëse kryesia e kuvendit do të mbledhet për ta caktuar seancën për këtë iniciativë të presidentit.

Arben Gashi, shef i grupit parlamentar të LDK-së ka thënë për KALLXO.com se ende nuk kanë pranuar ftesë për seancë.

“Ajo çfarë mund të konfirmoj është që deri më tani nuk ka ftesë për seancën për dekretin e presidentit”, u shpreh Gashi.

Ftesë për seancë nuk ka pranuar as grupi parlamentar i PDK-së.

“Deri në këtë moment unë nuk kam pranuar asnje ftesë apo informatë”, ka thënë për KALLXO.com, Bedri Hamza, shef i grupit parlamentar të kësaj partie.

Ndërkaq, të mërkurën presidenti Thaçi tha se tashmë dekretin janë duke e shqyrtuar ligërisht Zyra Ligjore e Presidencës dhe ajo e Kuvendit.

“Tanimë zyra ligjore e Presidentit dhe e Kuvendit janë duke u koorndinuar që të finalizohet procesi i dekretit të presidentit për ndërmarrjen e të gjitha masave të nevojshme për parandalimin dhe tejkalimin e kësaj gjendje në Kosovë”, tha presidenti në konferencë për media në Prishtinë.

Presidenti shtoi se në “minutat vijues” do të jepen detaje për dekretin i cili sipas tij përfshin përfshin gjendje të jashtëzakonshme në tërë territorin e Kosovës, për një periudhë 30 ditore me mundësi vazhdimi, apo zvogëlimit të ditëve.

KALLXO.com ka kontaktuar Zyrën Ligjore të Presidencës për të marrë informacione nëse dekreti është gati dhe nëse ky dekret është dorëzuar në Kuvend, mirëpo të njejtit deri në publikimin e këtij teksti nuk kanë dhënë përgjigje. 

Ndërsa, kryeministri Albin Kurti mbrëmë para gazetarëve tha se Thaçi u zbraps disi nga ideja për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.

“Padyshim që ka një zbrapsje të presidentit e cila u dokumentua sot edhe para jush. Kjo tregon një lloj nxitimi që siç thotë populli të bëhet më ‘katolik se papa’, të shpallë gjendje të jashtëzakonshme”, tha Kurti.

Sipas tij, presidentin Thaçi për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, nuk e mbështeti as drejtori i IShPK-së, Naser Ramadani.

“Me 20 të prekur pa asnjë të vdekur shyqyr, edhe mjekëve edhe policëve edhe farmacistëve edhe krahut edhe maqinës, nuk mund të thoshte se mirë e ka presidenti. Presidenti ushtrojë një trysni ndaj ekspertëve”, tha Kurti para gazetarëve.

Sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës me shpalljen e Gjendjes së Jashtëzakonshme, Presidenti i Republikës së Kosovës shpallë menjëherë dekretin, i cili përcakton natyrën e kërcënimit dhe çfarëdo kufizimi për të drejtat dhe liritë.

Pas propozimit për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, brenda 48 orësh, Kuvendi mund të japë pëlqimin e tij me shumicën e votave të të gjithë deputetëve të pranishëm dhe që votojnë. Nëse nuk jepet pëlqimi, dekreti i Presidentit nuk ka forcë as efekt.

Gjendja e Jashtëzakonshme zgjat për aq kohë sa vazhdon të kërcënojë rreziku dhe nuk mund të zgjatë më shumë se për një periudhë prej gjashtëdhjetë (60) ditësh.

Ajo mund të vazhdohet edhe për 30 ditë mirëpo jo më shumë se 90 ditë.

Deri më tani në Kosovë janë identifikuar 20 persona të prekur me virusin COVID-19. Qytetet si Vitia, Malisheva, Podujeva dhe Klina janë në karantinë pasi në këto qytete u identifikuan disa të prekur me virus.

Si do të veprojnë grupet parlamentare ndaj dekretit të Thaçit?