Foto: Policia e Kosovës

Të shtëna me armë në Novobërdë pas një përplasjeje për prerje drunjsh

Dy persona në Novobërdë kanë raportuar në Policinë e Kosovës se kanë hasur në tre persona të panjohur, të cilët dyshohet se ishin duke prerë dru në malin e tyre. 

Siç njofton Policia, njëri prej ankuesve ka thënë se njëri i dyshuarve kishte në dorë një armë automatike AK-47 dhe se i nëjti ka shtënë disa herë me qëllim që t’i frikësojë ata. 

Po ashtu, siç njofton Policia, njëri prej ankuesve është ballafaquar fizikisht me të dyshuarin e armatosur dhe se i nëjti pasi ka shtënë disa herë me armë, është larguar nga vendi i ngjarjes. 

“Policia në vendin e ngjarjes ka gjetur dhe sekuestruar 12 gëzhoja. Me vendim të prokurorit ndaj ankuesve është iniciuar rasti ‘Vetëgjyqësi’ ndërsa ndaj tre të dyshuarve të panjohur është iniciuar rasti ‘Armëmbajtje pa leje’- thuhet në raportin policor të datës 24.09.2025. 

Policia bën të ditur se është duke e hetuar rastin.