Takimi i ekipeve të Auditimit Social në Pejë për shkëmbim të përvojave, Foto: BIRN Kosova

Takimi në Pejë për shkëmbimin e përvojave në Auditim Social

Shkëmbimi i përvojave për procesin e Auditimit Social ka bashkuar në Pejë grupet e Auditimit Social të Suharekës, Hanit të Elezit dhe atë të Pejës. Ekipi i Auditimit Social ka audituar vitin e kaluar projektin e parkut “Karagaç”, ndërsa këtë vit grupi i qytetarëve të Suharekës dhe Hanit të Elezit janë duke mbikëqyr projekte të ngjashme si shtegu e ecjes në fshatin Mushtisht dhe parkun “Isa Berisha” në Han të Elezit.

Këto tri grupe të Auditimit Social janë bashkuar në një punëtori dyditore në qytetin e Pejës për t’i shkëmbyer përvojat nga auditimi social që është realizuar vitin e kaluar në Pejë dhe ato që janë duke u realizuar këtë vit në Suharekë dhe Han të Elezit.

Përfaqësuesi i Projektit për Decentralizim dhe Përkrahje të Komunave (DEMOS), Drilon Shala, tha se takime e tilla kanë rëndësi të madhe për t’i shkëmbyer përvojat.

“Një ndër arsyet pse sot jemi në Pejë është se vitin e kaluar kemi punuar me grupin e auditimit social në Pejë, ku është audituar projekti i parkut “Karagaq” ndërsa këtë vit kemi grupe të Hanit të Elezit i cili po ashtu është duke e audituar parkun e qytetit “Isa Berisha” në Hanin e Elezit e po ashtu edhe grupi nga Suhareka është duke e audituar projektin e shtegut të ecjes në fshatin Mushtisht në Suharekë” – theksoi Shala.

Punëtoria ka nisur me një vizitë në parkun “Karagaç”, i cili është audituar nga qytetarët vitin e kaluar për të parë nga afër se si janë kryer punimet dhe çka është punuar. Ndërsa gjatë ditës, anëtarët e grupeve të Auditimit Social të tri komunave kanë vizituar Komunën e Pejës dhe janë pritur nga kryetari i saj, Gazmend Muhaxhiri.

I pari i Komunës së Pejës ka thënë se Auditimi Social e ka ndihmuar komunën që ai udhëheq.

“Në si komunë nuk kemi qenë të informuar se kemi me pas auditim social, ka qenë hera e parë që është bërë për parkun “Karagaç”, pra është përzgjedh një projekt prej DEMOS-it njërit prej investimeve që janë bërë bashkërisht me garantin e performancës është një përvoje e re  edhe për komunën po edhe për projektin që auditohet. është një dimension i ri edhe përvojë e re të cilën po e krijojmë ne si komunë ne bashkëpunim me partnerët tanë” – tha Muhaxhiri.

Nga Komuna e Pejës foli edhe drejtori i Shërbimeve Publike, Agron Nikçi. Ai tha se ka qenë përvojë e mirë bashkëpunimi me anëtarët e grupit të Auditimit Social në Pejë.

“Kemi pasur shumë takime rreth projektit “Karagaç”, takimet me banorët na kanë ndihmu shumë neve si drejtori për me i pa edhe më së afërmi se cilat janë kërkesat specifike të tyre rreth këtij projekti” – tha Nikçi.

Vitin e kaluar, grupet e Auditimit Social kanë audituar projektet e përzgjedhura në Komunën e Pejës, Rahovecit, Lipjanit dhe Kamenicës.

Auditimit Social është duke vazhduar edhe këtë vit në pesë komuna të tjera. Grupet e Auditimit Social janë duke audituar projektin për ndërtimin e parkut “Isa Berisha” në Han të Elezit, projektin e ndërtimit të objektit të zjarrfikësve në Kaçanik, projektin për renovimin dhe zgjerimin e rrugës “Kongresi i Manastirit” në Viti, projektin “Ndërtimi i shtegut të ecjes dhe ndërtimi i rrugës Mushtisht – Guri i Matozit dhe rrugës Topliqan – Gjinoc – Ritender” në Suharekë dhe projektin “Ndërtimi i kolektorëve për grumbullimin e ujërave të zeza në Komunën e Drenasit – Projekti dyvjeçar”. BIRN me mbështetjen e DEMOS ka trajnuar 89 qytetarë për të realizuar procesin e auditimit social në projektet e përzgjedhura në Kaçanik, Han të Elezit, Viti, Drenas dhe Suharekë.

Auditimit Social përkrahet nga Projekti për Decentralizim dhe Përkrahje të Komunave (DEMOS), është projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) bashkëfinancuar nga BE-ja, Suedia dhe Norvegjia, dhe zbatuar nga HELVETAS Swiss Intercooperation-Kosovo. DEMOS përkrahë të gjitha komunat e Kosovës për të sjellë ndryshime sistemike që nxisin qeverisjen e mirë, dhe ofrimin e shërbimeve më të mira që ndikojnë pozitivisht në jetën e përditshme të qytetarëve.

Vitin e kaluar procesi i auditimit social në katër komuna është lehtësuar nga CiviKos ndërsa këtë vit po bëhet nga BIRN në pesë komuna të tjera.