Skenderaj: Vrasje si në filma, maskat vrasin në kafiteri

Një person është vrarë pas mesnatës së mbrëmshme në një kafiteri në fshatin Runik Të Skenderajt.

Policia ka njoftuar se një 39 vjeçar ka mbetur i vdekur pasi është goditur me armë zjarri, derisa të plagosur kanë mbetur tre persona tjerë.

Kallxo.com merr vesh se personi i që ka mbetur i vrarë është N. Loshi, kurse njëri prej të plagosurve M.R.

Personat e maskuar kanë përdorur sipas të dhënave të Policisë dy lloje të armëve.

“Rreth orës 01:21, të datës 10 gusht 2023, policia ka marrë informatën për të shtëna me armë zjarri në një kafiteri në fshatin Runik të Skenderajt. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet e nevojshme policore dhe ekipi mjekësor”, njofton Policia.

“Bazuar në hetimet  fillestare, nga arma e zjarrit lëndime kanë pësuar katër persona, njëri nga të lënduarit viktima N. L., 39 vjeçar, ka ndërruar jetë në vendngjarje, ndërsa, tre persona të tjerë të lënduar (po ashtu nga arma e zjarrit) janë dërguar për tretman mjekësor në QKUK”, bën të ditur Policia.

Sipas Policisë nga hetimet  e para dhe këqyrja e vendit të ngjarjes,  dyshohet  se dy persona të dyshuar e të maskuar kanë hyrë brenda në kafiteri  kanë shtënë  me armë dhe  janë larguar në drejtim të panjohur.

“Në cilësi të provave materiale në vendin e ngjarjes janë  gjetur dhe konfiskuar disa gëzhoja. Gjitha veprimet e ndërmarra policore, janë udhëhequr nga prokurori i rastit i  cili ka dalë në vend të ngjarjes ndërsa i njëjti ka autorizuar që trupi i  pajetë i viktimës të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Policia bën të ditur se hetuesit  e Sektorit Rajonal, janë duke punuar intensivisht për  identifikimin  dhe arrestimin e kryesit/ve  të veprës  si dhe zbardhjen e  kësaj vepre penale.