Skandali i 1 milionëshit – Gjykata e Apelit urdhëron paraburgosjen, miraton ankesën e Prokurorisë
Gjykata e Apelit ka marrë vendim që të caktojë masën e paraburgimit për tre shtetasit e Shqipërisë, të cilëve iu gjetën rreth 1 milion euro të fshehura në një hapësirë të improvizuar brenda një furgoni në pikën kufitare në Merdarë më 24.02.2026.
Të dyshuarit në këtë rast janë Aurel Kaziu, polic në radhët e Policisë së Shqipërisë, Ardit Laska dhe Edmir Ahmagjokaj.
Trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësja Afërdita Bytyqi i ka dhënë të drejtë prokurores Shenaj Berisha dhe ka shfuqizuar vendimin e gjykatësit Leon Përlaska, i cili në shkallë të parë për dy herë radhazi kishte refuzuar të caktonte masën e paraburgimit për të arrestuarit për rastin e 1 milion eurove.
Gjykatësit e Apelit konstatuan se në rast kishte prova të mjaftueshme që të dyshuarit të mbahen në paraburgim.
PSRK ka thënë se vendimi i Themelores përdori standarde shumë më të larta sesa ai që kërkohet me ligj, ankesë të cilën e ka konsideruar si të bazuar Gjykata e Apelit.
Më 27.02.2026 gjykatësi Leon Përlaska kishte refuzuar kërkesën e PSRK-së për paraburgim ndaj tre shtetasve të Shqipërisë.
Disa ditë më vonë Gjykata e Apelit kishte kthyer rastin në rivendosje pas ankesës kundër këtij vendimi të parashtruar nga Prokuroria Speciale.
Mbi të njëjtën qasje gjykatësi Leon Përlaska kishte refuzuar kërkesën e Prokurorisë duke rikonfirmuar vendimin e tij për lirimin e të pandehurve.
Më 27.02.2026 Gjykata Themelore ja kishte refuzuar kërkesën për paraburugim PSRK-së ndaj tre shtetasve të Shqipërisë, kurse Apeli rastin e kishte kthyer në rivendosje, ankesë kundër këtij vendimi kishte parashtruar Prokuroria Speciale.
Tutje, Gjykata e Apelit e kishte anuluar vendimin e e Gjykatës Themelore dhe rastin e kishte kthyer në rivendosje.
Gjykata Themelore edhe në rivendosje e kishte refuzuar kërkesën për paraburgim të Prokurorisë Speciale për tre të dyshuarit.
Gjetjet e Gjykatës së Apelit
Kolegji Gjykatës së Apelit ka gjetur se Gjykata e shkallës së parë gabimisht ka vlerësuar se në këtë çështje penale ndaj të pandehurve: Edmir Ahmagjokaj, Aurel Kaziu dhe Ardit Laska, nuk mbështetet dyshimi i bazuar për veprën penale.
Sipas Apelit, Prokuroria Speciale ka dhënë arsye të mjaftueshme lidhur me kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve
Tutje, Kolegji i Apelit ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit: Edmir Ahmagjokaj, Aurel Kaziu dhe Ardit Laska, me dashje dhe duke e ditur se pasuria e caktuar është e fituar përmes aktivitetit kriminal më datë 24.02.2026, rreth orës 13:00, kanë hyrë në territorin e Republikës së Kosovës, përmes pikës kufitare në Merdarë.
“Gjatë kontrollit nga zyrtarët doganorë, pasi janë pyetur nëse posedonin diçka për deklarim, me vetëdije të plotë dhe duke ditur apo së paku duke pasur arsye të dinë se pasuria e fshehur përbënte fitime të siguruara nga aktiviteti kriminal, kanë deklaruar rrejshëm se nuk kishin asgjë për të deklaruar, me qëllim fshehjen dhe maskimin e burimit.” – thuhet në vendim.
Sipas Apelit tre të dyshuarit me veprimet e tyre në bashkëkryerje, kanë fshehur dhe maskuar, burimin dhe vendndodhjen e pasurisë që përbënte fitime nga aktiviteti kriminal, kanë transportuar dhe tentuar t’i transferojnë mjete financiare me qëllim paraqitjen e tyre si të ligjshëm.
Gjykata e Apelit ka vlerësuar se ka bazë ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tre të dyshuarve, ngase ekziston rreziku i arratisjes së tyre, pasi janë shtetas të Republikës së Shqipërisë.
Sipas Apelit, ekziston rreziku real që të dyshuarit, në rast se lihen në liri, mund të kryejnë sërish veprime të njëjta ose të ngjashme, duke penguar procedurën penale.
Gjykata e Apelit argumenton se për shkak të këtyre detajeve, caktimi i masës së paraburgimit është i domosdoshëm.
Vendimi i Gjykatës së Apelit është marrë nga kolegji i përbërë nga Afërdita Bytyqi (kryetare), Mentor Bjaraktari dhe Ferit Osmani (anëtarë).
Ky rast përfaqësohet nga prokurorja e Prokurorisë Speciale, Shenaj Berisha.
Vendimi dy herë radhazi në shkallë të parë është marrë nga gjyqtari Leon Përlaska.
KALLXO.com ka kontaktuar me mbrojtësin e të dyshuarit Aurel Kaziu avokati Betim Shala. I njëjti ka thënë se vendimin e Gjykatës së Apelit ende nuk e ka lexuar, mirëpo do të ushtrojë ankesë ndaj këtij vendimi
“E kam pranu vendimin e Apelit, sapo i shkrova klientit, po pres me kontaktu më të. Te them të drejtën vendimin nuk e kam lexuar akoma dhe nuk di çfarë arsyetimi ka dhanë Apeli, por pavarësisht prej asaj ne kemi të drejt ankese në Gjykatën Supreme dhe me siguri se do realizojmë këtë mundësi që e kemi, dhe do të ushtrojë ankesë.”- ka thënë për KALLXO.com Shala
KALLXO.com ka kontaktuar edhe me mbrojtësin e të dyshuarit Edmir Ahmagjokaj, avokatin Fitim Bunjaku. I njëjti ka thënë se e kanë pranuar vendimin e Apelit, dhe se i mbrojturi i tij i ka thënë se do të bashkëpunojë me organet e drejtësisë.
“Po vendimin e kemi pranu, do të bëj ankesë, përndryshe do ta lajmeroj klientin ai më ka thënë se do te bashkëpunoj me të gjitha organet e drejtësisë”- ka thënë avokati Fitim Bunjaku.
E kontaktuar nga KALLXO.com edhe mbrojtësja e të dyshuarit Ardit Laska, avokatja Adelina Imeri-Hasani tha se e ka pranuar vendimin e Apelit dhge se do të ushtrojë ankesë ndaj këtij vendimi.
“.Sa e pranova vendimin. Ende nuk ka dijeni klienti im. Do të bëjmë ankesë” – ka thënë ajo.
Kërkesa për caktimin e paraburugimit
Të dyshuarit në këtë rast janë Aurel Kaziu, polic në radhët e Policisë së Shtetit, konkretisht në Komisariatin numër 5 në Tiranë, Ardit Laska dhe Edmir Ahmagjokaj, të cilët u arrestuan dhe janë në ndalim.
KALLXO.com ka siguruar kërkesën për caktimin e masës së sigurisë, përmes të cilës Prokurori special ka kërkuar paraburgim prej një muaji ndaj tre të pandehurve, mbi bazën e rrezikut të ikjes së tyre, asgjësimit, fshehjes, ndryshimit dhe falsifikimit të provave. Të njëjtit po dyshohen për “shpëlarje të parave”
“Ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit me dashje dhe duke e ditur se pasuria e caktuar është fituar përmes aktivitetit kriminal, kanë hyrë në territorin e Republikës së Kosovës”- thuhet në kërkesën për caktimin e masës së sigurisë ndaj policit shqiptar dhe dy personave të tjerë që u kapën në Merdarë duke transportuar 1 milion euro të padeklaruara.
Sipas dosjes, furgoni i tipit “Sprinter”, me targa shqiptare, kishte hyrë në Kosovë përmes Merdarës i vozitur nga i pandehuri Edmir Ahmagjokaj, i cili ishte i shoqëruar nga dy të pandehurit e tjerë, Aurel Kaziu dhe Ardit Laska. Në dosje thuhet se në “bunkerin” e improvizuar në furgon janë gjetur 18 pako me bankënota 10, 20, 50, 100 dhe 200 euro.
Të tre kur janë marrë në pyetje kanë deklaruar se me profesion janë shoferë.
I pandehuri Edmir Ahmagjokaj në deklaratën e dhënë te hetuesit doganorë më 24.02.2026 deklaroi se nuk kishte asnjë dijeni për paratë e gjetura në furgon. Ai shpjegoi se kishte udhëtuar në Gjermani më 22.02.2026 për të punuar në shpërndarje postash për klientë të ndryshëm. Ai qëndroi në hotel rreth orës 22:00 dhe planifikonte të nisej drejt Shqipërisë më 25.02.2026.
I pandehuri Aurel Kaziu, i cili është polic në Shqipëri, në deklaratën e dhënë te hetuesit doganorë më 24.02.2026, i pandehuri deklaroi se më 21.02.2026 ishte nisur nga Tirana për në Gjermani me një furgon të kaltër, të cilin e kishte ndryshuar në Kosovë me furgonin që u ndalua nga Dogana.
“Furgonin nga Kosova për në Tiranë e kishte marrë kompania. Ai tha se kishte qëndruar një natë në Dortmund dhe më pas është takuar me Edmir Ahmagjokajn në Këln, ku kishin ngrënë së bashku dhe më pas vazhduan udhëtimin për në Shqipëri. Për paratë e konfiskuara, deklaroi se nuk kishte asnjë dijeni”- thuhet në dosjen e siguruar nga KALLXO.com.
Kurse i pandehuri i tretë, Ardit Laska, sipas dosjes, deklaroi se kishte shkuar për herë të parë në Gjermani për tre muaj. Mohoi çdo lidhje me paratë. Tha se kishte kontaktuar një kompani përmes Instagramit për transport Gjermani–Shqipëri.
“Kompania i kishte dhënë kontaktin e Aurel Kaziut dhe lokacionin e pikës së nisjes. Më 23.02.2026, ai së bashku me Aurel Kaziun dhe EdmirAhmagjokaj ishin nisur nga Dortmundi për në Shqipëri”- vazhdon dosja.
Vlera prej 1 milion euro e gjetur në një hapësirë të fshehtë në një furgon sipas Prokurorisë dyshohet se janë përfituar përmes aktivitetit kriminal.
Në dosje thuhet se të dyshuarit kur ishin ndaluar dhe ishin pyetur nga hetuesit doganorë e kishin mohuar se kanë diçka për të deklaruar.