Situata në Ukrainë, PDK kërkon nga Qeveria të ndajë 100 milionë euro për Ushtrinë e Kosovës - VIDEO

Anëtarja e Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës(PDK), Besa Kabashi – Ramaj, ka thënë se kjo parti kërkon nga Qeveria e Kosovës të ndajë 100 milionë euro për ushtrinë, marrë parasysh gjendjen e krijuar nga agresioni rus në Ukrainë.

Kabashi-Ramaj tha se PDK kërkon që brenda këtij muaji të ketë rishikim të buxhetit për vitin 2022 dhe këto 100 milionë euro të merren nga shpenzimet kapitale të parapara për këtë vit.

“Partia Demokratike e Kosovës kërkon nga Qeveria, që ta sjellë brenda javëve në vazhdim, në afat sa më të shkurtë por gjithsesi brenda këtij muaji, rishikimin e buxhetit për vitin 2022. Konkretisht, kërkojmë nga Qeveria që nga shpenzimet kapitale të parapara për këtë vit, të cilat janë përllogaritur në vlerë prej 554 milion eurosh, të merren 100 milion euro dhe të njëjtat të ri destinohen për nevojat e ushtrisë”, tha ajo në konferencë për media.

Tutje ajo ka shtuar se buxheti i shtetit që ndahet për ushtrinë e Kosovës, të kapë vlerën e minimum 2 për qind të GDP-së së vendit.

“Po ashtu, meqenëse rruga e Kosovës është shumë e qartë dhe aspiratat tona për anëtarësim në NATO kanë edhe implikime buxhetore, kërkojmë që për çdo vit, buxheti i shtetit që ndahet për ushtrinë tonë, të kapë vlerën e minimum 2 për qind të GDP-së së vendit, konform vendimit të ministrave të Mbrojtjes së NATOs që është marrë në qershor të 2006”, ka thënë Kabashi – Ramaj.

Kabashi-Ramaj tha se eskalimi i kësaj situate mund të ndikojë edhe në zhvillimet politike dhe të sigurisë në rajonin tonë, dhe Republika e Kosovës ndonëse e ka konsoliduar shtetësinë dhe sovranitetin e vet, sërish mund të jetë cak i pretendimeve armiqësore.

“Qe nga 24 shkurti, dinamika e zhvillimeve të sigurisë nuk ka qenë e njejtë, jo vetëm për Ukrainën por edhe për të gjithë botën. Kjo krizë që po eskalon në përmasa të mëdha mund të ketë ndikim edhe në rajonin tonë, Kosova mund te jetë cak i altiviteteve që cenojnë sigurinë”, ka thënë anëtarja e Kryesisë së PDK-së.

Edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka folur për gjendjen e sigurisë në Kosovë, pas situatës në Ukrainë.

Konjufca ka thënë se Kosova duhet ta ketë parasysh “skenarin më të keq” që mund të vjen nga Serbia.

“NATO është e pranishme në Kosovë, është marrëveshje tekniko-ushtarake që NATO ka me Serbinë, unë nuk kam frikë të pajustifikuar që kjo marrëveshje mund të shkelet prej Serbisë, por ne duhet të jemi të gatshëm që në raport me Serbinë të kemi parasysh skenarin më të keq”, tha ai.

Kryeparlamentari ka shtuar se  mendojnë që Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK), duhet ta rrisë nivelin e të drejtës së tyre për llojin e armatimit, në bashkëpunim të ngushtë me NATO-n.

Për shkak të luftës në Ukrainë pas sulmeve të Rusisë, është kërkuar që Kosova bëhet pjesë e Aleancës Veri-Atlantike (NATO).